Sot miratohet paketa anti-shpifje, gazetarët protestë para Kuvendit

Sot miratohet paketa anti-shpifje, gazetarët protestë para Kuvendit

395
0

Ditën e sotme pritet që gazetarë nga e gjithë Shqipëria të protestojnë para Parlamentit në orën 09:30, kundër miratimit të paketës anti-shpifje.

 

‘MOSnaPREKfjalën’, do të jetë slogani i protestës, ku kërkohet që të mos cënohet liria e fjalës së lirë.

 

Shoqatat e gazetarëve dhe shoqërisë civile kundërshtojnë paketën Anti-shpifje për shkak se nuk i jep zgjidhje lajmeve të rreme, por sipas tyre këto çështjeve i përkasin etikës së medias dhe janë subjekte të vetërregullimit brenda saj.

 

Gazetarët i kërkojnë qeverisë të pranojë vërejtjet e Komisionit Europian si dhe kërkesën e Komisioneres Mijatovic që thotë: ‘Interneti të mbetet i hapur dhe forum publik dhe që të mbizotërojë vetërregullimi në media, përfshirë median online’.

 

Ndërkohë kuvendi do të zhvillojë seancën sot në orën 10:00, ku pritet të miratohet kjo paketë.

 

Ngelet për t’u parë gjatë orëve në vijim nëse do të marrë votat e nevojshme për miratim ose jo nga deputetët.

 

Paketa Anti-shpifje për më shumë se një vit është kundërshtuar nga dhjetëra shoqata të gazetarëve, si dhe nga ndërkombëtarët, por qeveria nuk ka marrë parasysh kritikat dhe sot kërkon miratimin e ligjit në Kuvend.