Turqia kujton trazirat, një vit nga grushti i dështuar i shtetit

Turqia kujton trazirat, një vit nga grushti i dështuar i shtetit

158
0

Turqia përkujton sot 1-vjetorin e grushtit të dështuar të shtetit ku mbetën të vrarë të paktën 260 persona dhe 2196 të tjerë u plagosën. Një fraksion i ushtrisë u përpoq të përmbyste qeverinë e Presidentit Rexhep Taip Erdogan mbrëmjen e 15 korrikut, por përpjekja dështoi. Pas puçit, autoritetet shkarkuan më shumë 150 mijë punonjës të insitucioneve shtetërore, në një fushatë spastrimi që vazhdon edhe sot. Pavarësisht kritikave, regjimi nuk e ka ndalur grushtin e hekurt ndaj atyre që i konsideron mbështetës të puçit. Por, fushata spastruese bashkë me 50 mijë arrestimet e kryera ka nxitur reagimin e ashpër të opozitës. Kritikët thonë se Erdogani ka gjetur një justifikim për të goditur disidentët politikë dhe javën e kaluar qindra mijëra njerëz u mblodhën në Stamboll, për atë që e quajtën marshimi i drejtësisë kundër qeverisë. Manifestime të mëdha janë parashikuar edhe të shtunën, ndërsa Presidenti do të mbajë një fjalim në Parlament në orën e saktë kur godina u bombardua. Dita është shpallur festë kombëtare. Erdogan do të marrë pjesë edhe në një protestë në Stamboll në urën përmes Bosforit, ku turma e njerëzve u përball me ushtarët rebelë. Qyteti është mbushur me postera gjigandë që tregojnë momentet dramtike të përballjes. Autoritetet turke fajësojnë për trazirat mbështetësit e klerikut me bazë në SHBA, Fetullah Gylen, por ky i fundit mohon çdo përfshirje. Kujtimet e përpjekjes për grusht shteti e kanë ndarë vendin. Erdogan dhe mbështetësit e tij e shohin dështimin e puçistëve si një rilindje të Turqisë, por të tjerë nuk e konsiderojnë atë si një triumf.

loading...