Aktualitet

Të ndalim pandeminë e emigrimit

By vizional

March 11, 2024

Me Shqipërinë që u bë një destinacion i preferuar turistik dhe mirëpriti gati 5 milionë të huaj vetëm në korrik-shtator, pritshmëritë ishin të larta për ekonominë në tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Rezultatet ishin paksa zhgënjyese.

Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 3.46%, pothuajse në të njëjtat nivele me tremujorin e mëparshëm. Konsumi final i popullatës shënoi zgjerim prej vetëm 2%, që ishte niveli më i ulët që nga koha e pandemisë. Shpjegimi i parë për këtë rezultat të dobët ishte informaliteti në turizëm. Faktori i dytë që ndikoi ishte rënia e konsumit vendas, si rrjedhojë e fluksit të lartë të emigracionit të viteve të fundit. Imagjinoni që ikja e shtetasve vendas ka qenë aq e lartë, saqë nuk është arritur të amortizohet nga një fluks rekord turistësh! Pas përfundimit të pandemisë shëndetësore filloi një tjetër pandemi, ajo e emigrimit. Tendenca, në fakt, nuk është e re. Që pas vitit 1990, mijëra vetë u larguan në kërkim të një jete më të mirë. Vala e parë e emigrimit nuk u ndie aq shumë në ekonomi për disa faktorë.

Së pari, vendi kishte një popullsi të re. Mosha mesore e vendit (që e ndan popullsinë në dy gjysma të barabarta) në atë periudhë ishte 24 vjeç. Vendi ishte i varfër dhe emigrimi ndikoi pozitivisht. Remitancat që sollën të ikurit u bënë një burim i rëndësishëm i konsumit, së bashku me investimet dhe njohuritë që sollën të kthyerit. Më se 30 vjet më pas, Shqipëria nuk është ajo e fillimit të ’90. Shumë gjëra kanë ndryshuar për mirë, si për imazhin, ashtu dhe për cilësinë e jetesës e nivelin ekonomik. Por, shqiptarët sërish duan të ikin. Pas një vrulli të fortë në vitin 2022, kur kërkesat për azil ishin më të lartat që nga 2016-a, rimet u dukën se u ndalën pak në 2023.

 

Kjo zgjati shumë pak. Kërkesat për azil, treguesi i parë i ikjes, u rritën sërish në muajt e fundit të 2023, sipas Eurostat. Një tjetër tregues i fundit, ai i dhënies së shtetësive, bën të ditur se numri i tyre u rrit me 55% në 2022, duke arritur nivelin më të lartë që nga 2017-a.

 

Në total, në 20 vitet e fundit, janë dhënë rreth 600 mijë shtetësi për shqiptarët në një nga vendet e BE-së, shifër që është sa 22% që deklarohet që jeton në vend (Rezultatet e Censit në qershor do të japin shifrën e saktë të popullsisë së mbetur).

 

Kjo valë e re emigrimi po rezulton shumë e dëmshme për ekonominë. Vendi është “plakur” dhe nuk e ka më atë energjinë e fillim ’90-s. Emigracioni, ndryshimi i stilit të jetesës dhe rënia e lindjeve kanë bërë që mosha mesore po arrin në 39 vjeç.

 

Eurostat bëri të ditur së fundmi se Shqipëria, ndonëse ende relativisht e re në raport me vendet e zhvilluara, po plaket dy herë më shpejt sesa Europa. Kombet e Bashkuara parashikojnë që në vitin 2100, Shqipëria pritet të ketë popullsinë më të plakur në botë.

 

Bizneset i kanë harruar të gjitha telashet e tjera dhe nuk ankohen më për tatimet e doganat, por për mungesën e punonjësve. Nuk ka sektor të ekonomisë që të mos jetë i prekur, jo vetëm në gjetjen e fuqisë punëtore, por dhe te konsumi.

 

Bizneset po frenojnë planet e tyre për zgjerim apo investime. Operatorët e turizmit, që sërish presin një lulëzim të të huajve edhe këtë vit, nuk e dinë se si do të arrijnë të akomodojnë kërkesat e turistëve. Bujqësia kishte rritje negative në tremujorin e tretë, pasi nuk po mbeten më njerëz të punojnë tokat apo të ruajnë bagëtinë dhe prodhimet e importit po mbysin tregun.

 

Rritja e produktivitetit, domosdoshmëri, tashmë që po ndryshon struktura e ekonomisë dhe kostoja e fuqisë punëtore, nuk është më avantazh, do të jetë e pamundur të arrihet pa një treg dinamik pune.

 

Qeveria është më e qetë dhe akoma që emigracioni është kthyer në një shqetësim serioz, pasi kjo është një tendencë normale në të gjithë botën. E vërtetë, kudo ikin, proces që nuk e ndal dot, por ritmi me të cilin po ikin është shumë i lartë për madhësinë e ekonomisë vendase dhe pritet të shkaktojë zhbalancime të mëdha në të ardhmen në tregun e punës, nga tendencat e konsumit deri te skemat e pensioneve.

 

A mund të ndalen flukset e larta të emigracionit?! BERZH tha së fundmi se qeverisja e dobët është një shtytës kryesor i emigrimit. Së dyti, vetë modeli ekonomik ka promovuar punët e paguara pak. Për fat të mirë kjo e fundit po ndryshon si nevojë e vetë tregut. Bizneset kanë filluar të reflektojnë, në drejtim të pagave, praktikave të motivimit, etj.

 

Ky është një proces afatgjatë dhe do të kërkojë kohë që të arrijë një ekuilibër të ri. Bizneset, si gjithnjë, do të ecin me ritme më të shpejta. Qeveria, së pari, duhet ta pranojë që kjo pandemi mund të bëhet vdekjeprurëse për ekonominë dhe të fillojë të kërkojë sa më shpejt për kurat./ Revista “Monitor”