Aktualitet

Tërmeti / Thellohet bilanci i tragjedisë, shkon në 39 numri i viktimave, lëkundjet e forta të natës shtojnë panikun.

By vizionc

November 28, 2019

Vijon të rritet bilanci i viktimave të tërmetit katastrofik, që tronditi Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit, me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter, i ndjekur nga një sërë lëkundjesh të tjera të forta.

Ekipet e kërkim-shpëtimit nga Shqipëria, Kosova, Greqia, Franca, Kroacia dhe gjithë rajoni e Evropa vijojnë pa ndërprerë aksionet nën rrënojat e Durrësit dhe Thumanës.

Gjatë orëve të para të mëngjesit, përkatësisht rreth orës 04:00, ata kanë nxjerrë nga rrënojat e Thumanës tre trupa të tjerë të pajetë, duke e çuar numrin e tragjedisë në 39 viktima.

Ndërkohë, paniku i tërmeteve ka vijuar edhe gjatë natës që lamë pas, teksa janë regjistruar të paktën dy lëkundje të forta me magnitudë 4.4 dhe 4.5 të shkallës Rihter. Deri më tani, nga operacionet e kërkim-shpëtimit janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat 45 persona, ndërsa janë plagosur mbi 650 të tjerë, si dhe janë shkatërruar plotësisht shumë ndërtesa në Durrës e Thumanë, që kanë qenë dhe dy zonat më të prekura.

Nisur nga kjo situatë katastrofike, prej ditës së djeshme kryeministri Edi Rama ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, e cila do të zgjasë për 30 ditë, ndërsa dita e djeshme ishte ditë zie kombëtare për Shqipërinë dhe Kosovë.