Tirana vlerësohet në OKB mbi Zhvillimin Urban, Veliaj: Tirana shembull për...

Tirana vlerësohet në OKB mbi Zhvillimin Urban, Veliaj: Tirana shembull për pemët, hapësirat pedonale dhe fëmijët

334
0

 

Tirana vlerësohet sërish nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si një nga qytetet që ka bërë më shumë në politikat e zhvillimit të qëndrueshëm, përmes mbjelljes së pemëve, shtimit të hapësirave të këmbësorët dhe vëmendjen ndaj fëmijëve. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë dje në sesionin e 80 të Komitetit të OKB-së mbi Zhvillimin Urban, Strehimin dhe Menaxhimin e Territorit, i mbajtur në Gjenevë, ku prezantoi Tiranën dhe arritjet në disa nismave që e kanë bërë qytetin më të jetueshëm.

“Ishte vërtet kënaqësi të ishim pjesë e qyteteve themeluese të Forumit të Kryetarëve të Bashkive nga OKB-ja. Një nismë që ne e filluam vjet në Gjenevë, ditën e qyteteve, dhe fakti që Tirana është avangardë kur vjen puna te disa zgjidhje që janë me kosto të ulët, por me përfitim të lartë shoqëror, si mbjellja e pemëve, hapësirat tona pedonale, fokusi te fëmijët, ishte vërtetë një moment për t’u bërë krenar që drejtoj një nga qytetet që sot është bërë shembull”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi faktin se Tirana arriti që në një kohë të shkurtër të përballojë situatën e emergjencës pas tërmetit, duke nisur menjëherë rimëkëmbjen dhe rikuperimin e të gjitha dëmeve. “Qytetet e kalitura janë ato qytete që ngrihen menjëherë në këmbë. Sot Tirana është ngritur në këmbë dhe jo vetëm që falenderova vendet anëtare që na ndihmuan në ditët e para me tërmetin, siç ishte Katari, Kuvajti, Italia, Greqia, Turqia gjithashtu, por ishte edhe një mënyrë për të treguar se një qytet si Tirana ngrihet shpejt në këmbë.

Fakti që sot pothuajse të gjitha shtëpitë e rrënuara janë adoptuar nga një kompani që ka filluar rindërtimin, falë edhe ndihmës së kryeministrit për të lehtësuar të gjitha procedurat, besoj se Viti i Ri do të na gjejë me shtëpi të reja, totalisht të rimëkëmbur nga tërmeti”, theksoi kryebashkiaku. Nisur nga situata pas tërmetit, Veliaj shtoi se është e domosdoshme të merren të gjitha masat për të qenë të përgatitur për çdo lloj emergjence që mund të sjellë natyra. “Nisim një përgatitje shumë serioze edhe në nivel qytetesh, lidhur me kapacitetet tona të emergjencave.

Të qenit në një forum të tillë, themelues, por dhe një nga promovuesit kryesor për ta futur agjendën e qyteteve në agjendën e Kombeve të Bashkuara, më bën të ndihem shumë krenar”, shtoi Veliaj. Ai theksoi se Tirana është një qytet që i ka paraprirë nismës së OKB-së për mbjelljen e pemëve, duke i dhënë qytetit më shumë gjelbërim dhe frymëmarrje. “Tirana gjithashtu ka përqafuar nismën e OKB-së për pemët, një nismë e cila i kërkon çdo qyteti të angazhohet për të mbjellë një sasi të caktuar pemësh në zonat urbane.

Fatmirësisht Tirana e kishte filluar këtë 2-3 vite përpara me konceptin e “Pyllit Orbital” dhe me pemët në zona urbane. Më vjen mirë që tani kjo është bërë një platformë globale”, tha Veliaj. Kryebashkiaku u shpreh se edhe këtë sezon të ri të mbjelljeve Tirana do të mbjellë 150 mijë pemë. “Do të vazhdojmë edhe këtë vit me nismën e mbjelljes së pemëve, kemi planifikuar 150 mijë pemë dhe sigurisht do e kapim synimin tonë për 2 milionë pemë deri në fund të vitit 2030, për ta rrethuar Tiranën me gjelbërim. Në pamundësi për të zhbërë çdo gabim të së kaluarës dhe rrumpallës së viteve ’90, të paktën të bëjmë një riparim sa më të madh të mundshëm, me gjelbërim, me një ulje të temperaturave dhe me më shumë oksigjen për qytetin ku rrisim fëmijët tanë”, përfundoi Veliaj.