
Kreu i qeverisë, Edi Rama tha se nuk ka një datë të sigurt për vendimin e hapjes së vendit dhe se kjo nuk ishte një luftë me ikjen e gjermanit të fundit. Në një bashkëbisedim në Facebook, numri një i Partisë Socialiste tha se të parët që do të hapen janë dyqanet dhe njësitë e vogla tregtare, por me masa të rrepta. Duke e konsideruar një proces gradual, Rama nënvizoi se do të ashpërsohen masat në Kodin Penal dhe atë Rrugor.
PRONONCIMI I RAMËS NË FACEBOOK
“Rihapjen do ta konceptojmë si proces gradual. Pjesë, pjesë. Kjo nuk është një luftë që ne imagjinojmë si ditën kur largohet gjermani i fundit dhe ne do këndojmë himnin kombëtar dhe do përqafohemi. Kjo është një luftë që do të vazhdojë më gjatë se fundi i saj i dukshëm. Do të na duhet për një periudhë kohë të bashkëjetojmë me epideminë ose më sakt me hijen e saj, duke na detyruar të vendosim dhe të respektojmë disa masa që do na duken absurde.
Do të vendosim masa që kanë të bëjnë me hapjen, por me masa shtrënguese shumë të forta. Nëse themi se do të lirojmë të gjitha automjetet private për punë, do vendosim edhe masa shtrënguese që në qoftë se automjetin privat për punë dhe e përdor për diçka tjetër do të humbësh lejen e drejtimit, automjetin për vite, përveç se mund të paguash edhe gjobë, mund të përfundosh edhe në burg.
Për fat të keq, në Kodin tonë Penal kemi vetëm karantinë për kafshët. Nuk kanë menduar se çfarë duhet bërë kur një epidemi prek njerëzit. Për këtë arsye, do t’i drejtohemi Parlamentit për ndryshime në Kodin Penal dhe Rrugor që i hapin rrugën një korrnize të qartë penale në mënyrë që masat të respektohen.
Nëse do të shkojmë drejt hapjes të të gjitha njësive tregtare, të biznesit që nuk janë njësi brenda një qendre të madhe tregtare që do të jenë të fundit pasi ka grumbullimet të mëdha, sigurisht do të kemi rregulla strikte si maskat, dezinfektantët. Këto janë të gjitha rregulla që duhet të respektohen.
Të gjitha ata që kanë dyqane të mbyllura të përgatiten që të kenë masa mbrojtëse dhe të jenë gati kur të fillojnë punën. Ashtu sikundër këmbësorët. Nëse do të hapin fashën orare dhe do ta hapim së shpejti, atëherë këmbësorët do të penalizohen jo më një kundravjatje të thjeshtë, por kundravjatje penale me gjobë ose heqje lirie.
Të gjithë ata që do hyjnë në listën e shkelësve do të lënë lejen e drejtimit, qofshin këmbësorët ose shoferët. Kush thotë se ç’është kjo, u them mos u lodhni fare të kundërshtoni. Mjafton të shikoni në anën tjetër. Italianët e vunë këtë kornizë. Nuk them se e morën nga ne po e vunë. Të të dhembi deri në fund. Nuk mund të dalësh në rrugë dhe të kërcënosh gjithë lagjen dhe t’ia hedhësh me një gjobë.
Të gjitha këto masa do të jenë aktive duke filluar nga java e ardhshme. Do të shkojnë në Parlament për të ndryshuar Kodin Penal dhe Rrugor, pastaj të gjitha do të jenë të zbërthyera. Për popullin nuk ka gjoba dhe ndëshkime.
Gjobat dhe ndëshkimet janë për ata që shqetësojnë popullin dhe vënë në rrezik jetën e njerëzve. Ti nuk mund të më vish mua me Covid në krah dhe të më sjellësh mort, larg qoftë, në familjen time.”