DOSSIER

Teuta, historia e mbretëreshës së pazbutshme të ilirëve

By vizional

May 16, 2017

Pas mposhtjes së Kartagjenës në Luftën e Parë Kartagjenase, në vitin 241 para Krishtit, Republika e Romës u shndërrua në një fuqi detare dominuese në Mesdhe. Megjithëkëtë, kontrolli i deteve nga Roma nuk ishte absolut. Në lindje të Italisë, një tjetër fuqi ishte në rritje. Kjo ishte mbretëria Ardiane, e udhëhequr nga një fis ilir që nisi të kërcënojë rrugët tregtare të Romës, të cilat përshkonin mespërmes Adriatikun. Në krye të kësaj mbretërie ishte Mbretëresha shumë e zonja, Teuta. Teuta ishte bashkëshortja e Agronit, një mbret në mbretërinë Ardiane. Ishte nën udhëheqjen e Agronit që mbretëria e Ardianëve u bë një forcë për t’u marrë në konsideratë. Sipas shkrimtarit romak, Apiani i Aleksandrisë, Agroni e kishte zgjeruar mbretërinë e tij duke përfshirë një pjesë të Epirit, si dhe Korfuzin, Epidamnin dhe Farin. Përtej kësaj, flotës së Agronit i trembeshin shumë në Detin Adriatik. Në vitin 231 para Krishtit, Agroni vdiq papritur, pas një fitoreje ndaj Etolianëve. Sipas historianit grek, Polibit, “Mbreti Agron, kur flotilja u rikthye dhe oficerët e tij i dhanë një rrëfim të betejës, ishte kaq i lumtur prej mendimit që kishin mposhtur Etolianët, që në atë kohë ishin populli më krenar, saqë i hyri festave dhe teprimeve të tjera, nga të cilat ra në një pleurit. Jeta e tij mori fund brenda pak ditësh”. Si trashëgimtar i Agronit, Pini, ishte thjeshtë fëmijë kur vdiq mbreti, kështu që mbretëria Ardiane u udhëhoq nga Teuta, e cila vepronte si mbretëreshë deri kur mbreti i ri të ishte në moshën e duhur. Ndonëse Teuta vazhdoi me politikën ekspansioniste të bashkëshortit të saj të ndjerë, veprimet e saj janë përshkruar në një dritë negative nga Polibi. Ndonëse, kjo mund të ketë qenë një pikëpamje e njëanshme, duke patur parasysh fokusin e tij në historiografinë romake. Sipas Polibit, Teuta kishte një “dritëshkurtësi prej gruaje” dhe se ajo “nuk mund të shihte asgjë tjetër përveç suksesit aktual, dhe as nuk hidhte sytë se çfarë ndodhte gjetkë”. Polibi përmend gjithashtu se Teuta mbështeste praktikën ilire të piraterisë, dhe plaçkiste pa dallim fqinjët e saj, pasi komandantët ishin udhëzuar që t’i trajtonin të gjithë si armiq. Ishin këta sulme piraterie që më pas do e shtynin Romën që t’i shpallte luftë Teutës. Senat Romak fillimisht i kishte injoruar ankesat kundër ilirëve nga tregtarët që lundronin në Adriatik. Megjithatë, teksa numri i ankesave u rrit, Senati u detyrua të ndërhyjë. Romakët fillimisht përdorën diplomacinë, dhe dërguan njerëz në oborrin e Teutës. Burimet e lashtësisë regjistrojnë se Teuta nuk ishte aspak e kënaqur me të dërguarit romakë, dhe nuk ishte e arsyeshme në bisedimet me ta. Më e keqja, ishte shkelur edhe imuniteti diplomatik i këtyre të dërguarve. Polibi shkruan se një prej tyre u vra teksa përgatitej të nisej për në Romë, ndërkohë që Cassius Dio përmend se disa të dërguar u vranë, e të tjerë u burgosën. Kur lajmi për këto mbërriti në Romë, romakët u zemëruar, dhe i shpallën luftë Teutës. Një flotë me 200 anije u përgatit për pushtimin, bashkë me një ushtri për në tokë. Shënjestra e parë e flotës romake ishte ishulli i Korfuzit, që e mbante Demetri, i cili ishte gjithashtu guvernator i Farit. Në rrëfimet si të Apianit edhe të Polibit, Demetri thuhet se i tradhëtoi ilirët duke dorëzuar Korfuzin dhe Farin tek romakët. Megjithatë, sipas Cassius Dios, ishte vetë Teuta që kishte dërguar Demetrin të dorëzonte Korfuzin tek romakët, në këmbim të një armëpushimi. Por, menjëherë pas armëpushimit, Teuta sulmoi Epidamnin dhe Apolloninë, duke i detyruar romakët të ndërhyjnë sërish. Më pas, Demetri do të transferonte besnikërinë e tij tek romakët, si rezultat i kapriçove të Mbretëreshës. Duke kuptuar se nuk i bënte dot ballë romakëve, Teuta u dorëzua në vitin 227 para Krishtit. Sipas Polibit, Teuta “ra dakord të paguajë një haraç që ata vendosën, të hiqte dorë nga e gjithë Iliria përveç disa vendeve, si dhe premtoi të mos lundrojë përtej Lezhës me më shumë se dy anije të paarmatosura”. Po kështu, Apiani përmend se Korfuzi, Fari, Isa, Epidamni dhe Atintani ilir u vunë nën kontrollin e romakëve. Pjesa e mbetur e perandorisë së Agronit ishte në duart e Pinit, mentori i ri i të cilit ishte Demetri. Ndonëse Teuta jetoi edhe për dy dekada, ekziston një histori interesante që thotë se Teuta ishte hedhur nga një shkëmb në vend që t’u dorëzohej romakëve në Gjirin e Kotorit, aty ku sot është Mali i Zi. Duke qenë se Risani është i vetmi qytet bregdetar i Malit të Zi pa traditë detare, thuhet se kjo ka ndodhur për shkak të mallkimit të mbretëreshës ilire ndaj qytetit, përpara se të kryente vetëvrasje.