DOSSIER

‘Te ne ndodhi ditën, në të kundërt do ishim shuar’! shkodranët tregojnë si mbijetuan tërmetit të ’79

By vizional

December 02, 2019

Tërmeti i vitit 1979, i rënë në Shkodër, shkaktoi një bilanc tragjik me 35 viktima, 176 të plagosur, 1730 shtëpi banimi të rrafshuara dhe 5115 banesa të tjera u dëmtuan duke u kthyer pjesa më e madhe në të pabanueshme.

Lagjja në hyrje të Shkodrës, “Bahçallëku”, por edhe fshati Pentar në Njësinë Dajç ishin ndër më të prekurit nga ai tërmet i fuqishëm prej 7.2 ballësh i shkallës riter, por me intensitet 9 ballësh sipas sizmologëve. Kështu, u bë një nga goditjet më të forta që asokohe Shqipëria kishte pësuar dhe nuk u përsërit për 40 vite, derisa ndodhi tërmeti i 26 nëntorit të këtij viti, duke krijuar një tjetër situatë tragjike si ajo e 40 viteve më parë. Dëshmitarët e tërmetit të vitit 1979 janë të shumtë dhe ata i kujtojnë çastet e tmerrshme që kanë përjetuar nga ajo goditje e fortë. Ishte ditë e diel e 15 prillit të vitit 1979.

Shumica e njerëzve krejt të shkujdesur ose po pinin kafen e mëngjesit, ndërsa një pjesë e mirë ishin nisur drejt punës të thirrur për aksion nga shteti i atëhershëm. Qëlloi Festa e Pashkës dhe regjimi, për të mos lejuar që askush të mos festonte, i dërgoi njerëzit për të punuar, siç ndodhte zakonisht në raste festash. Një dridhje marramendëse nga nëntoka në 07:20 të mëngjesit rrafshoi në pak sekonda kulmet e çative. Ishte pikërisht tërmeti. Instituti Sizmologjik regjistroi intensitetin 9 ballë. Megjithëse me epiqendër Veriun e Shqipërisë, valët e tij u ndien fort deri në Tiranë e më poshtë.

Por më shumë se kudo, këto lëkundje u ndjenë në zonën e poshtme të lumit Buna. Lagjja “Bahçallek” do të ishte ndër më të goditurat bashkë me fshatin Pentar të Njësisë Dajç. Sheoki Zeneli, 69 vjeç, është banor i lagjes “Bahçallek”. Kur ishte 29 vjeç, ai ka përjetuar tërmetin e fuqishëm të mëngjesit të 15 prillit 1979 në Shkodër. Goditjet e para kanë ardhur në orën 07:20 të mëngjesit, ndërsa ishte nisur për në punë në aksion. Sheoki Zeneli tregon se si ndërtimi i të gjithë shtëpive u bë në harkun kohor të tre muajve me kontribut vullnetar, ndërsa rrëfen se si u kthye dhe shpëtoi nipin e tij që e gjeti mes rrënojave të shtëpisë.

SHEOKI ZENELI

“Në 15 prill 1979 ra tërmeti. E ka tundur mirë zonën tonë aq sa ka bërë që të dalë uji në sipërfaqe. Ka qenë një lokal në lagjen tonë dhe aty është hapur toka rreth 25 centimetër dhe e mbuloi uji atë vend. Unë kam qenë duke shkuar në punë. Në atë kohë isha 29 vjeç. Janë bërë shumë dëme të konsiderueshme, kanë vdekur disa, por unë mbaj mend një nxënës këtu afër, i cili nuk mundi të dalë dhe është një ngjarje që asokohe na ka prekur shumë. I rrëzoi të gjitha shtëpitë.

Ne kishim shtëpinë me dy kate dhe e rrafshoi totalisht, edhe pse ishte me mure guri 70 centimetër, por e rrëzoi pa pyetur fare, pavarësisht se kishim ndërtesë të fortë. E kujtoj shumë mirë atë ditë, u bë një katastrofë e madhe ashtu siç ka ndodhur tani në Durrës dhe Thumanë. Atëherë kishte më pak banesa dhe ndoshta nuk mund të krahasohen, por edhe atëherë ishte shumë i fortë. Pas tërmetit, shteti atëherë solli vullnetarët nga e gjithë Shqipëria dhe u ndërtuan banesat e reja për gjithë ne të prekurit nga tërmeti i 1979. Shtëpia ime u bë edhe njëherë dykatëshe, siç e kishim dhe shumë më e fortë për t’u rezistuar goditjeve të tjera të tërmetit. Një gjë kujtoj që më ka bërë përshtypje, vetëm një shtëpi ka qëndruar pa u rrafshuar e Jup Smajlit, sepse ishte bërë e re dhe vetëm ajo ka shpëtuar sepse gjitha tjerat u shembën.

 

Kur po shkoja në punë, isha në autobus, ishte ditë e diel, kur papritur u tund fuqishëm autobusi që po shkonim në punë dhe në lagjen ‘Xhabiej’ u ulëm menjëherë në tokë. Ishte mëngjes dhe sapo kisha dalë nga shtëpia. U kthyem me shpejtësi aq sa mundëm dhe e pashë shtëpinë të rrëzuar. Kisha nipin brenda, që sot është në Amerikë. Kam hyrë në rrënoja e mora nipin dhe pastaj jam hedhur nga një lartësi bashkë me nipin për ta shpëtuar. Pas atij tërmeti, shtëpitë u ndërtuan për 3-4 muaj edhe njëherë nga vullnetarët”. Në tetor të vitit 1979, 6 muaj pas tërmetit që rrafshoi gjithçka, u ngrit një obelisk në lagjen “Bahçallëk” të Shkodrës në nder të viktimave dhe të plagosurve nga tërmeti, por edhe në nder të mijëra vullnetarëve nga e gjithë Shqipëria, që erdhën dhe ndërtuan të gjitha shtëpitë brenda 3-4 muajve përmes kontributit vullnetar.

Nezir Kraja, 73 vjeç, mësues i letërsisë, i dalë në pension, është një tjetër dëshmitar i atij tërmeti të tmerrshëm të 15 prillit, ndërsa tregon se po punonte bashkë me të vëllain në bahçe dhe se si mbesa e tyre 11-vjeçare, që tërmeti e zuri brenda, arriti të dalë e vetme nga shtëpia e rrënuar, sepse kishte qëndruar nën tavolinë pa lëvizur. Shtëpia e Nezirit ishte e rrethuar me hardhi. Pas goditjeve të fuqishme, vëmendja e tij ishte përqendruar në pritjen e dhimbshme të rënies së mureve të saj. Për disa çaste ndjeu frikë për anëtarët e tjerë të familjes.

NEZIR KRAJA

“Ishte 15 prilli i vitit 1979. Të gjithë njerëzit ishin njoftuar për të dalë në aksion, siç ka qenë asokohe. Ora ishte 07:20 e mëngjesit dhe unë isha bashkë me vëllain duke punuar në bahçe. Papritur dëgjuam një si uturimë nga gryka e lumit Drin dhe filloi një si erë e fortë dhe jo e zakonshme për ne. Nuk shkoi shumë dhe u dëgjua tërmeti. Duke qenë se ishim jashtë bashkë me vëllain, e ndjemë ndoshta pak më lehtë sesa ata që ishin brenda në shtëpi. Kemi pasur një shtëpi të lidhur me hardhi rrushi në faqatët e murit dhe po prisnim se çfarë do të ndodhte.

Prisnim që faqata e murit të binte jashtë dhe të shembej. Shtëpia u prish në disa pjesë, por ajo që na shqetësoi nuk ishte shtëpia, por fakti që brenda kishim mbesën tonë, sepse në të tjerët ishim jashtë. Mbesa qëlloi në dhomën e tretë të shtëpisë sepse ajo godinë e jona kishte tri dhoma njëra pas tjetrës. Ka qenë duke ngrënë dhe është futur menjëherë nën tavolinë sepse nuk dinte se çfarë po bëhej. Fatmirësisht, atëherë kur është dashur të mos lëvizte, nuk ka lëvizur dhe ka qëndruar nën tavolinë. Shtëpia është prishur.

Papritur mbesa doli nga tavolina dhe nuk po shihnim mirë sepse kishte një shtëllungë të madhe tymi, sepse shtëpia ishte prishur dhe me intuitë mbesa synon që të dalë në drejtim të derës së shtëpisë. Nëna e saj tenton që të futet brenda për të marrë vajzën duke thënë se kam vajzën dhe ma ka zënë shtëpia. Ne nuk e lëmë nënën e vajzës që të futet brenda dhe fatmirësisht mbesa doli vetë pa pësuar dëme. Në ato momente dëgjuam zërin e një gruaje, që e dinim se është vetmuar. Thërriste emrin e djalit të saj, Edi, Edi, gjithë kohën sepse ishte plagosur. Ne shkuam aty dhe nisëm ta ndihmojmë sepse djali ndodhej nën rrënoja. Arritëm ta nxirrnim dhe dikush e hipi në një makinë dhe e dërguan menjëherë në spital dhe fatmirësisht shpëtoi”. /Balkanweb