Lajme

Speciale/ Gjithëpërfshirja në shkolla, ku askush të mos mbetet pas…

By vizional

June 03, 2018

Nga Eglantina Alliaj

Ata janë të gjithë fëmijë, me energjinë dhe çiltërsinë e tyre të bëjnë për vete. Ata janë të gjithë fëmijë, pavarësisht prejardhjes, rrënjëve, statusit ekonomik, vendit ku kanë lindur dhe jetojnë apo ngjyrës së lëkurës. 1 qershori është festa e tyre. Në këtë 1 qershor ne udhëtuam drejt Beratit, në kuadër të fushatës “Shkolla ime = Shkolla jote”, një projekt që synon të fuqizojë prindërit dhe mësuesit në katër rajonet e synuara (Durrës, Berat, Korçë dhe Shkodër) që të mbështesin përfshirjen e fëmijëve Romë dhe Egjiptianë në arsimin e detyrueshëm. Në aktivitetin e organizuar, merrnin pjesë nxënës nga tre shkolla: “Shyqyri Lakra”, “Morava” dhe “Thimi Tani”. Ndoqëm me vëmendje recitimet, këngët dhe kërcimet e tyre. Biseduam me prindër dhe familjarë të këtyre nxënësve. Më poshtë do të lexoni rrëfimet e nxënësve, mësuesve dhe familjarëve të tyre.

 

Gabriela, vajza që ëndërron baletin

Zonjën Hamide e gjejmë në oborrin e shkollës “Shyqyri Lakra”. Ajo ka mbesën në klasën e 9 të kësaj shkolle, dhe ka ardhur të ndjek aktivitetin me rastin e festës së 1 qershorit. Zonja Hamide, dhe mbesa e saj Gabriela janë nga komuniteti egjiptian, por kjo nuk i ka penguar aspak të integrohen në shoqëri. Gabriela, një vajzë e talentuar, e gjatë, me sy jeshilë, sapo e takon të krijon afrimitet, flet lirshëm, diskuton me shoqet, dhe kërcen e kendon. “Dëshira ime është të vazhdoj shkollën për balet”-na tregon Gabriela. Në fakt këtë merak ka edhe gjyshja e saj, e cila e ka ndjekur në çdo hap mbesën e saj Gabriela, me prindër të divorcuar.

“Është talent në kërcim, por kam frikë se nuk I jep njeri dorë se është nga komuniteti egjiptian”-thotë zonja Hamide, edhe pse deri tani në këtë shkollë Gabriela nuk ka pasur asnjë problem për shkak të prejardhjes së saj.

Vogëlushja Mira ndryshoi shkollën

Por ndryshe nga Gabriela, Fatmira, e cila është në klasën e dytë në shkollën Thimi Tani, na tregon se ka ndërruar shkollë, pasi shokët dhe shoqet e klasës e shanin. “Babi me tha do të çoj në shkollë tjetër se këtu nuk ndohesh mirë”-na tregon Mira e vogël, e cila ka dëshirë të bëhet parukiere kur të rritet.

Indriti, djaloshi që dëshiron të bëhet futbollist si Ronaldo

Indriti është në klasën e pestë, vjen nga komuniteti egjiptian. Ai na tregon hsitorinë e tij, ku është shkëputur një vit nga shkolla, për shkak se prindërit e tij ishin pa punë, por me mbështetjen e shkollës dhe prindërve është kthyer sërish. Shoku i tij i ngushtë është Aleksandër, dhe të gjithë janë gëzuar kur Indriti e rinisi shkollën. Ai na tregon se nuk është ndier asnjherë keq nga shokët dhe shoqet në shkollë, dhe as nga mësuesit. Ai luan futboll, është tifoz me ekipin e Real Madritit, dhe në një të ardhme dëshiron të bëhet futbollist i famshëm si Kristiano Ronaldo.

Daja: Këto projekte janë risi

Shkolla “Thimi Tani” ka 350 nxënës, nga këta 110 nxënës janë të komunitetit  egjiptian. Drejtori i kësaj shkolle Gjergji Daja tregon se këto projekte janë risi për këto shkolla. “I evidentojmë nxënësit që kanë ikur. Unë kam 12 nxënës që janë rikthyer. Ata që kthehen bëhen pjesë e shoqërisë. Ka nxënës të mirë, vjet kryesenatorja ishte nga ky komunitet”-tha Daja.

 

Fushata “Shkolla ime-shkolla jote”

 Më shumë se 500 vizita derë më derë në familje Rome dhe Egjiptiane, identifikimi i nxënësve të cilët kishin braktisur apo ishin në risk braktisjeje, janë identifikuar 68 nxënës, 40 femra dhe 28 meshkuj të cilët kishin braktisur apo ishin në risk braktisje shkolle.

Qëllimi

Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER) në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit Sporteve dhe Rinisë (MASR) dhe mbështetjen e UNICEF është duke zbatuar projektin. “Hartimi dhe zbatimi i një plani veprimi për ndryshimin e qëndrimeve të prindërve dhe publikut të gjerë për pjesëmarrjen e fëmijëve Romë dhe Egjiptianë në shkollë”. Qëllimi i përgjithshëm i Strategjisë së Komunikimit për Ndryshimin e Sjelljeve (CBCP) është që të mbledhë prindërit  dhe mësuesit në katër rajonet e synuara (Durrës, Berat, Shkodër dhe Korçë,) që të mbështesin përfshirjen e fëmijëve të grupeve të marxhinalizuar në arsimin e detyrueshëm. Strategjia që do të përdoret, do të arrijë këtë objektiv duke fuqizuar prindërit, mësuesit dhe fëmijët për të identifikuar dhe raportuar diskriminimin në shkolla. Një tjetër aspekt i kësaj strategjie është fuqizimi i kapaciteteve të mësuesve dhe gazetarëve rreth kësaj tematike si dhe mbështetja e grupeve të interesuara për të marrë një rol aktiv në këtë proces. Këtu, përfshihen aktivitetet e komunikimit, të cilat synojnë audiencën e sipër përmendur në rajonet e synuar, ndërsa puna me media-n kombëtare do të shërbejë për të shpërndarë mesazhet dhe praktikat e përfshirjes pozitive në gjithë vendin për një audiencë më të gjerë. Strategjia synon të influencojë: (i) praktikat prindërore të prindërve Romë dhe Egjiptianë që lidhen me arsimimin e fëmijëve të tyre; (ii) qëndrimet, besimet dhe njohuritë e prindërve jo-Romë/Egjiptianë lidhur me arsimimin gjithëpërfshirës dhe mos-diskriminimin; dhe (iii) aftësitë e mësuesve për të krijuar një mjedis përfshirës.