“Të gjitha institucionet janë në këmbë, asnjëri nuk është vetëm”, Veliaj viziton...

“Të gjitha institucionet janë në këmbë, asnjëri nuk është vetëm”, Veliaj viziton familjet e prekura nga tërmeti në Farkë

205
0

Menjëherë pas mbledhjes së djeshme të Këshillit Bashkiak, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizitoi disa nga familjet e prekura më rëndë nga tërmeti i fundit, të cilat janë strehuar përkohësisht nëpër çadra pranë banesave të tyre të pabanueshme. Teksa vizitoi familjen me 5 anëtarë të Ilir Drizës në Farkë të Madhe, Veliaj siguroi se Bashkia e Tiranës do të rindërtojë të gjitha banesat e dëmtuara, ndërsa për ato me dëmtime të pjesshme do të bëhen dëmshpërblimet përkatëse.

“Kolegët e Bashkisë së Tiranës, anëtarët e Këshillit Bashkiak dhe i gjithë stafi drejtues, do ta gdhijnë sot, ose në qendra sociale, ose duke qenë pranë komunitetit, ose duke bërë një skanim të dëmeve që kemi pasur në zonat rurale, kryesisht periferike. Shtëpia e Ilirit është goditur edhe nga tërmeti i parë. Teksa kishim përgatitur një dëmshpërblim për dëmet e tërmetit të parë, erdhi i dyti që e bëri situatën edhe më keq. Na duhet të shtojmë numrin e shtëpive që do të bëjmë nga e para. Siç filluam edhe me komshinjtë e tjerë, të cilëve iu prish shtëpia dhe e bëmë nga e para, kështu do t’i bëjmë të gjitha”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se grupet e punës janë në terren dhe po bëjnë menaxhimin e të gjitha rasteve. Ai u shpreh se Tirana do të rikuperojë në kohë rekord dëmet e shtëpive. “Do të shkojmë në të gjitha vendet ku ende nuk kemi çuar çadrat dhe ende nuk kemi bërë një kontroll fizik. Besoj se deri sa të gdhihet mëngjesi do të kemi bërë një kontroll fizik në të gjithë territorin. Halli i Tiranës, që ka vetëm dëme materiale, nuk i ngjan kurrë hallit të Durrësit e Thumanës. Megjithatë, edhe pse fatmirësisht Tirana shpëtoi nga humbjet në jetë njerëzish, nuk do të thotë se nuk duhet të rikuperojmë në kohë rekord gjithë humbjet e shtëpive apo gjithë dëmet që janë bërë në prona”, tha ai.

Veliaj u shpreh se puna do të vijojë edhe për dëmshpërblimin e familjeve të prekura nga tërmeti i parë, përmes dhënies së dëmshpërblimeve. “Siç miratuam 507 dëmshpërblime, do të vazhdojmë me një 500-she tjetër, pra, ato që kanë dëme të vogla dhe sidomos në hapësirat e qytetit. Për ata që kanë dëme të mëdha, edhe me donatorët, siç e bëmë me 50 shtëpitë e para që arritëm të ndërtonim pas 21 shtatorit, ashtu do të vazhdojmë edhe me shtëpitë e tjera. Dua që Ilirit, përveç ushqimet, batanijet, çadrat dhe gjithë mbështetjet e tjera, t’i fillojmë letrat për donacione dhe për ribërjen e shtëpisë së re, që të sigurohemi se ringrihemi në këmbë nga ndoshta fatkeqësia më e madhe që na ka ndodhur në vitet e fundit”, deklaroi kryebashkiaku.

Sipas tij, shteti është në këmbë, duke filluar nga kryeministri e deri tek fadromisti, të cilët po japin ndihmën e tyre për kalimin e situatës emergjente.