Lajme

Tritolomania në Shqipëri, dosjet e bujshme të mbetura pa autor

By Vizion

September 20, 2016

Gentjan Bejtaj, një emër i njohur për policinë dhe drejtësinë në vend, u bë shënjestër e një atentati me eksploziv. Makina e tij tip “Touareg”, me targa AA 020 BH, shpërtheu në ecje, por për fat Bejtaj mori vetëm disa dëmtime të lehta.

Bejtaj është një prej dy personave të dyshuar për vjedhjen e makinës tip “BMV”, që u përdor në vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt në shkurt 2013.

Po ndërsa 35-vjeçari nga fshati Larushk është tashmë nën kujdesin e mjekëve dhe policia po heton për të hedhur dritë mbi motivet e atentatit, i akuzuari  tjetër me të, Enver Stafuka, prej kohësh rezulton i zhdukur, pasi u rrëmbye nga persona të veshur me uniformë policie.

Por përtej një ngjarjeje në dukje të zakonshme për realitetin shqiptar, ajo që krijon panik është fakti se sërish në vend rikthehen shpërthimet me eksploziv.

Nuk janë të pakta ngjarjet ku njerëz të rëndësishëm të drejtësisë dhe jo vetëm janë ekzekutuar në mënyrë makabre gjatë shpërthimeve të telekomanduara.

Ekzekutimi me bombë të telekomanduar i gjykatësit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, në mes të Vlorës, pa diskutim mund të renditet në krye të listës së dosjeve që duket se do të mbetet përjetësisht e arkivuar. Ndonëse kanë kaluar pesë vite nga ngjarja e rëndë, autorët e ekzekutimit ndaj gjykatësit të ri në moshë nuk janë zbardhur.

Një tjetër ngjarje e rëndë e mbetur pa autor është ajo e tentativës për të ekzekutuar kreun e burgut të sigurisë së lartë të Fushë- Krujës, Arben Suloj.

Mëngjesin e 19 janarit 2015, autovetura tip “Opel”, me targa AA 654 AS, që drejtohej nga Suloj, shpërtheu në dalje të portit të Durrësit. Nga shpërthimi mbeti i plagosur kreu i burgut të Fushë- Krujës, i cili për muaj me radhë iu nënshtrua një sërë ndërhyrjesh kirurgjikale.

Pavarësisht hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, deri tani nuk janë identifikuar autorët e vendosjes së eksplozivit në makinën e zyrtarit të lartë.

Keqbërësit enden të lirë, në një kohë që jeta e tij dhe e familjes rrezikohet.

Sulmeve me tritol nuk u ka shpëtuar as familja e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Kohë më parë, farmacisë së babait të ministrit iu vendos tritol, nga shpërthimi i të cilit u shkaktuan dëme të shumta materiale.

Për këtë ngjarje u vunë në pranga mjaft të dyshuar, mes tyre edhe Vladimir Gjuta, emër i njohur për policinë. Hetimet nuk dhanë rezultat dhe tashmë të dyshuarit janë të gjithë të lirë.

Lista e këtyre dosjeve që “dergjen” në prokurori e gjykatë sa vjen e shtohet. Ka pak gjasa që këto krime të zbardhen, pasi shpërthimet me tritol, sikurse shpjegojnë hetuesit, zhdukin çdo gjurmë./Blitz.al