Lajme

Thjerëzat, përfitimet e vlerave sipas ngjyrave

By vizional

February 05, 2024

Thjerëzat janë bishtajore me kokërra të imëta por me vlera dhe ushqyes të një niveli të lartë. Ato kombinohen mjaft mirë në supa, gatime dhe receta të ndryshme shqiptare. Forma e thjerëzave është si ajo e fasuleve por në miniaturë. Disa lloje thjerëzash kanë formë ovale ndërsa disa të tjerat janë më të sheshta.

Thjerëzat kanë nivel të lartë proteinash dhe fibre. Ato gatuhen më shpejt se fasulet sepse janë më të imëta. Në aspektin historik, thjerëzat njihen si bishtajoret më të lashta të rritura në Lindjen e Mesme. Shqipëria është një prodhues ideal i bishtajoreve dhe shquhet për prodhimin e fasuleve të tipeve dhe ngjyrave të ndryshme. Por thjerëzat thjesht mungojnë në kultivimin vendas. Ndërkohë që cilësia e tokës dhe kushtet e motit janë krejt të favorshme për kultivimin e thjerëzave, ende investimet në kultivimin e këtyre bishtajoreve nuk kanë nisur.

Në tregjet e huaja, çmimi i thjerëzave është edhe më i shtrenjtë se i fasuleve dhe tokat shqiptare kanë potencial të sigurtë për t’i shtuar thjerëzat në katalogun e produkteve të kultivuara. Në botë njihen tre lloje të thjerëzave: jeshile, të kuqe dhe kafe. Thjerëzat kafe janë më të përhapurat nëpër raftet e supermarketeve. Këto thjerëza veçanërisht ato të varietetit spanjoll kanë nuancë të theksuar të jeshiles.

Varieteti francez është ai i thjerëzave jeshile të errët dhe me shkëlqim. Shija e tyre është më e fortë se sa thjerëza kafe. Për më tepër, çmimi i tyre është më i lartë se çdo varietet tjetër.

Thjerëzat e kuqe kanë vetëm emrin të tillë, sepse ngjyra e tyre e vërtetë është portokallia. Këto thjerëza janë më të rrallat dhe importohen nga tregjet aziatike. Edhe këto thjerëza kanë disa varitete që klasifikohen kryesisht në bazë të ngjyrës: e kuqe e ndezur, e artë dhe e verdhë e ndezur.Farat e thjerëzave kanë gjithashtu ngjyra të ndryshme. Thjerëzat mund të shiten të plota ose të ndara. Ato mund t’i bleni edhe të konservuara. Kur thjerëzat e kuqe gatuhen për shumë kohë, ato copëtohen dhe shpërbëhen. Për këtë arsye, thjerëzat e kuqe janë shumë të mira për të trashur lëngun në gatimet tuaja.Thjerëzat jeshile janë më të përmbajtura në gatim. Ato e ruajnë formën e tyre gjatë gjithë kohës, ndonëse marrin nuancën e ngjyrës kafe dhe lëshojnë një aromë më të fortë.Të gjitha thjerëzat në përgjithësi kanë një jetëgjatësi më të madhe kur ruhen në një vend të thatë, por kini parasysh që ngjyra e tyre zbehet me kalimin e kohës. Thjerëzat e gatuara mund të ruhen në frigorifer deri në gjashtë muaj.

 

Për ta përmbledhur

Thjerëzat jeshile i gjejmë në dy varietete ndërsa të kuqet në më shumë syresh. Thjerëzat jeshile kanë një aromë më të fortë tokësore se sa të kuqet. Gjatë gatimit, thjerëzat jeshile ruajnë formën dhe shijen, ndërsa të kuqet kanë tendencën të shpërbëhen gjatë një periudhe të gjatë gatimi. Thjerëzat jeshile kushtojnë më shumë se ato të kuqe./AgroWeb.org