Teatri, Pedagogët dhe Ermal Meta! Nga Arian Galdini

Teatri, Pedagogët dhe Ermal Meta! Nga Arian Galdini

597
0

Më kujtohet sesi në fillimin e viteve ’90 ne të rinjtë e asaj kohe çmendeshim pas Jim Morrisonit dhe Nirvanave, etj, por nuk bënim më pak për Elton Dedën, Aleksandër Gjokën, apo djemtë e Ritfolk. Nuk kishim as para, as luks, as sajdisje e teknologji të lartë. Kishim ca salla të zgjyrta dhe bordurat e rrugëve për ti dëgjuar e për tu  marrosur me heronjtë tanë. Jeta jonë bëhej edhe më e bukur kur muzikën e dëgjonim nën avujt e kaçurrelit që mund të ishte konjak me lëng qershie për qullashët ose konjak me fërnet për shijetarët. Nuk me harrohen netët e gjata që kalonim me Ervin Hatibin dhe çunat e grupit të tij, me Saimir Brahon, Altin Gocin, Aleksin dhe të tjerët e Ritfolk, me Elton Dedën, Redon Makashin, Aleksandër Gjokën, nëpër zgëqet a bordurat e Tiranës, ku mjaftonte një kitarë e ca shishe me fërnet e konjak dhe ne të ndiheshim si pushtuesit e botës.  Recitonim poezi, këndonim këngë, kërcenim si të çartur në mes të rrugës dhe bënim edhe politikë. Po, po bënim edhe biseda të mëdha e të zjarrta politike.

Jo politikë partie. Jo.  Ne bisedonim për politikë sesi e donim ne Shqipërinë. Askush nuk kishte turp nga politika atëherë. Ishim ne djemtë e angazhuar në politikë që e kishim shumë për zemër që të kalonim kohë e për tu miqësuar me djemtë e artit. E nuk kishim as ne turp nga vetja e as djemtë e artit nuk e kishin për lodhje e bezdi të rrinin me ne. Liria dhe ëndrrat e dlira si qënie njerëzore por edhe dashuria për jetën, tjetrin dhe vendin, na bënin kaq të qashtër e të afërt me njëri – tjetrin sa ne të gjithë njëlloj e donim pothuajse si art, politikën. Arti ishte rrebelim, shpërthim, gjuha e shpirtit sesi duhej ta bënim vendin tonë. Arti nuk ishte i veçuar, ndarë apo i sikletosur për të qenë thelbësisht i përfshirë në çështjet e ditës në Shqipëri. Artistët flisnin fort dhe besoj kjo ishte edhe një nga arsyet pse kishte kaq shumë edhe përfshirje natyrale e të vetvetishme qytetare në sheshe e protesta. Edhe pedagogët, profesorët e akademikët gjithashtu nuk ishin kapsuluar në botët e tyre vetanake. Kishte plot pedagogë, profesorë, akademikë, artistë që edhe u bënë deputetë e ministra. Ajo Shqipëri ishte vërtetë skajshmërisht e varfër ekomomikisht, por nuk mund ta thuash dot këtë për shpirtin…Shpirti i shqiptarit të atyre viteve të para pas 1990-ës ishte kaq i pasur, kaq i çiltër, kaq i etur për tu rritur e mbushur me pafundësi, saqë nuk kishte njeri që nuk e besonte se në këtë vend, çdo mrekulli ishte e mundshme… Në fakt, mrekullia as që ndodhi e madje diçka djallosi çdo gjë e një thyerje e madhe   u shkaktua në mënyrë të pariparueshme.

 

Prej viteve të mbrapashta 1996 – ’97 – ’98, nuk ka më djem e vajza të politikës që rrinë çlirët e pa interesa me djemtë e vajzat e artit.

Prej këtyre viteve të liga e gjithë koha e mëpasme largoi dalëngadalë gati – gati të gjithë artistët, profesorët, pedagogët, akademikët nga politika, partitë, Kuvendi, ministritë.

 

Politika u dend me kaqola dhe artistët e intelektualët mbyllën gojën dhe u strukën në shenjtërinë e punëve të tyre.

 

Shumë nga ne djemtë e politikës me vitet që shkonin u krodhëm në llum e zgrapje pakufij.

U bëmë aq të fëllqët saqë për të mos u kuptuar shëmtia e jetëve tona, mbytëm me derte, halle, pavleftësi, frikë e varfëri jetët e shqiptarëve të mirë.

 

Piskama e Bujar Asqeriut sot nga korridori i Teatrit Kombëtar ishte ndoshta fotografia më e qëlluar e llumnajës ku ka rënë shoqëria jonë.

 

Ia lë Zotit, tha Bujari, sepse vete nuk kam çfarë tu bëj këtyre hajdutëve…

 

Teksa dëgjoja Bujarin, mu mbush kraharori me zjarr.

 

Doja ti këlthisja Bujarit dhe Arben Derhemit, Alfred Trebickës dhe Robert Ndrenikës e gjithë artistëve aty: Shpëtojeni Teatrin por shpëtoni dhe Shqipërinë….

A e kuptoni dot çfarë fuqie ka fjala juaj?

 

Jeni të vetmit që mund tu jepni zjarr kraharorëve tanë.

 

Askush tjetër nuk mund ta ndezë më këtë zjarr që e shuam dhunshëm ne djemtë e horriadës së politikës.

 

Vetë jam ndër të paktët djem të politikës që kurrë nuk kam patur asnjë pushtet a fuqi…

 

Kjo ka ndodhur ngase kam mbetur ai djali i bordurave dhe poezive tona kur rrinim bashkë.

Sidoqoftë ndihem fajtor.

Ndihem fajtor sepse nuk i ndala dot djemtë e politikës që u bënë djem të horriadës politike.

 

Prandaj e ndjeva dhimbjen deri në ashtë pas piskamës së Bujar Asqeriut, gjamës së Robert Ndrenikës dhe syve të shuar nga një dëshpërim i thellë të Alfred Trebickës dhe Arben Derhemit…

 

Dhimbje e tille e ka detyrim që unë të kërkoj të falur si djalë i politikës për të gjithë dështimin dhe terrin që pllakosën në këtë vendin tonë djemtë dhe vajzat e politikës që u bënë grykës të pashoqë, lakmitarë barbarë, e hajdutë e keqbërës të fëlliqët.

Ju kërkoj të falur sepse ne e bëmë Shqipërinë ku më shumë lexohet e flitet për botoksin dhe të brendshmet e këngëtareve ambulante, sesa për veprat dhe krijimtarinë e artistëve të mëdhenj që kemi mes nesh.

Ne artin e vërtetë e zhytëm në varfëri, e artin ambulant të  cicave e tallavasë, banalitetit e trollakërisë e ngritëm në kult dhe e peshuam me flori.

 

Ne bëmë përmbysjen e madhe kur një artist i madh mezi kalon muajin me rrogën modeste që merr, ndërkohë që artisët ambulantë të kotësisë paguhen miliona e nuk dinë çtë bëjnë me pasuritë e tyre të mëdha…

 

Faji është i yni, i neve djemve dhe vajzave të politikës.

 

Ne e kemi bërë këtê krim.

 

Ne i tradhëtuam poezitë dhe idealet e fillimviteve ’90.

 

Për këtë nuk rresht së kërkuari të falur.

Mund dhe duhej ta kishim ndalur këtë krim e poshtërsi që është bërë në dhe me këtë vend.

 

Gjithësesi, një kritikë e pezm e kam edhe me artistët, pedagogët, profesorët dhe akademikët tanë.

 

Vërtetë ne të politikës dështuam keqazi, po ju të mendjes e shpirtit ku ishit kur Shqipërisë i bëhej e po i bëhet gjëma çdo ditë?

 

Pse duhet të na e ndizni zjarrin në kraharor vetëm kur ju vjen e keqja tek TEATRI a Paga juaj?

Pse na e keni mohuar këtë zjarr në përditshmërinë tonë?

 

Një shoqëri ku artistët, pedagogët, profesorët dhe akademikët pajtohen me të keqen, anësohen apo veçohen për të mirën vetjake apo prej hallit vetjak, është shoqëri e dënuar me vdekje…

 

Flisni, protestoni për Teatrin dhe Pagat, por rikthejuni zjarrin shqiptarëve.

 

Mos heshtni, mos u riktheni në strukje  tuaj vetjake të nesërmen që do të fitoni Teatrin dhe Pagat.

 

Flisni dhe na e ndizni zjarrin në kraharor çdo ditë kundër çdo padrejtësie e të keqeje që ndodh në këtë vend.

 

Përndryshe, ne që në Shqipëri kemi Robert Ndrenikën dhe Ndriçim Xhepën, do vazhdojmë ti harrojmë këta gjigandë për tu marrosur pas breçkave e sytjenave të këngëtareve cicëmëdha dhe banalitetit të humoristëve torollakë.

 

Pastaj do fshihemi si skutha pas krenarisë për ndonjë shqiptar që ia del mbanë jashtë Shqipërie.

 

Në Shqipërinë që kemi bërë sot, ne e vrasim Moxartin që në djep…

Nuk e lëmë as të bëhet 3 vjeç që ti bjerë së paku 1 herë pianos…

 

Ama të gjithë jemi krenarë për Shqiptarin e Talentuar që një “Vend i Lirë” e mbështeti apo thjesht i krijoi a lejoi kushtet  të rritej dhe fitonte…

 

Në Shqipëri e katandisur si kjo robinë e sotme, ne adhurojmë, mbështesim e jemi krenarë për udhëheqës këllira, shpirtngushtë, mendjepakë e kaqola, plaçkitës e mediokër, mashtrues e keqbërës…

 

Ama të gjithë bëhemi krenarë për Shqiptarin që ia del në Itali.

Se po të kishte qenë këtu, ndoshta vetëm fatin e Nasit që shet shalqij do ti kishim dhuruar…

 

Unë ndihem i gëzuar, shumë i gëzuar për Ermal Metën…

Bravo i qoftë dhe Zoti i dhëntë veç shkëlqim e arritje sa më të larta…

 

Por nuk jam krenar me të…

 

Krenaria për dikë që ia del mbanë jashtë është përsëri pjesë e të njëjtit kompleks masiv që kemi ne…

 

U lëpijmë prapanicën atyre që janë të fuqishëm apo që ia dalin mbanë…

 

Do të doja shumë qĕ të mos jemi kaq prapanicëlëpirës…

 

Do të doja të jemi thjeshtësisht njerëz të mirë, të lirë e inkurajues për çdo njeri të talentuar që kemi pranë nesh e mes nesh…

 

A e dini se sa Ermal Meta mbysim ne krenaristët çdo ditë këtu me zemërngushtësinë tonë, me shpërfilljen tonë, me mosinkurajimin tonë, me dekurajimin tonë, me zilitë dhe xhelozitë tona, me grykesinë dhe lakmitarinë tonë?

 

Ja kjo është e vërteta…

Tani mund të them përsëri: Të lumtë dhe faleminderit Ermal Meta.

 

Mund edhe tu kërkojmë artistëve e intelektualëve tanë që ta shpëtojnë Teatrin e të luftojnë për pagat e tyre, por edhe zjarrin të na e ndezin në kraharor që të shpëtojmë së bashku edhe Shqipërinë.