Lajme

Të mërkurën “vjen” pranvera

By vizional

February 24, 2019

Ky është parashikimi nga meteorologët, ndërsa Shqipëria që pas mesnatës të së premtes është goditur nga masa ajrore të Rrethit Polar. Sipas parashikimit ditët e ftohta do të zgjasin deri të martën. Ndërkohë në Qarkun e Korçës reshjet e dëborës u ndërprenë, por termometri gjatë natës ka qenë në minus 11 gradë Celsius. Sipas Autoritetit Rrugor, në këtë qark lëvizja bëhet pjesërisht me zinxhir në akset Qafa e Qarrit Korçë-Ersekë, si dhe në rrugën e Dardhës. Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve edhe në kilometrat e fundit të aksit Ura e Cerenecit-Steblevë. Si pasojë e motit të keq me erëra të forta vijon të ketë probleme në rrjetin elektrik. Shkodra dhe rajoni i Burrelit janë më të prekurit, ku rreth 50% e fiderave janë stakuar për të parandaluar defekte të mundshme në rrjetin shpërndarës. Të shtunën moti i keq shkaktoi edhe dy viktima. Dy të rinj gjetën vdekjen në fshatin Buzhalë të Pukës. Ata u rrëzuan në një greminë dhe shkak dyshohet se është bërë era e fortë. Po ashtu si pasojë e erës, 4 kamionë të tonazhit të rëndë u përmbysën në aksin Lezhë-Milot, por fatmirësisht pa pasoja në njerëz.