Tirana/ Prezantohet Vairinen, presidenti nuk kënaqet me ofertat për Muçin

Tirana/ Prezantohet Vairinen, presidenti nuk kënaqet me ofertat për Muçin

348
0

 

 

Në ditën e prezantimit të Tim Vairinen, sulmuesit më të ri të Tiranës, prezent ishte edhe drejtori sportiv, Tefik Osmani. Në fjalën e tij për mediat, Osmani thekson se për të është fat që punën si drejtor e nis me dy përforcime si Taulant Seferi dhe Vairinen, për të cilin u shpreh se kishte oferta nga Shkëndija e Tetovës, por edhe interes nga Serie A dhe B. Sa i përket ofertave për Ernest Muçin, Osmani tha se presidenti Halili nuk kënaqet me shumat që dalin në gazeta.

“Është fat nganjëherë që e nis punën si drejtor me dy lojtarë shumë të mirë si Taulant Seferi dhe Tim Vairinen. Në gjithë historinë e Tiranës, siç janë tifozët dhe siç e kërkon vetë klubi duhet të futesh gjithmonë për të fituar dhe për ta bërë këtë duhet të sulmosh.

Tirana nuk dorëzohet asnjëherë, do e vazhdojë luftën deri në fund. E kam falënderuar presidentin Halili, ai po bën një sakrificë shumë të madhe, e kam thënë edhe në një studio televizive, po të ishte një klub tjetër mbase do ndryshonte objektiv.

Kemi bërë një pagesë, që hapëm merkaton, kemi bërë edhe dy afrime me kosto të lartë. Është gjë e mirë, që jo vetëm Muçi, por edhe lojtarë të tjerë kanë oferta. Do shikojmë nëse vjen oferta e duhur, sepse presidenti nuk kënaqet me oferta që dalin në gazeta.

Kur ai të kënaqet do largohet, por në këto momente nuk mendoj se do lëvizë njeri. Tirana gjithmonë ka marrë më të mirët e kampionatit. Në janar është e vështirë të marrësh lojtarë brenda kampionatit sepse janë në kontrata.

Megjithatë jemi njësoj, kemi marrë dy nga lojtarët më të mirë në merkato, që kanë pasur edhe oferta të tjera dhe i falënderoj që zgjodhën Tiranën. Tim nuk ka qenë vetëm te lista e Shkëndijes, ka pasur edhe interesa nga Serie A dhe B, prandaj e falënderoj që ka zgjedhur klubin më të mirë në Shqipëri, Tiranën.

Shumë sulmues? Sa më shumë lojtarë të mirë të jenë, për ne si drejtues është mirë, problem e ka trajneri. Presim brenda javës tjetër edhe rikthimin e Vangjelit dhe mendoj se do jemi të kompletuar sepse siç dihet edhe Çelhaka dhe Cale janë rikthyer me grupin”, u shpreh Osmani.