Tronditja e Kadri Veselit dhe “tradhtia” ndaj Ramush Haradinajt

Tronditja e Kadri Veselit dhe “tradhtia” ndaj Ramush Haradinajt

441
0

Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli“Koalicioni PAN është sajesa më e shpifur që ka ndodhur ndonjëher딓Gjasat që Veseli ta tradhtojë Ramushin kanë qenë dhe janë. Është bërë një muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, ndërsa javën e kaluar janë publikuar edhe rezultatet e certifikuara të cilët nuk kanë ndryshuar shumë që nga rezultatet e para. Sipas analistëve dhe njohësve politikë në vend, ajo për çfarë do të mbahen mend këto zgjedhje është  rënia për nga numri i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe rritja për nga numri i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Por, këto zgjedhje mundë të shihen si “goditje” për PDK-në dhe udhëheqësin e saj, Kadri Veselin. Pasi ndihmoi rrëzimin e Qeverisë Mustafa, me synimin që të marrë postin e kryeministrit, Kadri Veseli, përveç që u detyrua atë t’ia dorëzojë Ramush Haradinajt, ai pësoi humbje të thellë në zgjedhjet e 11 qershorit, ku PDK arriti të fitojë vetëm 23 deputetë, numër ky shumë i vogël ky në krahasim me zgjedhjet e vitit 2014, ku PDK kishte fituar 34 deputetë.

 

Heshtja e Kadri Veselit

 

Analistët politikë pohojnë se zgjedhjet e 11 qershorit kanë “tronditur” PDK-në dhe këtë e dëshmon edhe heshtja e Kadri Veselit për formimin e institucioneve të reja. Analisti politik, Rexhep Shahu, thotë se Kadri Veseli është i bindur duke lexuar rezultatet, se nuk i ka fituar zgjedhjet. Sipas Shahut, heshtja e Veselit deri më tani tregon pikërisht pasigurinë e tij dhe në një mënyrë edhe dështimin e tij.

 

“Kadri Veseli eshte i bindur, duke lexuar rezultatet, se nuk i ka fituar zgjedhjet, se edhe po u krijua qeveri e partisë  së tij me Ramushin Kryeministër është qeveri e përkohëshme, e paqëndrueshme pasi nuk është  e natyrshme martesa politike e PDK-së  me Ramushin. PDK veç po lutet ishalla ia del Ramushi dhe e formon një qeveri ku të punësojë agallarët e PDK-së. Heshtja e Veselit deri tani tregon pikërisht pasigurinë e tij dhe në një mënyrë edhe dështimin e tij, që në thelb është dështim i Thaçit në fillim, e pastaj më vonë shënohet në listë edhe Veseli si dështues ose si  sjellës i dështimit”, shprehet Shahu. Tutje, Shahu pohon se PDK-ja ka humbur zgjedhjet nga keqpërdorim i pushtetit më parë si dhe gjasat për ta tradhtuar Ramush Haradinajn kanë qenë dhe janë. “PDK humbi në  këto zgjedhje nga keqpërdorimi i pushtetit më parë edhe pse ishte me LDK. Por, njerëzit e dijnë se nën qeverisjen e Isa Mustafës lamën e kanë  shi njerëzit e PDK-së  e të Hashimit. Gjasat që Veseli ta tradhtojë Ramushin kanë qenë e janë, pasi Ramushi nuk është rehat aty ku është  në  atë  sofër ku është, ai është  i huaj aty, i nevojshëm, por i padëshirueshëm”, thekson Shahu.

 

“PDK ka bërë vetëvrasje makabre”

Kurse, analisti politik Skënder Zogaj, thotë së prishja e koalicionit qeverisës PDK- LDK është gabim më fatal për PDK-në e cila ka bërë vetëvrasje makabre që nuk ka asnjë gjasë që ta përmirësojë. Zogaj pohon se zgjedhjet e 11 qershorit e kanë defaktorizuar PDK-në , prandaj Kadri Veseli është duke heshtur sepse ka humbur të drejtën për të folur. “Prishja e koalicionit qeverisës PDK-LDK, është gabimi më fatal për PDK-n, e cila ka bërë vetëvrasje makabre që nuk ka asnjë gjasë që ta përmirësojë. Pavarësish nga arsyet dhe kush ishin ideatorët e vendimit të mbrapsht për prishjen e qeverisë, Kadri Veselit i mbetet faji kryesor, si lideri partiak dhe si kryeparlamentar, që është treguar apolutisht i gabuar, sepse ia ka vu litarin në fyt partisë së tij dhe vetvetes. Këtë e dëshmuan zgjedhjet e 11 qershorit që, PDK-n e defaktorizuan duke e zhveshur dhe lënë duarthatë, sepse humbi gjithçka që kishte dhe kurrë më nuk do të mund të jetë ajo që ishte! Për këtë tashmë janë të vetëdijshëm të gjithë brenda dhe jashtë partisë, e ndër ta edhe Kadri Veseli që po hesht, me këmbët e arushës në dorë, sepse e ka humbur të drejtën për të folë, si kryefajtor i kësaj disfate të madhe”, nënvizon Zogaj. Sipas Zogajt, koalicioni PAN është sajesa më e shpifur që ka ndodhur ndonjëherë, prandaj gjithçka është e mundur. Zogaj thekson se Ramush Haradinaj është në pozitën më të rëndë të mundshme. “Sa i përket veprimeve të mëtutjeshme gjithçka është e mundshme sepse, koalicioni PAN-it është sajesa më e shpifur që mund të ketë ndodhur ndonjëherë, prandaj është krejtësisht normale që të këtë rrjedhoja të tjera aventurash diletante dhe intrigash tradhëtie, sepse të gjithë jemi duke dëgjuar ofshamët përbuzëse dhe tërrfëllimet e mospajtimit të PDK-s me situatën e krijuar, sepse, për militantët e PDK-s Ramush Hardinaj është njëmijë herë më i padëshiruar se Isa Mustafa! Prandaj “tradhëtitë” e reja janë gjasa e vetme e përpjekjeve të ardhshme të PDK-s. Ramush Haradinaj është në pozitën më të rëndë të mundshme sepse është në pozitën e cjapit në therrtoren e kasapit. Mos qofsha në lëkurën e tij”, pohon Zogaj.

 

PAN nuk mund ta formojë Qeverinë

Ndërsa, sipas analistit Blerim Burjani koalicionet duhet ta japin kryeministrin nëse dëshirojnë formimin e institucioneve. Burjani thotë se është e qartë që PAN-i nuk mund ta formojë qeverinë dhe këtë e dinë edhe ata. “PAN nuk mund ta formojë qeverinë, kjo është e qartë dhe këtë e dinë edhe ata. Nëse vetëm kanë vullnet për të formuar institucionet postin e Kryeministrit duhet ta japin në të kundërtën nuk ka gjë. Edhe nëse veç LDK-ja e dëshiron këtë, përndryshe shteti do të shkojë në zgjedhje. Gjasat e PAN janë minimale, madje aspak në asnjë variant shpresëdhënëse, nga pak apo më shumë po i bie propagandë se i kanë numrat e realisht numrat nuk i kanë fare”, përfundon Burjani. Që pas daljes së rezultateve të 11 qershorit zyrtarët të shumtë nga koalicioni PAN, por edhe vetë kandidati për Kryeministër, Ramush Haradinaj, ishin deklaruar që ata i kanë numrat për t’i formuar institucionet e reja, mirëpo një gjë të tillë nuk e ka bërë edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli. Veseli nuk është prononcuar për medie rreth kësaj teme, por as nuk ka shkruar në profil të tij zyrtar për këtë. Në zgjedhjet e 11 qershorit Partia Demokratike e Kosovës i ka fituar 23 deputetë, duke qenë një “tronditje” kjo për PDK-në, që në zgjedhjet e vitit 2014 ata kishin 34 deputetë.