Theresa May propozon një fazë dyvjeçare tranzitore pas Brexit-it

Theresa May propozon një fazë dyvjeçare tranzitore pas Brexit-it

444
0

Në fjalimin e saj programatik në Firence kryeministrja britanike shprehet për zgjidhje të reja, kreative për marrëdhëniet e ardhshme me BE. Por shumë çështje mbeten të hapura. Kryeministrja britanike pranoi se marrëdhëniet e Britanisë së Madhe me Bashkimin Evropian ndodhen në një gjendje akute. Në fjalimin e saj programatik në Firence, Theresa May foli me shumë patos për vlerat e përbashkëta dhe për interesat e përbashkëta të sigurisë në botë. Në mënyrë të përsëritur ajo shprehu dëshirën për zgjidhje me fantazi për raportin e ardhshëm politik dhe ekonomik. Modele sipas shembullit të Norvegjisë dhe Kanadasë ajo i kundërshton, tha May në fjalimin e saj të mbajtur në manastirin Santa Maria Novella.

 

Britanikëve duhet t’u jepet më shumë kohë

 

“Ne duam të bashkëpunojmë dorë për dore me BE dhe të mos jemi më pjesë e tij”, shpjegoi ajo. Dhe bëri më tej të qartë: ajo kërkon më shumë kohë për vënien në jetë të daljes së vendit nga Bashkimi Evropian. May propozoi një fazë kalimtare të kufizuar pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. Ajo beson se do të nevojitet një periudhë prej rreth dy vjetësh, tha kryeministrja. Në këtë periudhë, duhet të jetë edhe më tej i mundur aksesi i sipërmarrjeve në tregjet e palës tjetër me kushtet e sotme.

 

Sa është e gatshme të paguajë Britania e Madhe?

 

Britania e Madhe do të largohet nga BE në mars 2019. May la të kuptohet se Britania e Madhe mund të paguajë në këtë periudhë kalimtare kontribute në buxhetin e Bashkimit Evropian. Asnjë shtet anëtar i BE nuk duhet të paguajë për shkak të Brexitit më shumë para ose të marrë më pak para, tha ajo. “Britania e Madhe do t’u përmbahet detyrimeve, të cilat i kemi marrë përsipër gjatë anëtarësisë sonë”, shtoi May. Një shumë konkrete ajo nuk përmendi. Ekspertët e Brukselit llogarisin një shumë nga 60 deri 100 miliardë euro, të cilën Londra ia ka borxh Bashkimit Evropian. Kjo llogari përmban detyrimet e përbashkëtare financiare të BE për buxhetin, programet e mbështetjes financiare dhe pensionet./DW