Tensionet në KZAZ/ Reagimi nga Presidenca: Po mbajmë shënim, forca të...

Tensionet në KZAZ/ Reagimi nga Presidenca: Po mbajmë shënim, forca të errëta …

358
0

Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi ka reaguar pas tensioneve në KZAZ në disa zona të vendit.

Përmes një postimi në Faceboko, ai shkruan: “Presidenti Meta vlerëson të gjitha institucionet që zbatojnë ligjin dhe i inkurajon që ta bëjnë këtë me përgjegjshmëri maksimale dhe transparencë të plotë.  Presidenti Meta mban shënim të gjithë personat që shkelin ligjin dhe provokojnë tensione artificiale, të cilat u shërbejnë vetëm atyre grupimeve të errëta vendase dhe të huaja, që kërkojnë destabilitet në Shqipëri dhe rajon, me qëllim defaktorizimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve”.

Këtë të hënë, në Tropojë është thyer një KZAZ, ndërsa në Shkodër ka pasur përplasje mes forcave policore dhe protestuesve, të cilët kërkojnë zbatimin e dekretit të Presidentit Meta për shtyrjen e zgjedhjeve. Meta rrëzoi me dekret 30 qershorin si datën e zgjedhjeve, por vendimi u injorua nga KQZ, përmes votës së katër anëtarëve socialistë në këtë institucion. Ndërkohë, kryebashkiakët e opozitës kanë kërkuar zyrtarisht KQZ-së dhe policisë zbatimin e dekretit të Metës dhe lirimi i ambienteve që po përdoren për veprimtarinë zgjedhore, meqë 30 qershori është rrëzuar.

Po sot, në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e KQZ-së paralajmëroi se personat që pengojnë ushtrimin e veprimtarisë zgjedhore të KQZ-së do të përballet me penalitete ligjore.

Në një dalje për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi u pyet nëse PD qëndron pas bllokimit të KZAZ-ve. Në përgjigje, Bardhi u shpreh: “Ka një dekretit të presidentit që detyron çdo institucion të ndërpresë çdo aktivitet që lidhet me organizimin e zgjedhjeve. Kryebashkiakët që kishin vënë në dispozicion ambiente që janë në administrim të tyre, në ushtrim të detyrës kushtetuese për të mbrojtur Kushtetutën dhe për të zbatuar dekretin e ligjshëm kushtetues të Presidentit të republikës kërkojnë lirimin e tyre”. Më tej, akuzoi kryeministrin Rama se ka kapur pushtet në vend.