Tenderi/ Nuk ndalet Erion Veliaj, 6 mln euro të tjera për “Fusha”...

Tenderi/ Nuk ndalet Erion Veliaj, 6 mln euro të tjera për “Fusha” shpk Nga Boldnews.al

624
0

Në këto të nxehta politike, Bashkia e Tiranës vijon të furnizojë me tendera të fuqishëm kompaninë “Fusha” shpk.

Pak ditë më parë, institucioni i drejtuar nga Erion Veliaj shpalli shoqërinë “Fusha” fituese të tenderit për “Rehabilitimin e Bulevardit Zogu I”, me fond limit 709 milionë lekë (rreth 6 milionë euro).

Në tenderin e hapur disa javë më parë morën pjesë 4 kompani. Në 10 qershor 2019, në Buletinin e Prokurimit Publik shpallet fituesi i këtij tenderi, kompania “Fusha”.

Formalisht, tenderi duket se është realizuar në rregull. “Fusha” shpk ka dhënë ofertën më të ulët, krahasuar me pjesëmarrësit e tjerë në procedurën e prokurimit publik, me vlerë 626 milionë lekë.

Por, oferta e dhënë nga “Fusha” përfshihet në ato që manualet ndërkombëtare të prokurimeve publike e konsiderojnë “me flamur të kuq”.

Vlera e dhënë nga “Fusha” shpk është më e ulët se 10 përqind e fondit limit. Në raste të tilla, ekspertët ndërkombëtarë të financiave mendojnë se tenderi mund të gjendet përballë dy pikëpyetjeve; ose vlera e fondit limit e përcaktuar nga institucioni është më e fryrë se sa çmimet reale; ose shërbimi i ofruar nga kompania fituese do të jetë nën cilësinë e kërkuar.

Referuar secilit prej këtyre varianteve, ky tender i zhvilluar nga Erion Veliaj duket i dyshimtë.

Ky rast nuk është i pari kur ngrihen dyshime për lidhje direkte mes kryebashkiakut të Tiranës, Veliaj dhe kompanisë “Fusha” shpk.

Rreth 3 vjet më parë, kjo kompani fitoi tenderin për ndërtimin e Sheshit “Skënderbej”, i cili, më shume se sa vend atraksioni, siç mundohet ta paraqesë Veliaj, në fakt është një parking i madh nëntokë.

Por, “kolpoja” më e madhe e “Fusha” shpk është arritja e miratimit të ligjit për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar.

Me ndërhyrjen e Erion Veliaj dhe kryeministrit Edi Rama, Parlamenti votoi vetëm me votat e maxhorancës atë që konsiderohet “ligji Fusha”.

Në bazë të këtij ligji, Parlamenti vendosi shkatërrimin e Teatrit Kombëtar, në qendër të Tiranës. Territori në atë zonë do t’i jepet kompanisë “Fusha”, e cila pritet të ndërtojë një kompleksh kullash shumë-katëshe.

Sipas projektit të Bashkisë së Tiranës, Teatri Kombëtar do të vendoset në pjesën e poshtme të një prej këtyre kullave, zgjidhje e cila konsiderohet e turpshme nga komuniteti i artistëve. Këta të fundit, prej shumë muajsh, zhvillojnë protesta të periodike kundër shkatërrimit të Teatrit Kombëtar. Deri më tani, kur kanë kaluar disa muaj nga miratimi i “ligjit Fusha”, ai nuk ka nisur të zbatohet, për shkak të rezistencës së artistëve.