Të varfër dhe jetimë, historia e trishtë e familjes në Zall-Bastar/Gjyshja: Nuk...

Të varfër dhe jetimë, historia e trishtë e familjes në Zall-Bastar/Gjyshja: Nuk ha bukë pa qarë!

521
0

Në njësia administrative Zall-Bastar pranë Tiranës banon familja Pëllumbi. Gjysha 69-vjeçare jeton me vajzën dhe 4 nipërit dhe mbesat e saj të mitur.

Mbesa më e madhe në moshë është Anjeza 12 vjeç dhe më i vogli Endri 6 vjeç. Në shtëpi nuk ka burra, kanë ndërruar jetë. Banesa e tyre është drejt shkatërrimit të plotë, madje duke u bërë e rrezikshme për ta.

“Unë kam katër fëmijët, burri im Flamuri ka ndërruar jetë para dy vitesh. Burri dhe babi më ka ndërruar jetë. Fëmijët e kërkojnë. Po çfarë të bëjmë. Veç dy gra jemi në shtëpi, unë punoj me tokë me lopë, jam 42 vjeç. Goca më e madhe është 12 vjeç. Burri u sëmur dhe vdiq dhe unë ngela me fëmijët, nuk më kanë lidhur as pension, ndonjëherë të afërmit me japin ndonjë ndihmë por ata kanë hallet e tyre. Jemi në dorën tuaj, në qytet jeta është më mirë për t’i edukuar fëmijët, nuk është si në fshat” thotë Emine Pëllumbi.

“Jam shumë e mërzitur, mua më ka vdekur edhe burri. Unë nuk dua asgjë për vetë, as bukë nuk ha pa qarë më parë, sa jetë e vështirë është. Për mua nuk ka diell, nuk shkoj në asnjë vend, nuk dal nga shtëpia. Unë jam e mbaruar dhe pa shpresë, ju lutem të mendoni për fëmijët” shprehet gjyshja

“Babi më mungon shumë por edhe gjyshi si babai. Shkojmë tek varri i babit dhe i gjyshit ndonjëherë. Unë ndihmoj mamin kur ajo shkon në punë. Por këtu na mungojnë gjëra, kur bie shi, shtëpia lëviz jemi pa energji elektrike” shprehet njëra nga vajzat.