Trajneri i Hungarisë: Shqipëria është një nga skuadrat më të forta në...

Trajneri i Hungarisë: Shqipëria është një nga skuadrat më të forta në vazon e katërt

369
0

Hungaria mund të jetë rivali direkt i Shqipërisë për vendin e tretë në grupin kualifikues të Botërorit 2022.

Në stolin e Hungarisë gjendet një trajner italian, Marko Rosi, i cili ka arritur të sigurojë rezultate të rëndësishëm kohët e fundit me këtë përfaqësuese, duke i siguruar ngjitjen në Ligën A.

Ai ka folur për shortin dhe ka vlerësuar Shqipërinë, duke e cilësuar ndër ekipet më të vështira që mund të dilnin nga vazo e katërt, duke e cilësuar veten pa fat.

“Edhe këtë herë u provua që në përgjithësi jam i pafat me shortin, edhe pse duhet ta pranoj se mund të kishim qenë në një grup më të fortë. Mendoj se jemi pjesëtarë të një grupi mesatarisht të vështirë. Është rastësi që në grup ka tre skuadra që drejtohen nga trajnerë italianë.

Megjithëse të dy kundërshtarët që kemi më lart dolën të tretët në grupet përkatëse në Ligën e Kombeve, kjo nuk duhet të na gënjejë, pasi Anglia është gjysmëfinaliste e Kupës së Botës dhe është e katërta në renditjen botërore. Ndërsa Polonia është e 19-a me Lewandowskin që është golashënuesi më i mirë i kualifikueseve të kaluara të Botërorit.

Mendoj se Shqipëria është një nga skuadrat më të forta në vazon e katërt. Andorra është e 151-ta dhe San Marino nuk është as mes 200 ekipeve në renditjen botërore, por duhet të kujtojmë se këta vende të vogla mund të jenë tmerrësisht të vështira nëse nuk i trajtojmë me seriozitet. Edhe këtë herë, nuk jemi favoritë në grupin tonë”, tha trajneri italian pas shortit.