“Tepër sekrete”/ Zbardhet debati në Byro për arratisjen e anijes ‘Dukati’ në...

“Tepër sekrete”/ Zbardhet debati në Byro për arratisjen e anijes ‘Dukati’ në ’89-ën. Çfarë tha Rita Marko

450
0

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga një dosje voluminoze e Arkivit Qëndror të Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), me siglën “Tepër sekret” dhe tashmë prej kohësh të deklasifikuara, ku ndodhet një proces-verbal i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së e mbajtur në janarin e vitit 1989, ku është marrë në analizë ngjarja e jashtëzakonëshme e ndodhur më 6 janar të atij viti. Memorie.al shkruan se  peshkarexha “DukatI”, teksa doli për gjueti në det të hapur në ujrat e Adriatikut, u morr peng nga kapiteni i saj, Enver Meta, i cili pasi mbajti peng shtatë pjestarët e ekuipazhit të saj, mbërriti në portin e Brindizit në Itali, edhe me tetë shokë të tij që i kishte fshehur në hambarët e anijes që në Portin e Durrësit. Të gjitha debatet e acaruara në mes antarëve të Byrosë Politike në atë mbledhje maratonë që u zhvillua nën drejtimin e Ramiz Alisë, ku “shokët e udhëheqjes” kanë bërë akuza të ndërsjellta,  për probleme të brendshme familjare të tyre, gjë e cila shkaktoi një furtunë të vërtetë, duke u marrë masa drastike me arrestime dhe shkarkime nga detyra të rreth 30 funksionarëve e zyrtarëve të lartë, duke filluar nga nënoficeri që s’kishte ushtruar si duhet kontrollin në anije, drejtori i Portit Detar, Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme Agron Tafa, sekretari i parë i Komitetit të Partisë së Durrësit, Qirjako Mihali, Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, e  ministri i Brendshëm, Hekuran Isai.

 

 

 

foto galeri foto galeri foto galeri foto galeri 1234PreviousNext

“Kam të dhëna që fëmijët e tu Qirjako, madje dhe shoferi yt, hyjnë në port lirshëm, marin varkat dhe dalin për gjah në det? Çdo njeri mund të hyjë në port, Qirjako? Pse duhet hyjnë fëmijët e tu dhe të tjerët nga porti për të dalë në det për peshk ose për shëtitje? Porti është zonë kufitare”?! Kështu është shprehur në mes të tjerash Ramiz Alia duke i’u drejtuar Qirjako Mihalit, sekretarit të parë të komitetit të Partisë së rrethit të Durrësit, në një mbledhje të Byrosë Politike të mbajtur në janarin e vitit 1989, pas ngjarjes së jashtëzakonëshme të ndodhur në datën 6 janar të atij viti, ku peshkarexha “Dukati”, teksa kishte dalë për gjueti në ujrat e Detit Adriatik, u morr peng nga kapiteni i saj, Enver Meta, dhe tetë shokët e tij që i kishte fshehur në hambarët e anijes, duke mbërritur në portin e Brindizit, me shtatë pjestarët e ekuipazhit të saj të mbajtur peng. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë që jo vetëm shkaktoi probleme të mëdha në mes Tiranës zyrtare dhe shtetit Italian, por tronditi edhe regjimin komunist duke bërë që të merreshin masa drastike me arrestime, shkarkime, e dënime, të rreth 30 funksionarëve e zyrtarëve të lartë, duke filluar nga nënoficeri që s’kishte ushtruar si duhet kontrollin në anije, drejtori i Portit Detar, Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme Agron Tafa, sekretari i parë i Komitetit të Partisë së Durrësit, Qirjako Mihali, Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, e deri te ministri i Brendshëm, Hekuran Isai, etj., jemi njohur në pesë numra rradhazi të botuar nga Memorie.al. Ndërsa nga ky shkim dhe në disa numra në vijim, po publikojmë proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike, që është mbajtur dhe ka analizuar atë ngjarje të rëndë, (madje nga më të pazakontat deri në atë kohë për regjimin komunist të Tiranës), ku “shokët e udhëheqjes”, jo vetëm që kanë diskutuar “me partishmëri dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie” për atë problem që ishin mbledhur, por kanë bërë akuza të ndërsjellta edhe për probleme familjare të tyre.

 

Mbledhja e Byrosë Politike për ngjarjen e anijes “Dukati”

 

ÇËSHTJA E KATËRT: “TË NDRYSHME” (NGJARJA E DURRËSIT)

 

SHOKU RAMIZ ALIA: Për ngjarjen e shëmtuar që ndodhi në Durrës na janë paraqitur materialet nga Ministria e Punëve të Brëndshme, nga Komiteti i Partisë së rrethit të Durrësit dhe nga aparati i Komitetit të Partisë, shoku Simon Stefani. Shokët i kanë lexuar materialet. Tani ç’pyetje apo vërejtje keni për këto material? Vetëm flisni sa më shkurt.

 

SHOKU RITA MARKO: Kam disa pyetje për shokun Qirjako. Në raportin që ka paraqitur Komiteti i Partisë i Rrethit të Durrësit, nuk është bërë ndonjë analizë serioze dhe e thellë për këtë problem.

 

Këto fenomene negative që kanë ndodhur tregojnë që në Durrës ka element armiq që veprojnë e organizohen dhe partia në rreth nuk është në krye të situatës. Ç’përgjegjësi keni për këtë ngjarje ju shoku Qirjako? Pyetje tjetër: mbi ç’kritere merren në punë marinarët, qoftë në peshkim dhe në flotën tregtare?

 

Këtë pyetje e kam për shokun Hekuran. Si është e mundur që bashkëpunëtori juaj futet në port, për dy vjet nuk jep të dhëna dhe mbahet si i tillë në organet tuaja? Ky nuk është rasti i parë, ka pasur edhe raste të tjera. Po kështy dy vëllezërit, Jakup Vogli dhe Bardhyl Vogli punonin në port, njëri vinçier dhe tjetri në motobarkë, kur dihet që nënën e tyre e kishin të arratisur. Pse është lejuar kjo?

 

SHOKU RAMIZ ALIA: Në vijim të kësaj do të shtoja: mos ekziston mendimi te shokët e Ministrisë që bashkëpunëtori i Sigurimit është njeriu më besnik, të cilit mund t’i zihet besë pa kushte?

 

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Unë kam një pyetje tjetër për Zylyftarin, po në vijim të kësaj. Kur një bashkëpunëtor për dy vjet rresht nuk jep asnjë të dhënë, mbahet në bazë të Platformës? Ose si e matni ju efeketivitetin e veprimtarisë së bashkëpunëtorëve?

 

SHOKU RITA MARKO: Këtë pyetje e kam për shokun Hekuran dhe Kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme të Durrësit. Ka të dhëna Dega e Punëve të Brendshme që në port futen njerëz dhe marrin kontakt me të huaj, bile dhe punonjës të portit? Në qoftë se keni të dhëna, pse nuk keni marrë masa? Ti personalisht shoku Agron, ke nxjerrë mësime për arratisjen në Han të Hotit të armikut Minella Andonit, që erdhi në Drejtorinë e Tiranës, morri çfarë deshi dhe iku duke na shkaktuar shumë shqetësime?

 

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Unë kam një pyetje për shokun Ferit. Dogana nuk e bëri kontrollin, se siç duket e ka psur vijë, po Pika e Kontrollit të Kufirit ka bërë kontrolle të në kohën që janë nisur varkat? Po ti, Ferit, ke shkuar në Portin e Durrësit e të bëni kontrolle të befasishme për të parë se si i kryejnë detyrat piklat e kontrollit të kufirit?

 

SHOKU MANYSH MYFTIU: Kam edhe unë pyetje, shoku Ramiz. Nga raportet që lexova nuk e morra vesh si është e garantuar ruajtja e kufirit. Ka një sistem të organizuar për kontrollin e kufirit. Në bazë të rregullores kush duhej ta kontrollonte këtë pjesë të kufirit? Këtu u tha që janë bërë lëshime në zbatimin e rregulloreve. Kush i ka bërë këto lëshime? Këto fenomene flasin për një shkelje të përgjithshme e të rëndë të rregulloreve për ruajtjen e kufirit.

 

Së dyti, në Durrës kanë ndodhur disa gjëra të rënda. E njohin organet e Partisë dhe të Sigurimit, situatën reale politike dhe veprimtarinë e elementëve armiq? Fenomenet negative që kanë ndodhur në Durrës tregojnë që situata atje nuk është e mirë.

 

Juve, shoku Agron është e dyta herë që i’u ndodhin arratisje të organizuara, herën e parë u arratis nga Tirana me makinë banda e Minella Andonit, këtë rradhë u arratisën nga Durrësi 9 veta me varkë peshkimi. Ç punë Sigurimi bëni ju atje?

 

Po kështu, kemi të dhëna që peshkatarët tanë, kanë marrdhënie me peshkatarë italianë kur peshkojnë. Këta bisedojnë me njëri-tjetrin në mes të detit. Kontrollohen nga ana e Sigurimit, varkat gjatë peshkimit? Këto kisha unë.

 

SHOQJA LENKA ÇUKO: Në materialin e MPB-së, thuhet që në Ndërmarrjen e Peshkimit ka puntorë me vese të këqija. Pse nuk kanë marrë masa Dega e Brendshme dhe Komiteti i Partisë i rrethit të Durrësit, për t’i hequr këta nga porti? Këta njerëz njihen vetëm në letër apo nuk hiqen që andej se ka ndonjë sentimentalizëm?

 

Një pytje kam për shokun Qirjako. Si është ndërtuar puna e partisë në Durrës dhe ç’ndryshim ka nga e kaluara pas gjërave të papëlqyera që kanë ndodhur në portin e Durrësit?

 

Si ka punuar komiteti i Partisë së rrethit dhe vetë shoku Qirjako, për intensifikimin e punës të organizatave-bazë të Partisë? Këto ishin pyetjet e mia.

 

SHOKU RAMIZ ALIA: Tjetër, kush ka pyetje?

 

SHOKU HAJREDIN ÇELIKU: Kam dhe unë, shoku Ramiz. Në qoftëse nuk dhanë sinjal anijet e peshkimit, nga 15 që ishin, ndërmarrja duhet të bënte alarm. Apo duhet me çdo kusht të japin sinjal anijet?

 

Si qe e mundur të organzoheshin 9 veta për të kryer këtë veprim armiqësor dhe të mos marrë vesh gjë as organet e Sigurimit dhe as Partia në rreth?

 

SHOKU RAMIZ ALIA: Sigurimi, akoma nuk e di si ka ndodhur.

 

SHOKU HAJREDIN ÇELIKU: Përse nuk është vënë, në zbatim studimi që është bërë për forcimin e kufirit në port?

 

SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Kam edhe unë nja dy pyetje, shoku Ramiz. Ka dalë një urdhër i firmosur nga katër ministrat për disiplinimin e Portit të Durrësit. Në material thuhet që nuk janë dhënë mësime për zbatimin e këtij urdhri të firmosur nga katë ministrat. Pse është lejuar kjo dhe si është organizuar kontrolli i zbatimit të këtij urdhëri? Thuhet që në port nuk është bërë rrethimi dhe ndriçimi. Ne kërkojmë të bëhet rrethimi e ndriçimi i ndërmarrjeve të thjeshta dhe jo më i portit. Pse është lejuar kjo gjëndje?

 

SHOKU MANUSH MYFTIU: Ne nuk dijmë si u futën në anije këta 9 vetë.

 

SHOKU RAMIZ ALIA: Unë e di që janë futur ditën. Kam më pyetje? Nuk ka. Shokët u përgjigjen pyetjeve, po shkurt dhe me saktësi. Gjëra të përgjithshme nuk duam. Fjalën e ka shoku Hekuran.

 

SHOKU HEKURAN ISAI: Shoku Rita, bëri pyetjen përse e kanë mbajtur organet e punëve të brendshme këtë bashkëpuntor në port, kur ka dy vjet që nuk ka dhënë asnjë të dhënë. Ky bashkëpuntor është tërhequr në vitin 1984, në bashkëpunim sekret, dhe është zgjedhur nga elementët rrugaçë, vagabond, e me tendencë arratisjeje. Pra ky ishte i zgjedhur nga llumi, po të shprehemi kështu, për të zbuluar llumin. Ka punuar….. në port dhe është futur nga ne për të zbuluar këto kontigjente. Duke qënë se ky dha të dhëna për…., por që nuk u vërtetuan, kjo i vuri në gjumë organet e Sigurimit të Shtetit. Këtu është përgjegjësia jonë. Kjo është ulje vigjilence dhe mungesë përgjegjësie.

 

SHOKU RITA MARKO: Ka ndodhur disa herë që….., janë arratisur.

 

SHOKU HEKUARN ISAI: Vërejtja është e drejtë. Shoku Ramiz thotë, mos ekziston mendimi te organet e Sigurimit që…. janë njerëzit më të besuar? Ky mendim nuk ekziston, këtë e them në mënyrë absolute.

 

SHOKU RAMZI ALIA: Po mendimin që punonjësit e Sigurimit janë njerëzit më të besuar, më të ndershëm, e më të drejtë, ekziston?

 

SHOKU HEKURAN ISAI: Unë për vete nuk e kam këtë mendim, shoku Ramiz.

 

SHOKU RAMIZ ALIA: Unë flas për organet e Sigurimit të Shtetit. Atëhere pse lejohet, shoku Ferit, që punonjësi i Sigurimit të shkojë në kufi? Pastaj ndodh që arratiset, siç u arratis Minella Andoni. Nuk flet kjo për një besim, tepër të madh të punonjësit e Sigurimit?!

 

SHOKU HEKURAN ISAI: Në përgjithësi ky mendim nuk ekziston shoku Ramiz. Në qoftë se përpunojmë spiunë, këta nuk mund të jenë njerëz të ndershëm, sepse do të përpunohen me njerëzit e afërt që ka besim. Në qoftë se duam të zbulojmë hajdutët,… e kemi më të “zgjedhurin” midis hajdutëve. Ka patur raste që i kemi dënuar… kur na kanë dhënë të dhëna jo të vërteta. Megjithatë ka pasur dhe…. që kanë dhënë të dhëna të vërteta, në bazë të të cilave elementët keqbërës janë futur në burg me fakte ligjore. Kjo ka bërë që te puntori operativ, të krijohet mendimi që… është njeri i ndershëm. Këtë e kap…. dhe fillon dizinformimin, kështu që detyrohemi të përdorim mjete të tjera. Në të tilla raste, ne i kemi përjashtuar…. si gënjeshtarë ose i kemi arrestuar. Sigurisht unë nuk mund të pretendoj që midis mijëra… që kemi, e kemi realizuar qëllimin. Ne duhet të thellohemi më mirë në gjetjen e…. Këtu është përgjegjësia jonë.

 

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Përse nuk e vutë në ndjekje këtë…., kur e dinit që…. e kishte të arratisur? Ky vetë kishte tentativë për arratisje?

 

SHOKU HEKURAN ISAI: N…. i ishte arratisur që në vitin 1960.

 

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Ky…. nuk ka dhënë as të dhëna. Platforma si thotë për këta?

 

SHOKU HEKURAN ISAI: Këtu, shoku Adil, duhet të punojë mëndja jonë, se platforma nuk i përcakton kaq hollësisht këto gjëra. Ky person është tërhequr në…., duke e pasur…. të arratisur.

 

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Ai edhe, duke qënë…. ka pasur tendencë arratisjeje.

 

SHOKU HEKURAN ISAI: Unë nuk e di këtë që ai, ka pasur tendencë për arratisje duke qënë…. Kemi raste që dhe… na tradhtojnë. Ne mundohemi ti seleksionojmë, po mesa duket, nuk jemi të zotë ta bëjmë këtë. Këtu është puna jonë e dobët. Të dhënat që qytetarët lidhen me të huajt në port, kemi pasur me dhjetra. Disa nga këta Sigurimi i ka kapur. Sipas fajit, disa i kemi futur në burg, dhe disa i kemi këshilluar. Po kështu kemi hequr dhjetra ushtarë që kishim dyshime se kishin marrdhënie me të huajt. Dhe kontrabandistët. Para një jave një qytetar, i dha ushtarit katër monedha floriri që ta ndihmonte të lidhej me të huajt. Florinjtë u kapën, kurse qytetarin nuk e kapëm dot.

 

SHOKU RITA MARKO: Kjo ka ndodhur në 6 janar.

 

SHOKU RAMIZ ALIA: Monedhat e floririt në rrugë u gjetën?

 

SHOKU HEKURAN ISAI: Ushtarit, monedhat e floririt i’a dha, një qytetar, që ky ta lejonte të komunikonte me të huajt. Këtë qytetari i’a kishte thënë më përpara ushtarit. Ushtari njofton menjëherë komandën. Si masë komanda, dërgoi një ushtar tjetër në atë anije, kur po i jepte florinjtë ushtarit, qytetari pa dhe ushtarin tjetër. Ai hypi në biçikletë dhe iku me shpejtësi.

 

SHOKU FOTO ÇAMI: Po e njeh ushtari qytetarin, që i dha florinjtë?

 

SHOKU HEKURAN ISAI: Nuk e njeh shoku Foto.

 

 

SHOQJA LENKA ÇUKO: Kur kishte të dhëna, shoku Hekuran, që qytetari do të vinte të takonte ushtarin, pse nuk punoi Sigurimi?

 

SHOKU HEKURAN ISAI: Një pjesë e mirë e këtyre elementëve ne i kemi kapur. Pardje u kap një ushtar që po ngjitej në anijen koreane.

 

SHOKU MANUSH MYFTIU: Gjersa qytetari i dha florinj ushtarit, do të thotë që ata janë takuar dhe herë të tjera.

 

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Ai iku sa pa ushtarin tjetër.

 

SHOKU HEKURAN ISAI: Raste që qytetarët janë të lidhur me kontrabandistët e marinarët e huaj ka pasur.

 

SHOKU RAMZI ALIA: Çfarë kishe për të shtuar për këtë ti, Agron?

 

SHOKU AGRON TAFA: Çështja e florinjve qëndron kështu: Një qytetar shkoi te anija rumune e i thotë ushtarit, që kam disa gjëra që duhet t’i punoj me marinarët e huaj, do të më lejosh? Ushtari i tha, nuk është koha tani, po hajde në orën 9 të darkës. Në të njëjtën kohë ushtari, njofton komandën. Për këtë masa u morën, por qytetari nuk erdhi atë natë, erdhi të nesërmen. Ushtari të nesërmen ishte me shërbim në një anije tjetër. Kështu qytetari të nesërmen shkoi dhe i dha florinjtë ushtarit. Ushtari i thotë, ndal, por qytetari i hypën biçikletës dhe del nga porti.

 

SHOKU RAMIZ ALIA: Mori ndonjë masë komanda e Sigurimit në port para se të vinte qytetari ditën e nesërme?

 

SHOKU HEKURAN ISAI: Në këtë rast shumë të rëndë, duhej të shkonte vetë kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, shoku Agron, madje dhe shokë nga ministria.

 

SHOKU MANUSH MYFTIU: Qytetari e ka takuar dy herë ushtarin.

 

SHOKU RAMIZ ALIA: Ushtari e njoftoi përpara komandën për qytetarin që do të takohej me të. Ajo dërgoi për përforcim edhe një ushtar tjetër. Kurse organet e Sigurimit fjetën gjumë. Kjo është punë diletante e jo punë Sigurimi! Për këtë rast kaq flagrant, t’i duhej të shkoje vetë Hekuran ose ndihmësi yt, por rrini në qëndër!

 

SHOKU HEKURAN ISAI: U bë një pyetje, pse nuk janë hequr nga porti elementët negativë me vese të këqija? Këto dy vjet nga porti janë hequr 100 e ca element të këtillë, duke i sistemuar në punë të tjera. Po a ka të tjerë për të hequr? Midis 12.000 puntorëve që punojnë në port, mund të ketë prapë element negativë. Këto ishin pyetje që më përkisnin mua.

 

SHOKU RAMIZ ALIA: Tani e ka fjalën shoku Qirjako Mihali.

 

SHOKU QIRJAKO MIHALI: Shoku Rita, bën pyetjen çfarë përgjegjësie ndjej unë për këtë që ndodhi në Durrës.

 

Unë, si sekretar i parë i rrethit, kam një përgjegjësi shumë të madhe për këtë ngjarje të rëndë që ndodhi në Durrës. Ne kemi bërë analizë në byronë e Partisë së rrethit për këto problem dhe kemi nxjerrë dhe përgjegjësinë tonë. Nga analiza që u bë doli që puna e organizatave-bazë të Partisë nuk është në nivelin e duhur, problemet nuk shtrohen me këtë sens që po i diskutojmë sot. Përgjegjësia jonë qëndron në atë në byronë e Partisë së rrethit, më shumë kemi rrahur e diskutuar problem ekonomike, sesa problemet e ruajtjes së figurës morale të njerzve tanë. Organizatat bazë të Partisë në port, problemit të edukimit duhej t’i kushtonin një vëmëndje të veçantë, duke pasur parasysh që punonjësit atje janë përditë në kontakt me të huajt dhe nën presionin e tyre mund të bëjnë veprime të kundër-ligjshme e anti-socialiste.

 

SHOKU RAMIZ ALIA: Kam të dhëna që fëmijët e tu Qirjako, hyjnë në port lirshëm, marin varkat dhe dalin për gjah në det? Çdo njeri mund të hyjë në port, Qirjako?

 

SHOKU QIRJAKO MIHALI: Fëmijët e mi hyjnë me leje në port shoku Ramiz.

 

SHOKU RAMIZ ALIA: Po shoferi yt me leje hyn?

 

SHOKU QIRJAKO MIHALI: Me leje hyn shoku Ramiz.

 

SHOKU RAMIZ ALIA: Pse duhet hyjnë fëmijët e tu dhe të tjerët nga porti për të dalë në det për peshk ose për shëtitje? Porti është zonë kufitare?

 

SHOKU QIRJAKO MIHALI: Nuk ka hyrë njeri nga porti shoku Ramiz.

 

SHOKU AGRON TAFA: Unë e them me përgjegjësi që nuk ka hyrë njeri në port pa leje.

 

SHOKU RAMIZ ALIA: Po me leje kanë hyrë?

 

SHOKU AGRON TAFA: Me leje po.

 

SHOKU RAMIZ ALIA: Kush nga shokët e Komitetit Ekzekutiv dhe të Komitetit të Partisë të rrethit hyjnë nga porti për të gjuajtur në det dhe me ç’të drejtë?

 

SHOKU AGRON TAFA: Asnjë shoku Ramiz.

 

SHOKU QIRJAKO MIHALI: Kam hyrë unë shoku Ramiz.

 

SHOKU RAMIZ ALIA: Pse thua ti Agron, që nuk ka hyrë njeri?

 

SHOKU AGRON TAFA: Me përjashtim të shokut Qirjako, nuk hyrë njeri në port shoku Ramiz.

 

SHOKU RAMIZ ALIA: Ndërsa unë nuk përjashtoj asnjë njeri për zbatimin e rregullave të kufirit. Por unë di, që jo vetëm shoku Qirjako, por dhe të tjerë hyjnë në port. Shoferi shkon dhe prapa Qirjakos për të çuar diçka që i duhet. Ka vënde të caktuara për të dalë për peshkim në det, e jo të hyhet nga porti që është pikë kufitare. Nuk është mirë kështu Qirjako. Kushdo nga shokët e Byrosë dhe shokë të tjerë mund të dalin në det për peshkim, po pa thyer rregullat. Rregullat janë për të tërë njësoj, dhe duhet t’i zbatojmë të gjithë.

 

SHOKU QIRJAKO MIHALI: Këtu u bë nji pyetje, me ç’kritere merren në punë puntorët e marinarët. Ata që punojnë në zonën kufitare, siç është porti, duhet të kenë biografi të mirë, pra kriteri bazë është biografia. Po në ndonjë rast dhe na ka shpëtuar, sepse për puntorët nuk ka aq dokumente, siç ka për kuadrot. Siç tha dhe shoku Hekuran, sivjet u bë një studim i përgjithshëm për ndërmarrjet ekonomike që janë në zonën kufitare dhe në këtë kuadër, disa punonjës që ishin me biografi të keqe, i hoqëm nga porti. Shoqja Lenka thotë: pse nuk janë hequr të tërë? Nga 20 punonjës, që parashikohej të hiqeshin nga ndërmarrja e peshkimit, me studimin që u bë, u hoqën 13, pra kanë mbetur dhe 7 veta, pra nuk mund t’i heqim të tërë në nji kohë, jo për sentimentalizëm, por për të mos krijuar shqetësime e alarme në familje.

 

SHOKU RAMIZ ALIA: Në raport thuhet që pas ngjarjes që ndodhi, një djalë ishte futur në anijen “16 shkurti” e do të arratisej në Ravena të Italisë dhe asnjë nga organizatat – bazë të Partisë të anijeve, nuk ishte mbledhur për të nxjerrë konkluzione për këtë çështje. Pra organizatat e partisë presin udhëzimë.

 

SHOKU QIRJAKO MIHALI: Në organizatën – bazë të Partisë të anijes “16 shkurti” është bërë një analizë e veçantë për atë që ndodhi. Në atë mbledhje mori pjesë si i deleguar dhe sekretari i Komitetit të Partisë të rrethit. Konkluzionet e mbledhjes së organizatës – bazë të Partisë të anijes “16 shkurti” u janë dhënë edhe organizatave të Partisë të anijeve të tjera, që dhe këto të bëjnë analiza për punën e tyre. Deri më sot për këtë problem kanë bërë analiza 12 organizata – bazë Partie, ndërsa anijet e tjera janë jashtë.

 

SHOKU RAMIZ ALIA: Po në raport thuhet që: nga 16 organizata- bazë të Partisë që ka ndërmarrja e portit, vetëm dy prej tyre kanë bërë analiza për këtë problem.

 

SHOKU QIRJAKO MIHALI: Anija “16 shkurti”, është e Flotës Tregtare. Kurse në organizatën – bazë të Partisë të Portit, nuk është bërë analizë për këtë problem.

 

SHOKU SIMON STEFANI: Po brenda në port ndodhi ngjarja.

 

SHOKU QIRJAKO MIHALI: Në port ndodhi, po anija ishte e Flotës Tregtare. Prandaj analiza, në rradhë të parë, duhej bërë në organizatat e Partisë të Flotës Tregtare, se në anijen tregtare u fut personi që tentoi të arratisej.

 

SHOKU RAMIZ ALIA: Për ngjarjen që ndodhi në anijen “16 shkurti”, shoku Qirjako, u mjaftua me analizën që bëri organizata – bazë e Partisë dhe e latë punën me kaq. Kjo ishte një këmbanë ë fortë alarmi. Prandaj për këtë shoku Ferit Zeneli, duhej të kishit nxjerrë konkluzione për të tërë kufirin në port. Konkluzione duhej të kishte nxjerrë dhe Komiteti i Partisë i rrethit të Durrësit, Dega e Punëve të Brendshme, ashtu si dhe vetë Ministria e Punëve të Brendshme dhe jo të veproni si zjarrfiksat që shuajnë zjarrin aty ku bie dhe ikin. Por nuk e bëtë këtë gjë, ndaj ndodhi prap në anijen “Dukati”, akoma më rëndë.

 

SHOKU QIRJAKO MIHALI: Shoku Manush tha që peshkatarët tanë bisedojnë me peshkatarët italian në det dhe neve kjo nuk na bën përshtypje. Kjo nuk është e vërtetë. Ata peshkatarë që kanë bërë veprime të tilla ne i kemi hequr nga ndërmarrja e peshkimit dhe i kemi bërë problem në të tërë anijet e peshkimit. Jam marrë unë vetë me këtë punë.

 

SHOKU SIMON STEFANI: Nga kontaktet që kemi patur me sekretarët e organizatës-bazë të Partisë me komunistë, e nga studimi i protokolleve të mbledhjeve, rezulton që ky problem nuk është trajtuar nga ana juaj në atë masë që duhet.

 

SHOKU QIRJAKO MIHALI: Ky problem, shoku Simon, është trajtuar. Po grupi i punës që ishte ngarkuar nga Komiteti Qëndror i Partisë për të bërë studimin e dokumenteve e të protokolleve të mbledhjeve të organizatës të Partisë, nuk më ka takuar mua fare si sekretar i parë i rrethit dhe të më thoshte që kemi nxjerrë këto e këto problem. Kjo nuk më duket e drejtë.

 

SHOKU SIMON STEFANI: Grupi i punës ishte ngarkuar të m’i jepte mua të dhënat dhe jo ty.

 

SHOKU RAMIZ ALIA: Mos u shqetësoni shumë, Qirjako. Ja ku e kemi materialin. Në qoftë se ti nuk je dakord me ndonjë nga çështjet që ngrihen në të, ke të drejtë ta argumentosh.

 

SHOKU QIRJAKO MIHALI: Këtë po them dhe unë që, duke u takuar me mua, ndonjë gjë mund të sqarohej që atje dhe nuk do të bënim debate këtu. Në këtë kuptim e kam vërejtjen unë, shoku Ramiz. Shoqja Lenka pyet pse nuk janë hequr nga porti punëtorët me vese të këqija. Dis nga këta punëtor ne i kemi hequr dhe do të vazhdojmë të heqim dhe të tjerë, pra nuk mund t’i hiqnim të tërë në një kohë.

 

SHOQJA LENKA ÇUKO: Më shpejt mund të hiqeshin këta element, shoku Qirjako, që të mos ndodhte kjo që ndodhi tani. Po nuk është aty problemi. Fakti që po ndodhin gjithë këto fenomene negative në port, flet për atë që në Durrës nuk bëhet një punë intensive ideo-politike për edukimin e njerëzve, për rritjen e vigjilencës revolucionare në punë e kudo, që nga sekretari i parë dhe pesë sekretarët e Komitetit të Partisë të rrethit, pa përmendur kuadro të tjerë. Në Durrës kanë ndodhur disa raste të tilla. Në ditët e para të janarit njëri u fsheh në anijen e huaj për t’u arratisur, pastaj na doli që “ishte i dehur, i sëmurë”./Memorie.al