Thirrje Saimirit dhe Frontit Demokratik të Ish-Bllokut: Mos guxoni ti prekni gazetarët…./...

Thirrje Saimirit dhe Frontit Demokratik të Ish-Bllokut: Mos guxoni ti prekni gazetarët…./ Nga Dritan Laci

582
0

Nuk është hera e parë që inidividë apo grupe mitingashësh të frymëzuar nga skalionet e majta apo të djathta, kushdo qofshin, ndërsehen në mënyrë më harbute ndaj gazetarëve. Ajo që ndodhi sot në dyert e Kuvendit, kur gratë dhe burrat e Frontit Demokratik Nr.5 me qendër në ish-Bllok, fyen dhe kërcënuan me një fjalor tipik rrugësh gazetarët, në momentin që këta të fundit po kryenin punën e tyre në një komunikim mediatik me ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, tregon se sa lehtë është e cënueshme puna e medias në një vend si Shqipëria. Kush i pa ato pamje dhe mosreagimin që pasoi nga ana e deputetit Saimir Tahiri, që jo vetëm nuk i vuri fre gojës por edhe shkoi i përqafoi militantët e tij pasi u nda me gazetarët, përpos shijes së keqe që të lë si akt, na tregon që pas 27 viteve politikanët shqiptare nuk rrojnë dot pa militantët. Militantë që siç thoshte ajo zonja nga Berati “Pa bukë të rrimë, vetëm ju mos u zini”. Që nuk kanë hallin se vendi i tyre, i fëmijëve, i nipërve dhe mbesave që rrisin është kapur nga mafia dhe droga, por dalin dhe fyejnë gazetarët me fjalor barbonësh, pse këta të fundit bëjnë detyrën e tyre. Ndaj në këtë qëndrim, thirrja e parë i shkon deputetit Saimir Tahiri, të mbajë në kontroll organizatën bazë të Partisë të Ish-Blloku dhe të mos e ndërsejë ndaj gazetarëve, edhe kur pyetjet mund të mos u pëlqejnë. Thirrja e dytë u shkon grave dhe burrave të Frontit Demokratik Nr.5 në ish-Bllok. Koha kur damkosnin dhe ekzekutonit njerëz të pafajshëm në gjyqet popullore kolektive të lagjeve ka marrë fund njëherë e mirë. Ndaj, jo të guxoni, por as mos tju shkojë në mendje të fyeni apo të prekni gazetarët. Nuk janë ata që kanë kanabizuar Shqipërinë… / Redaksionale Opinion.al