Aktualitet

‘Sot s’ka politikë, vetëm solidaritet’! Basha, vetëm këtë thirrje për qeverinë: Të shpallet gjendja e emergjencës!

By vizionc

November 26, 2019

“Sot nuk ka politikë, vetëm solidaritet”. Me kete apel te forte per solidaritet dhe bashkepunim, kreu i opozites, Lulzim Basha thekson se ne kushtet aktuale, shume te renda qe po kalon vendi e vecanerisht zonat e prekura nga termeti, ka vetem nje thirrje per Qeverine: Te shpalle gjendjen e emergjeces.

“ZERO interpretim politik nuk kam sot, përveçse një thirrje qeverisë që të shpallë menjëherë gjendjen e emergjencës, për të mjekuar të dëmtuarit, për të inventarizuar dëmtimet, për të mirëmenaxhuar panikun dhe pasojat e tërmetit”-thekson kryedemokrati Basha.

Mesazhi i Bashës

Të dashur bashkëqytetarë! Ky mëngjes na gjeti të tronditur thellë nga tërmeti i frikshëm që fatkeqësisht, solli humbje jetësh njerëzore, lëndime, si dhe dëme të mëdha.

Partia Demokratike, unë dhe familja ime u shprehim ngushëllimet më të thella familjeve që kanë humbur të afërmit e zemrës, dhe u urojmë shërim sa më të shpejtë të lënduarve.

Ne po bëjmë gjithçka që t’i gjendemi pranë çdo shqiptari në këtë fatkeqësi dhe tronditje të madhe të përbashkët.

ZERO interpretim politik nuk kam sot, përveçse një thirrje qeverisë që të shpallë menjëherë gjendjen e emergjencës, për të mjekuar të dëmtuarit, për të inventarizuar dëmtimet, për të mirëmenaxhuar panikun dhe pasojat e tërmetit.

Vëllezër dhe motra! Të gjithë në këmbë, solidaritet të pakursyer dhe të pakushtëzuar! Si vëllezër dhe motra të një gjaku, të një kombi, në krah te njerëzve që kanë humbur të afërmit e shtrenjtë, në krah të qytetarëve të lënduar që janë ende të tronditur dhe të dëmtuar rëndë.

Respekt, mirënjohje dhe mbështetje totale mjekëve, infermierëve, punonjësve të policisë, ushtarakëve, personelit të strukturave të emergjencës, kompanive që po ndihmojnë me çfarë munden për të përballuar këtë situatë të rëndë.

Të gjithë bashkë si një familje e madhe, pa asnjë dallim, do t’ia dalim!