Lajme

“Surrealizmi arkitekturor i politikës”- Fuga: Deklarata e Ramës për teatër të ri, çvendosje e çështjes që na merr për budallenj. Premtimi i Bashës për ndërtimin e të vjetrit…

By vizional

May 18, 2020

“Surrealizëm arkitekturor të politikës” i ka konsideruar Akademiku Artan Fuga deklarata e Ramës për ndërtimin e një teatri të ri dhe premtimin e kreut të PD-së, Lulzim Basha se do të ndërtojë siç ishte godinën e vjetër kur të vijë në pushtet. Me një shënim në facebook, Fuga argumenton se deklaratat e Ramës për ndërtimin e një teatri të ri, “të pëlqyeshëm nga të gjithë” është një “çvendosjeje e çështjes që na merr për budallenj”, pasi kjo nuk do të mbulonte “krimin e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore”. “Në shekuj nuk do të shlyhet nga ndërgjegjja e kombit! Ndërtesa e re do të jetë pikërisht monumenti i memories kolektive për atë krim kulturor që u bë aty! Ate funksion do të ketë!”, thotë Fuga.

Ndërkohë, premtimin e  Bashës, Akademiku e konsideron të paplotë dhe në ajër, teksa thotë se nuk shpjegohet se çfarë do të ndodhë me ndërtesën e re që do të ndërtohet.

“Sipas filozofisë dy objekte nuk mund të qendrojnë njëkohësisht në të njejtën hapësirë. Kjo mund të ndodhi vetëm në ëndrra, por në realitet jo!

Apo do t’i kemi cip mbi cip dy teatrot, njeri mbi tjetrin, si thagmë e skizofrenisë politike shqiptare, një vepër madhore arti e jetës sonë?“, shkruan Fuga.

Postimi i plotë:

Surrealizmi arkitekturor i politikës !

Zoti Rama thotë se do të ngrejë ndërtesën e re të Teatrit që do t’a pëlqejnë të gjithë!!!

 

Por problemi nuk ishte fare ky. Krimi i shkatërrimit të trashëgimisë kulturore të kombit u bë dje në mes të ditës, në sytë e gjithë planetit. A është i sigurt se këtë tragjedi e kanë pëlqyer të gjithë?

 

Eshtë njësoj sikur ata që prishën monumentin gjigand mijevjeçar të Budës, të thonin :

 

C’farë keni ju në vend të tij do t’u bëjnë një hologramë me teknologji të lartë!!!

 

Ose kur u dogj një pjesë e Katedrales të Parisit autoritetet të thoshin :

 

Ta shkatërrojmë këtë vjetërsirë mesjetare obskurantiste dhe në vend të saj do të keni një Katedrale High Tech!!!

 

Cfarë çvendosjeje e çështjes që na merr për budallenj! Krimi i shkatërrimit të trashëgimisë kulturore është i pashkrueshëm!

 

Në shekuj nuk do të shlyhet nga ndërgjegja e kombit!

 

Ndërtesa e re do të jetë pikërisht monumenti i memorjes kolektive për atë krim kulturor që u bë aty! Ate funksion do të ketë!

 

Atë nuk na e ngushëllon dot tani pas prishjes as zoti Basha kur na thotë se kur të jetë Kryeministër do t’a rindërtojë Teatrin siç ka qenë! Mobilizimi qytetar mbarëkombëtar duhej bërë para dhe jo pas prishjes!

 

Tani e ka marrë ferra uratën!

 

Interesante ideja për ta ribërë sikurse ishte Teatrin!

 

Por njëkohësisht bashkë me premtimin solemn zoti Basha duhet të na thotë që çfarë do të bëjë me ndërtesën ndofta gjigande me beton, xham, mermer që pa shije dhe e njollosur me krim do të jetë ngritur atje!!!

 

Mos t’i lejë gjërat në ajër, përgjysëm!

 

Do t’i vejë dinamitin?

 

Sepse sipas filozofisë dy objekte nuk mund të qendrojnë njëkohësisht në të njejtën hapësirë.

 

Kjo mund të ndodhi vetëm në ëndërra, por në realitet jo!

 

Apo do t’i kemi cip mbi cip dy teatrot, njeri mbi tjetrin, si thagmë e skizofrenisë politike shqiptare, një vepër madhore arti e jetës sonë?

 

Apo ndërtesat do të jenë të ndërfutura njera brenda tjetrës!!! Si kukullat matrioshka ruse!

 

Apo ngjit e ngjit një teatër me dy koka si shqiponja e flamurit?

 

Një teatër për popullin demokrat dhe patriot dhe një teatër për socialistët dhe G99!!!

 

Se me thënë të drejtën, socialistë apo demokratë, kemi edhe një farë të drejte që politikat të na trajtojnë si qenie me arsye jo si kalamaj që mund t’u thuash çfarë të duash!

 

Minimalen po kêrkojmë! Sa për një copë bukë!