Aktualitet

Superaksion për bixhozin e paligjshëm, mbi 115 të arrestuar, në pranga Gramoz Murataj dhe vëllai i kryetares së KPA, sekuestrohen 17.2 mln lekë dhe kompjutera (EMRA+VD))

By vizional

February 21, 2020

SHQIPERI–Forcat RENEA, Njësia Shqiponjat, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe OFL-ja kanë goditur dje  lokale, biznese, pika shitjesh që ushtronin aktivitet të paligjshëm në fushën e vendosjes së lojërave të fatit dhe basteve online.  Dosja.al ndoqi minutë pas minute operacionin që u shtri në 8 qarqe, në kohën kur luheshin ndeshjet e Europa League. Durrësi, Shkodra, Tirana, Elbasani e Vlora kanë qenë pikat e ‘nxehta’ ku autoritetet kanë ushtruar kontrolle. Në total, janë arrestuar 115 persona, mes tyre disa menaxherë të këtyre pikave si dhe biznesmenë.  Në prangat e policisë kanë rënë Gramoz Murataj dhe Ervis Mulaj, ky është vëllai i Natasha Mulajt, kryetares së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Të njëjtat burime bëjnë me dije 20 persona janë shoqëruar në Tiranë, 100 në Elbasan dhe 64 në Durrës.

 

Të arrestuarit e tjerë janë: Isuf Tato, Ervin Frashëri, Igli Oboni, Denis Hysko, Erdian Myftari.

 

Kontrollet masive janë kryer në lokale të shumta në kryeqytet dhe qytete të tjera, dhe janë sekuestruar në total 172 milion lekë të vjetra, 40 kompjuterë, 60 DVR, 245 aparate celular, një numër i konsiderueshëm televizor plazma, blloqe shënimesh që shërbejnë për vendosjen e basteve, kasa fiskale, një armë zjarri pistoletë.

 

Rezulton se metodat janë sofistikuar, pasi bastet vendosen me celularë online në kompani që ndodhen jashtë vendit dhe paratë qarkullojnë nëpërmjet kompanive që merren me transferta monetare. Policia ka sekuestruar një numër celularësh të cilët po analizohen nëse në to janë vënë baste online. Çdo skutë, makinë, ambient i dyshuar apo lokal janë kontrolluar imtësisht nga duart e uniformave policore që zbarkuan në terren.

 

 

Mbrëmbjen e djeshme, Dosja.al siguroi pamje nga aksioni që po zhvillohet aktualisht në kryeqytet, ku Forcat e Rendit u futën në një nga lokalet e shënjestruara dhe kërkuan  pamjet filmike të kamerave të sigurisë dhe të kontrollonin celularët e personave, të cilët e administrojnë ambientin. Me anë të pamjeve filmike, bisedave apo mesazheve, mund të zbulohen fakte mbi akte të jashtëligjshme, persona të botës së krimit, apo edhe subjekte që janë vënë në ‘sitën’ e operacionit.

 

 

SKEMA/ U goditën gjatë kohës që luheshin BASTET e Europa League, si funksiononin llotot para se të mësynte policia

Dosja.al zbulon skemën sesi u zhvillua dje operacioni “Fati i Lojërave”, ku u arrestuan biznesmenë dhe menaxherë lokalesh që kishin kthyer bizneset në pika të lojërave të fatit. Operacioni jo më kot u zhvillua dje, pasi ekzaktësisht në kohën kur RENEA, FNSH dhe Shqiponjat mësynë nëpër lokale, banaket e tyre ishin të mbushur me klientë të cilët vendosnin baste për ndeshjet e Europa League, ku luhej Manchester United-Clube Brugge, apo Sevilla-Cruf Club. Menaxherët e arrestuar vendosnin paratë e hedhura nga klientët në ndeshje online, përmes një IP qendrore, ku lidheshin të gjitha lokalet.

 

 

 

12:31Zbardhen EMRAT, kush janë të arrestuarit e supergoditjes së BIXHOZIT, menaxherët vinin SKEDINA dhe iu hapnin llogari nga celulari (DETAJE)

Dosja.al zbulon emrat e disa prej menaxherëve të arrestuar në kuadër të operacionit “Fati i lojërave”, pasi akuzohen se kanë ushtruar në mënyrë të paligjshme lloto dhe lojëra fati. Burimet sqarojnë se të arrestuarit janë: Gramoz Murati, Isuf Tato, Ervin Frashëri, Elvis Mulaj, Igli Oboni, Denis Hysko, Erdian Myftari.

 

Ata janë pronarë dhe menaxherë lokalesh. Po të njëjtat burime sqaruan se këta persona përmes një softëare të vendosur në kompjuter, iu hapnin llogari klientëve të tyre për të vendosur lloto (skedina), online përmes telefonave, duke evituar kështu zbatimin e ligjit për ndalimin e lojërave të fatit, i futur në fuqi që më 1 janar 2019, pas një ligji të vendosur nga Partia Socialiste në Parlament.

 

Biznesmenit Gramoz Murati iu sekuestruan 170 milionë lekë të vjetra, si dhe iu gjetën 6 punonjës në të zezë. Në lokalin e tij, të kthyer në një pikë bastesh u kapën në punë të zezë 6 punonjës, 20 monitorë, 17 DVR.

 

 

 

12:06Operacioni “Fati i lojërave”, Ardi Veliu jep detaje: Janë arrestuar 115 persona, aksioni do të vijojë

Drejtori i Përgjitshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu së bashku me drejtuesen e Prokurosisë së Tiranë, Elisabet Imeraj kanë dalë në një deklaratë për mediat ku kanë bërë me dije detaje nga operacioni “Fati i lojërave” që është zhvilluar prej mbrëmjes së djeshme në disa qytete të Shqipërisë. Veliu në deklartën e tij bëri me dije se deri tani janë arrestuar 115 persona dhe 24 janë proceduar dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim. Po ashtu shtoi se janë sekuestruar më shumë se 70 milionë Lekë, aparate celularë, kompjutera dhe të arresturit rrezikojnë deri në 15 vite burgim.

 

Sipas numrit një të Policisë në Tiranë dhe në qarqe janë ushtruar 486 kontrolle në lokale dhe ambiente që dyshohej se zhvillohej kjo veprimtari kriminale. Më tej mësohet se është një arritur të sekuestrohej një sallë qendrore monitorimi, e cila monitoronte aktivitetin që zhvillohej në pikat e tjera që zhvillohej ky aktivitet. “Në këtë sallë u gjetën dhe kapën në punë të zezë 6 punonjës, 20 monitorë, 17 DVR dhe administratori i sallës, shtetasi G. M. Po ashtu u gjetën dhe u sekuestruan 170 milionë lekë të vjetra, të grumbulluara nga bastet që ishin vendosur nëpër pikat e monitoruara prej kësaj qendre kriminale. Janë arrestuar edhe menaxheret e grumbullimit dhe transportimit të lekëve nga pikat, konkretisht shtetasit: T. A., E. M., S. B., E. F. dhe N. E., menaxherë të pikave në Tiranë dhe A. N., menaxher në Durrës”, u shpreh Veliu.

 

Ky operacion është në vijim dhe në qarqet e tjera të vendit, për të evidentuar dhe goditur çdo tentativë për të ushtruar aktivitet të paligjshëm  të lojërave të fatit.