Tensionet kanë përfshirë edhe Bashkinë e Kukësit, ku protestuesit kanë tentuar të bllokojnë mbledhjen e materialeve zgjedhore.
Mësohet se situata është tensionuar së tepërmi, duke bërë që në vendngjarje të mbërrijnë dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilat kanë përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, që nga ana e tyre kanë tentuar të thyejnë derën e godinës, ku ndodhen materialet zgjedhore.
Lidhur me situatën ka reaguar dhe kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehi, i cili i ka kërkuar policisë të mbështesë bashkinë, ndërsa iu ka bërë thirrje qytetarëve të vetëpërmbahen.
“Nuk mund të ketë zgjedhje pa dekret të presidentit dhe çdo veprimtari që po zhvillohet pas dekretit është e paligjshme. Kam kërkuar lirimin e ambienteve. Kërkoj nga policia zbatimin e ligjit dhe mbështetjen e bashkisë.
U bëj thirrje qytetarëve për vetëpëmbajtje. Situata është e acaruar. Ministri i Brendshëm të marrë masa për zbatimin e ligjit në krah të qytetarëve. I bëj thirrje OSBE/ ODIHR të mbajnë një qëndrim”, ka deklaruar Shehi.