Tirana digjet për ujë/ Veliaj: Do mbyllen lavazhet dhe pishinat

Tirana digjet për ujë/ Veliaj: Do mbyllen lavazhet dhe pishinat

425
0

Prej ditësh qytetarët e Tiranës janë duke vuajtur mungesën e ujit në çezma. UKT gjithashtu nuk u është përgjigjur qindra qytetarëve që ankohen çdo ditë për mungesë uji. Në kushtet e emergjencës, Kryebashkiaku Veliaj ngriti sot një task-force dhe pranoi se gjendja është e rëndë sidomos në zonën perëndimore të Tiranës. Sakaq listoi edhe masat që po merren. “Tirana është në gjendje emergjence dhe jemi në kontakt me qeverinë qendrore për të analizuar situatën në të gjithë prefekturën dhe për të marrë më pas një vendim në lidhje me shpalljen e gjendjes së emergjencës në të gjithë Qarkun. Për disa zona periferike të Tiranës si Yzberisht, Pallatet pranë KMY dhe në përgjithësi pjesa perëndimore e Tiranës problemi ka qenë më i ndjeshëm për shkak dhe të distancës më të madhe nga burimet”, tha Veliaj. Me tej kryebashkiaku deklaroi: “Task-forca do jetë me pjesëmarrjen e Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake, Prefekturës dhe stafit teknik të UKT. Do ndalohen ndërhyrjet e paligjshme në rrjet si dhe subjektet apo qytetarët e papërgjegjshëm që përdorin ujin e pijshëm për vaditje apo për aktivitete të tjera private si lavazhe. Do të monitorojmë shumë nga afër aktivitetin e lavazheve dhe të pishinave dhe do të konsiderojmë mbylljen e përkohshme të tyre nëse do të jetë e nevojshme”.