Lajme

Trajneri Mema: Derbi mos të shihet si ndeshja e jetës

By vizional

September 29, 2019

Në prag të derbit mes Tiranës dhe Partizanit, Ardian Mema ka dalë pasditen e sotme para mediave dhe ka folur për ndeshjen e javës së gjashtë. Ai pranoi se në ndeshjen me Kukësin, skuadra ishte në eufori, gjë të cilën nuk mund ta lejojë në ndeshjen e nesërme përballë të kuqve.

“Nga gjendja fizike, ekipi është shumë mirë. Duhet të jemi të kujdesshëm nga ndeshja e fundit pasi ndaj Kukësit kaluam në eufori. Nesër duhet të jemi me këmbë në tokë. Nuk dua eufori! Në krahasim me vjet jemi më mirë por duhet ta tregojmë nesër. Duhet të kemi kujdes pasi jemi një skuadër e riformatuar dhe mund të ketë edhe oshilacione.

Ndaj Kukësit mund të kishim fituar ashtu si edhe ndaj Teutës. Kampionati është i gjatë dhe do të kemi edhe shumë ndeshje para.

Partizani? Partizani ka elementë të mirë brenda dhe ndeshjen mund ta vendosin edhe individët. Shpresojmë të fitojmë pasi kemi pesë vite. Kanë ndikuar përzgjedhja jo e mirë e lojtarëve dhe Partizani ka pasur lojtarë më cilësorë. Shpresoj që këtë radhë të jetë ndryshe.

Barazimi? Normalisht ekipi duhet të jetë në ekuilibër dhe të mos humbë ndeshjen. Shpresojmë të kemi dinakërinë e duhur dhe t’i shohim gjërat me kujdes. Ekipi kërkon për ta fituar dhe ndoshta rezultati kundër Kukësit na ka bërë mirë për të parë gjërat me më shumë kujdes.

Objektivi? Unë jam me këmbë në tokë për deklarata, por e dinë edhe lojtarët se nuk mund të dilet kampion me 4 ndeshje. Loja ka dinamikën dhe varet si e menaxhojnë dhe se si do të luajmë, në sulm apo mbrojtje. E rëndësishme është që të mos e marrim si sfidën e jetës por të jemi të qetë. Presidenti është përgjigjur por për çdo lojtar, është diskutuar nga të gjithë. kemi bërë një merkato të përbashkët.

Presion te vetja? Nuk jam tip që kam presion. Unë jam brenda familjes dhe sfida ime nuk ka të bëjë me presionin. Shpresoj të bëj më të mirën për veten dhe për klubin.

Imami? Janë gjëra që ndodhin shpesh. Edhe unë jam grindur në fushë por disiplina është e rëndësishme. Duhet që të jemi të bashkuar. Nuk jam i rëndësishëm as unë dhe as Osmani, por i rëndësishëm është grupi”, u shpreh Mema. /VipSport.al/