Aktualitet

Të përpunosh ndjesinë për të zgjedhur pozitiven

By vizional

May 15, 2017

Intervistë me artisten Elina Duni në Londër

Nga Anila Kadija

Në The guardian të 20 dhjetorit 2012, kritiku Joan Fordham, shkruan për albumin Matanë malit (ECM) dhe Elinën: “Pas vitit 2004, Duni këndon në shqip dhe kjo gjuhë shndërrohet për të në frymëzim qendror. Meloditë ballkanike ofrohen me një përkushtim të tillë ku teknika bëhet përsosmërisht e përkryer, përrallore dhe krijon ngjashmëri stili me Norma Winston apo Sidsel Endresen”. Elina Duni, artiste jazzi, këngëtare dhe kompozitore shqiptaro-zvicerane, ka lindur në mars të vitit 1981. Vajzë artistësh, ajo e ka lënë Shqipërinë në moshën 10 vjeçe së bashku me nënën e saj dhe ka emigruar në Zvicër, ku ka vazhduar studimet më pas për muzikë klasike dhe jazz.

 

 

Anila Kadija: Ju shoh mes veglave muzikore. Janë miq të mirë?

 

Elina Duni: Janë më të mirët që kam ! Dhe për t’i specifikuar u kam vënë emra të përveçëm. Nuk është për t’u çuditur, ato jetojnë me mua dhe nuk ka si të jetë ndryshe. Marta është kjo kitara 65 vjeçare e ardhur nga Misisipi. Fizarmonika quhet Kampjoni i Botës dhe defi Myzafete. Më shoqërojnë, më duan, por as unë nuk ua kursej përqafimet. Kam një kontakt fizik të bukur me to.

 

Këndoni shpesh këngë të dëshpëruara, këngë vajtimi, femra i ka lotet ne sy?

 

Jo, unë nuk e pëlqej vajtimin. Njeriu ka momentet e tija të ndjesisë por mundohem ta përpunoj këtë ndjesi. Kam zgjedhur pozitivitetin. Nuk ka patos në krijimet e mija, ka vetëm jetë.

 

Çfarë ndieni kur këndoni shqip në skenat jashtë Shqipërisë? A është gjuha e mëmës rikthim në kujtime të bukura?

 

Unë dua të sjell të kaluarën apo rrënjët në një mënyrë aktuale, në një mënyrë që është bashkëkohore dhe pak ndryshe. Sepse të ribëj të njëjtën gjë si të tjerët nuk ka interes dhe nuk është më as koha. Duhet ditur se publiku i diasporës është një publik të cilit për shumë kohë i është shërbyer tallavaja ose vetëm një muzikë dëfrimi dhe ai ka shumë uri për diçka që ia mbush shpirtin. Pra unë i flas shpirtit, se nuk di të bëj gjë tjetër. Ndaj sa herë jam në skenë përballë çdo publiku mundohem të jem e vërtetë. Kur këndoj këngë të albumit Matanë Malit, kam për zemër këngët Kristal me tekst të Ismail Kadaresë dhe Kur të kujtosh, me tekst të Besa Myftiut, muzikën e të cilave e kam kompozuar vetë.

 

Edhe në këngën Pamundësi, teksti është shkruar nga nëna juaj Besa Myftiu, lidhje brezash për një stafetë nënë-bijë?

 

Më ka pëlqyer gjithmonë ajo poezi dhe më është dukur shumë bashkëkohore, megjithëse nëna ime e ka shkruar kur unë kam qënë shumë e vogël. Kjo poezi botuar në librin Miq të humbur është bërë pjesë e imja dhe unë mendoj se mund të më ndodhë diçka e tillë. Më janë zgjuar kujtime të mijat nëpërmjet këtij teksti të shkruar përpara shumë vitesh. Sepse ndjenja është universale. Koha nuk ndryshon asgjë nga çka provon njeriu në momente të caktuara: vdekja, lindja, dashuria, humbja mbeten njëlloj.

 

Keni shumë fansa? Si e mbani lidhjen me ta? A keni kohë t’i përgjigjeni të gjitha letrave, e-maileve, mesazheve?

 

Nuk e di a kam shumë! Letra nuk marr! Se sot askush nuk shkruan më letra. Zakonisht u përgjigjem të gjithëve. Për mua, (“attention”, thotë ajo me një frëngjishte të bukur – veçanti e saj) vëmendja ndaj njerëzve është shumë e rëndësishme. Se njerëzit janë e vetmja pasuri që kemi. Rrugëtimi që bëjmë me njëri tjetrin është e vetmja gjë që na lidh. Dhe unë nuk kam se si të jem indiferente. Këtu fillon dhe mbaron mirësjellja. Distanca është për njerëzit që nuk kanë forcë shpirtërore, për njerëzit të cilëve u intereson buja mediatike dhe kaq. Ata njohin vetëm formën e gjërave dhe jo përbërjen. Po të jesh i vërtetë nuk ke përse të snobosh, të injorosh. Vëmendja ndaj të tjerëve është ajo që të bën që edhe si artist në skenë të jesh i adhuruar nga publiku. Përse ne artistët nuk duhet të përgjigjemi me të njëjtën monedhë? Të tërheqim, por edhe të japim vëmendje.

 

Keni nxjerrë 5 albume. Çfarë keni në plan tani?

 

Jam duke përgatitur një solo mbi emigrimin apo më saktë shkuljen nga një vend, nga një dashuri, nga një familje. Bëhet fjalë për një projekt artistik të cilin e kam krijuar vetë; edhe tekstet vetë i kam shkruar, në frengjisht dhe në gjermanisht. Shfaqjen e kam prezantuar në Francë e në Zvicër dhe po vazhdoj ta jap. Këndoj në nëntë gjuhë të ndryshme dhe i bije kitarës, pianos, dajres.

 

 

Jeni poliglote…

 

Flas pesë gjuhë. Anglisht, Frëngjisht, Italisht, Gjermanisht dhe Shqip. Gjuhet ndihmojne per te qene nje mendje e hapur ne te gjithe momentet e jetes por une keshtu flas me publikun pa perfaqesuese. Eshte nje ndjesi e mrekullueshme te komunikosh vet, te dominosh thjesht e qarte skenes. Gjuhet jane pasuri personale qe te behen thesar ne profesion nje dite.

 

Në moshën 5-vjeçare keni pasur prezantimin e parë në skenën e Radio Televizionit shqiptar. Si vazhdoi ky rrugëtim më vonë?

 

Unë jam larg skenës shqiptare fizikisht. Promovoj veten nëpërmjet koncerteve dhe pastaj rikthehem në Zvicër. Turnetë kushtojnë dhe bëhen me fonde personale. Kam patur ndonjëherë ndonjë sponsor, por në raste shumë të veçanta, për shembull kur hapa Piramidën ku duhej rindërtuar skena . Por nuk kam patur asnjëherë ndihmë nga ministria apo ndonjë degë finance që mund të investojë mbi artistët që vijnë nga jashtë