Nëpërmjet një deklaratë për medie Partia Demokratike dënon me ashpërsi rritjen e dhunës kundër kundërshtarëve politkë dhe përfaqësuesve të opozitës.
Ky reagim vjen pas ngjarjes së ndodhur mbrëm në mesnatë ku iu vendos tritol në banesë nënkryetarit të Bashkisë së Kamzës, Vendim Demaj. Nga shpërthimi i ndodhur fatmirësisht pjestarët e familjes nuk janë lënduar.
Policia e Shtetit po e fsheh këtë ngjarje të rëndë dhe deri tani nuk ka asnjë të dhënë për agresorët.
PD thekson se Bashkia e Kamzës prej kohësh është vënë nën sulmin verbal të kryeministrit Rama dhe disa strukturave të tjera të pushtetit, por vendosja e tritolit në banesën e nënkryetarit të Bashkisë së Kamzës përbën një përshkallëzim të agresionit ndaj kundërshtarëve politikë të regjimit të Edi Ramës.
“Fshehja e ngjarjes nga policia nuk i kontribuon as zbardhjes së saj e as kthimit të qetësisë në Kamzës. Ajo vetëm sa shton mosbesimin e qytetarëve ndaj forcave të policisë.
Nëse do të vijohet edhe më tej duke fshehur ngjarjen, jo vetëm familja e Vendim Demajt, por të gjithë qytetarët e Kamzës do të identifikojnë tek Policia e Shtetit bashkëpërgjegjësin kryesor, që në aleancë me krimin e organizuar, po rrezikon përditë sigurinë e tyre”, thuhet në deklaratë.
Partia Demokratike e Shqipërisë deklaron se do të mbajë përgjegjës Edi Ramën për çdo akt dhune dhe agresioni ndaj përfaqësuesve të saj politikë.
“Çdokënd tjetër me përgjegjësi ligjore që me veprimin apo mosveprimin e tyre mundëson akte të tilla dhe pengon ndëshkimin e autorëve, e paralajmërojmë se ne as nuk falim e as nuk harrojmë. Ora e drejtësisë do t’u trokasë shumë shpejt”, përfundon reagimi i Partisë Demokratike.