Aktualitet

Studentja e Universitetit të Milanos që drejton një ndër të paktat ferma organike në vend (foto/video)

By vizional

November 02, 2017

Historia e Anisa Kadaresë nuk ndryshon shumë nga ajo e Rigerta Lokut e cila pak kohë më parë përloti parlamentin kur kërkoi më shumë vëmendje për fshatin. Rigerta dhe Anisa kanë përfunduar studimet e larta në Itali në degë që nuk kanë kurfarë lidhje me bujqësinë, por që të dyja secila në drejtime të ndryshme futën diplomat në sirtarët e dijes dhe iu futën bujqësisë. Rigerta në Rrëshen ku mbarështon bagëti kryesisht dhi, kurse Anisa ne një tjetër sfidë atë të krijimit të një ferme organike të quajtur “MIA organic”.Rigerta u diplomua në universitetin La sapienza në Romë, kurse Anisa në Universitetin Bocconi Milano per shkenca politike. Por çfarë përfaqëson “MIA Organic”-Një koncept të të ri të tëushqyerit që ka objektiv të sjellë pranë konsumatorit produktet më të mira natyrale dhe organike shqiptare duke ruajtur standartet më të larta të cilësisë.

 Në rrëfimet e saj Anisa tregon se ideja për ngritjen e fermës i nisi që kur ishte në Milano  duke menduar për vlerat dhe mundësitë që ndërtohet nga disavantazhet e një vendi.

“Ajo mënyra e thjeshtë dhe genuine e agrikulturës së fermerit shqiptar, toka shqiptare akoma e pakontaminuar nga industritë e rënda dhe ajo dëshira dhe pasioni i fermerëve shqiptarë të ofrojnë mundësi të pakrahasueshme. ‘MIA Organic’ është përqendruar në praktikat e një agrikulture holistike, e jetueshme nga gjenerata në gjeneratë, që prodhon produkte të shëndetshme, të freskëta dhe të sigurta” do të shprehej Anisa.

Krahas produkteve organike që kultivon në serën e saj Firma MIA organic ka vendosur kontakte me dhjetëra fermerë për të sjellë pranë konsumatorit produktet më të mira natyrale dhe organike, si frutat, mishi, erëzat, vaj ulliri, vera, bulmet etj, deri në produktet më tradicionale dhe të veçanta si trahanaja, roshnicat, narden, rehani, petkat, jufkat, rakia, etj. Por aty mbarështohen dhe blegtori nga të cilat merren prodhime si bulmet, qumësht, kos etj.. Ferma MIA organic në fshatin Koxhas të komunës Xhafzotaj në Shijak u vizitua dhe nga Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi i cili vlerësoi iniciativën e ish studentes së Milanos.

“Kam ardhur në fakt edhe për të vizituar një ekonomi bujqësore, shumë interesante, që vepron në fushën e bujqësisë organike. Sapo ka filluar, janë fillesat e këtij lloji nënsektori të themi, por që premton shumë, mund të themi dhe për më tepër, ka potencial të madh, për t’u rritur, brenda vendit, por edhe për të eksportuar në të ardhmen. Por, mbi të gjitha kam ardhur këtu, për të promovuar një model jo të zakonshëm për shoqërinë shqiptare.” – ka thënë z. Peleshi. Ministri ka ripërsëritur ftesën drejtuar të rinjve, të shikojnë dhe të përfshihen në sektorin bujqësor, si sektor prioritar për Qeverinë Shqiptare. Ndër të tjera, z.Peleshi ka theksuar mbështetjen dhe subvencionimin e këtyre sipërmarrjeve  me grante financiare nga skema kombëtare e mbështetjes financiare për bujqësinë. “… Vitin që vjen, herët në janar, të vitit të ardhshëm, ne do të shpallin skemën e mbështetjes financiare për bujqësinë. Këtë vit është më e madhja, që ka patur ndonjëherë Shqipëria, 25 milion euro vetem nga buxheti i shtetit, skema e mbështetjes së bujqësisë. Plus pastaj dhe 93 milion euro, që pritet me shumë gjasa, të fillojë vitin që vjen nga programi IPARD i Bashkimit Evropian. Kemi mundësi të shumta, që jo vetëm të promovojmë, të mbështesim dhe të nxisim.”

 

“.. ne jemi të gatshëm, që Anisën dhe gjithë të tjerët t’i ftojmë, t’i mbështesim me mundësitë jo të pakta, që do të kemi tani dhe në vijim, në mënyrë, që të rinjtë të ndërtojnë modelin e bujqësisë e së nesërmes.”

 

Ferma “MIA Organic” ka në zotërim rreth 20 ha, ku në  një sipërfaqe prej afro 1 ha kultivohen perime, kurse pjesa tjetër janë kullota dhe tokë bujqësore që aktualisht përdoren si ushqim për bagetinë.  Por sic tregon vetë ministri, Anisa ja ka dalë vetë me pasionin, mundin dhe financat që gjithcka mban emrin e saj.

 

Marre nga bionews.al