Trump mohon ndikimin rus në fitoren e tij, në SHBA nisin hetime...

Trump mohon ndikimin rus në fitoren e tij, në SHBA nisin hetime të reja

367
0

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se ai nuk i ka fituar zgjedhjet e vitit të kaluar për shkak të Rusisë, edhe pas raportimeve të mediave se Departamenti i Drejtësisë ka mbledhur një Juri të Madhe për të hetuar ndërhyrjen e supozuar ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA. Kjo juri, që në anglishte njihet me emrin Grand Jury [Juri e Madhe] përbëhet nga një grup prej 12 personash, që mblidhen për të shqyrtuar dëshmitë kundër një personi të caktuar, për të përcaktuar nëse personi në fjalë duhet të ndiqet penalisht. “Shumica e njerëzve e dinë se nuk ka pasur rusë në fushatën time. Ne nuk kemi fituar për shkak të Rusisë. Ne kemi fituar për shkakun tuaj”, u ka thënë Trump, mbështetësve të tij, gjatë një vizite në shtetin e Virxhinias. Republikani Trump i ka akuzuar demokratët për “trillim total të ndërhyrjes ruse”. Gazeta The Wall Street dhe media të tjera kanë raportuar se këshilltari i posaçëm,Robert Mueller, e ka mbledhur një Juri të Madhe për të hetuar fushatën e Trumpitdhe ndërhyrjet e mundshme ruse në të. Trump ka thënë se ideja që Rusia i ka ndihmuar atij që të zgjidhet president, “është poshtëruese për të gjithë ne, për vendin, por mbi të gjitha për Kushtetutën tonë”. Trump dhe zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, kanë thënë se shpresojnë që juria të dalë me një përfundim rreth ndërhyrjes së mundshme ruse, e cila e ka përcjellur Trumpin nga fillimi i presidencës së tij. “Shpresoj që vendimi final do të jetë i sinqertë, të cilën e meritojnë miliona njerëz që mbështetën fitoren tonë në nëntor, dhe të gjithë amerikanët që dëshirojnë një të ardhme më të mirë”, ka shtuar tutje Trump. Ky hetim do t’i lejojë Mueller, ish-drejtor i FBI-së, mbledhjen e dokumentacionit dhe marrjen e dëshmive. Mirëpo, hetimet mund të dërgojnë edhe tek ndonjë vepër penale. Avokatët e Trumpit, kanë thënë, se Presidenti nuk ka arsye për t’u shqetësuar, pasi nuk ka të dhëna se ai është duke u hetuar. “Ish-drejtori i FBI-së, Jim Comey, ka thënë tri herë se Presidenti nuk është duke u hetuar dhe nuk kemi arsye për të besuar se kjo ka ndryshuar”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders. Agjencia e lajmeve, Reuters, ka raportuar se Juria e Madhe, do të zhvillojë hetime për takimin e djalit të presidentit Trump, Donald Trump Jr., dhëndrit të tij Jared Kushnerdhe ish-menaxherit të fushatës së tij Paul Manafort dhe një grup të rusëve, të cilët kanë thënë se kanë informacion, i cili do ta dëmtonte rivalen demokratike të Trumpit, Hillary Clinton. CCN në anën tjetër, ka raportuar se hetimet mund të jenë fokusuar në krime financiare. Juria e Madhe do të dëshmojë nëse duhet ngritur akuza për vepra penale. Kjo juri përbëhet nga njerëz të zakonshëm. Nuk është e thënë që me domosdo duhet të ngrihen akuza penale, kanë thënë ekspertët. Këshilltari special i presidentit Trump, Ty Cobb, ka thënë se ai nuk ka qenë në dijeni se Mueller e ka nisur punën e një Jurie të Madhe. “Juritë e Mëdha janë zakonisht sekrete”, ka thënë Cobb. “Shtëpia e Bardhë favorizon gjithçka që përshpejton hetimet në mënyrë të drejtë… Shtëpia e Bardhë është e përkushtuar për të bashkëpunuar me zotin Mueller”, ka thënë ai.