

Autorja italiane shkruan një letër të titulluar: Letra nga Koronavirusi.
Ajo e quan veten nomade dhe që në moshën 19-vjeçare dhe është një nga gratë e pakta që ka kapërcyer Italinë në këmbë, nga Veriu në Jug. Autorja e dy librave, Darinka Montico që kur urgjenca për shkak të përhapjes së koronavirusit ka nisur, është futur në një aventurë emocionuese: turneu botëror vetëm me biçikletë. Në këto ditë kaq të komplikuara për të gjithë njerëzimin Darinka shkroi dhe publikoi në llogarinë e saj në Facebook një pjesë me titull “Letra nga Koronavirusi”, e aftë përmes një stërvitje magjike letrare të na tregojë këndvështrimin e virusit dhe të na bëjë të kuptojmë se cili do të ishte qëllimi i vërtetë, domethënë për të përcjellë një mesazh të rëndësishëm të mbyllur në tre pika të thjeshta: ndalo, hesht dhe dëgjo, lidhur me një kërkesë themelore: atë të ndryshimit. Sipas saj Toka me siguri po na komunikon vuajtjet e saj dhe na kërkon të ndalemi dhe të mendojmë për traumat që po përjeton për shkak të njerëzimit, të kushtëzuar nga jeta e egër e përditshme, në pamundësi për të parë të ardhmen e Planetit tonë, por të gatshëm për të përmbushur vetëm nevojat prej konsumatori. Ky tekst mund të quhet një manifest i vërtetë ekologjik, nga i cili aktivistja më e famshme bashkëkohore, Greta Thunberg do të ishte krenare.
Letra e plotë
“Ndaloni! Thjeshtë alt, stop, mos lëvizni. Nuk është më një kërkesë. Është detyrim. Jam këtu për t’ju ndihmuar. Kjo lodër supersonike ka konsumuar binarët. Mjaft trena, shkolla, qendra tregtare,takime.
Kemi thyer vorbullën marramendëse të iluzioneve dhe të detyrimeve që ju bllokuan të ngrini sytë në qiell, të shihni yjet, të dëgjoni detin, të përkundeni nga cicërima e zogjve, të rrokulliseni në lëndina, të mblidhni një mollë nga pema, t’i buzëqeshni një kafshe në pyll, të merrni frymë në mal, të dëgjoni mirëkuptimin.
U detyruam ta thyejmë. Nuk mund të zëvendësoni Zotin. Detyrimi ynë është reciprok. Siç ka qenë gjithnjë, edhe pse, e keni harruar. Do të ndërpresim këtë transmetim, transmetimin e pafundë kakofonik të ndarjeve dhe të hutimeve, për t’ju sjellë këtë lajm: nuk jemi mirë, asnjë prej nesh, të gjithë ne po vuajmë.
Vitin e kaluar furtunat e zjarrit që dogjën mushkëritë e Tokës nuk ju ndalën. As akullnajat që po treten, as qytetet tuaja që po zhyten, dhe as ndërgjegjësimi se jeni shkaktarët e vetëm të zhdukjes së gjashtë në masë. Nuk më dëgjuat. Është e vështirë të dëgjoni duke qenë kaq të zënë, duke luftuar të kacavirreni gjithnjë e më lart mbi skelat e komoditetit që keni ndërtuar. Themelet po shemben, po përkulen nën peshën e dëshirave tuaja false. Unë do t’ju ndihmoj. Do të sjell furtunat e zjarrta në trupin tuaj, do të përmbys mushkëritë tuaja, do t’ju izoloj si një ari polar mbi një ajzberg në det të hapur. Më dëgjoni tani?
Nuk jemi mirë. Nuk jam një armik. Jam një lajmëtare i thjeshtë, jam një aleat, jam forca që do të risjell ekuilibrin. Tani duhet të më dëgjoni, po ulërij që të ndaloni! Ndaloni, heshtni, dëgjoni.
Tani ngrini sytë në qiell, si ju duket? Nuk ka më avionë, sa ju duhet që të jeni mirë e të shijoni oksigjenin që po merrni? Shihni oqeanin, si është? Shihni lumenjtë, si janë? Shihni Tokën, si është? Shihni veten tuaj, si jeni? Nuk mund të jesh i shëndetshëm në një ekosistem të sëmurë. Ndalo.
Shumë kanë frikë tani. Mos i jepni fuqi frikës, mos e lini t’ju pushtojë. Lëreni që t’ju flasë, dëgjoni mençurinë e saj. Mësoni të qeshni me sy. Do t’ju ndihmoj, nëse më dëgjoni.”
Burimi: ilvaloreitaliano.it
