Tragjedia me tre viktima në Klos, dy vëllezërit ndahen edhe të vdekur....

Tragjedia me tre viktima në Klos, dy vëllezërit ndahen edhe të vdekur. Drama që vjen pas për femrat e familjes…

520
0

Dje pasdite janë përcjellë për në banesën e fundit tri viktimat e masakrës së ndodhur në Xibër. Kujtim e Flogert Dakuci janë varrosur në Tiranë, ndërsa Sali Dakuci në fshatin e lindjes. Trupat e babë e bir janë transportuar që në mëngjes herët nga Xibri drejt kryeqytetit, për t’i përcjellë për në banesën e fundit.

Daja i Flogertit ka ardhur nga Italia dhe ka vendosur që varrimi ta kryejë në Tiranë, duke mos dashur që të gjenden në të njëjtën varrezë ku do të prehet autori i vrasjes së tyre. Rreth 30 banorë të fshatit kanë shoqëruar dy viktimat dhe kanë ndihmuar në organizimin e ceremonive mortore.

Gjatë gjithë natës, dy banesat janë mbajtur nën vëzhgimin e Policisë së Klosit, ndërsa dje në mëngjes, rreth orës 05:00, kufomat e Flogert e Kujtim Dakucit janë transportuar drejt Tiranës. Pas kryerjes së ceremonisë mortore, ata janë varrosur nga daja i Flogertit dhe të afërmit e tjerë.

Pas varrimit të Sali Dakucit, efektivët e Policisë janë tërhequr nga fshati. Banorë të fshatit shprehën se të afërmit duhet të kishin ndërhyrë për shuarjen e këtij konflikti disavjeçar. Ndërkohë, babai i vëllezërve Dakuci vetëm gjatë varrimit të dy djemve është njoftuar për vdekjen e tyre. Ai dergjet në shtrat prej disa muajsh.

Flogeti ishte djali i vetëm i Kujtim Dakucit, ndërsa djali i Sali Dakucit ndodhet emigrant në Angli. Ngjarja ka qenë shumë e rëndë për familjen e Kujtim Dakucit, ku tashmë e veja, Minushe Dakuci do të duhet të rrisë e vetme vajzën. Ernisa, 21 vjeçe, është studente në Universitetin e Tiranës.

Kjo është edhe arsyeja pse familja ka vendosur atë e bir të prehen në kryeqytet. Kjo i paraprin dhe largimit të tyre nga fshati Xibër në Klos, vendi ku edhe ndodhi ngjarja e rëndë. Familja e 21-vjeçares nuk kishte gjendje të mirë ekonomike dhe për këtë arsye, Bashkia e Klosit i ka akorduar asaj një gjysmë burse.

Tashmë me vrasjen e të atit dhe vëllait, gjendja në familjen e saj do të përkeqësohet edhe më tej. Deri tani, familja e saj është trajtuar me një ndihmë sociale prej 5 mijë lekësh në muaj.