Tefta Radi: Dita ime e fundit me Frankon

Tefta Radi: Dita ime e fundit me Frankon

432
0

Mbrëmjen e djeshme, miq dhe kolegë të Françesk Radit u mblodhën për të ndarë kujtime, rrëfime e emocione në programin ‘Soiree’. Pas shumë kohësh mungesë, në ekran u shfaq edhe Tefta Radi, bashkëshortja e kantautorit të ndjerë. Me lot në sy ajo rrëfeu se Franko i mungon shumë. “Takoj miqtë e Frankos që më rrinë shumë afër, takoj kolegët e mi, por Franko më mungon shumë”, rrëfeu gazetarja ikonë e radiotelevizonit shqiptar.

Ajo e kujton ditën e fundit me Frankon të lumtur, ashtu siç ishin të gjitha ditët e tyre, edhe pse mëngjesi tjetër nuk do t’i gjente më bashkë.

“Ishte e dielë, më kishte ardhur vëllai nga Australia, ishim në Petrelë në një zonë të bukur, drekuam me miqtë tanë, me Mark Lulin dhe bashkëshorten e tij. Ishte një ditë plot humor, plot batuta, sepse një nga të veçantat e Frankos ishte humori i tij, buzëqeshja e tij e ëmbël dhe humori me batuta që të bënte të flakje tej çdo lloj nervozizmi. U kthyem në shtëpi rreth orës 6. Pas gjysëm ore pushimi u fut në studion e tij. U ul për të punuar. Ishte duke përgatitur 5-6 këngë para se të largoheshim për në Australi në një recital që do t’i realizonte tek Alban Dudushi me tenorin Kastriot Tusha. Ishin këngë të zgjedhura, këngë të bukura, napoletane, për t’i pasur si kujtim dy miq. Kishim dy ditë që kishim filluar provat. Ndodhi ajo çudia që ndodhi. Punoi dy orë e gjysmë. Nga ora 9 u ulëm për të parë një koncert në ‘Rai’ në Arena di Verona, bëhej me gratë artiste italiane me Loredana Bertè etj dhe të gjithë fondet do të kalonin për gratë e dhunuara. Ishte koncert brilant. U kënaqëm dhe nga ora 1 ramë për të fjetur. Franko ra në gjumë dhe nuk u ngrit më”,ishte rrëfimi emocionues i Tefta Radit.