“Nuk bëj jetë luksi, të paktën im bir nuk e njeh çfarë do të thotë jetë luksi. Ai është shumë i qetë dhe i mbarë. Ka marrë dhe ka gëzuar gjithmonë teknologjinë që lë unë, nuk i kam blerë asnjëherë telefon të ri.”- do të shprehej thuajse 1 vit më parë Grida Duma, në një rrëfim rreth marrëdhënies me djalin e saj të vetëm. Por nëse jeni kureshtarë të dini si ka qenë ish-deputetja e “Partisë Demokratike” si adoleshente, na lejoni t’ju themi që s’ka të bë aspak me atë që po mendoni.
Ditën e djeshme, ajo ishte e ftuar në studion e Rudina Magjistarit ku na ka zbuluar edhe disa sekrete nga jeta e saj, që nga domethënia e emrit e deri tek xhirot me Vespa në shëtitoren “Taulantia”. Gridën e kemi parë gjithmonë shumë aktive në panelet ku është e ftuar, ku shpeshherë ngre edhe zërin. Me sa duket kjo gjë lidhet edhe me prejardhjen e emrit të saj. Grida rrëfeu se emrin ia ka vendosur gjyshi, një figurë emblematike në jetën e saj dhe rrjedh nga folja “gridare-ulëras”.
Ndërsa veten adoleshente e kujton kështu: “E kujtoj veten si një vajzë plotësisht jashtë kornizave. Kisha dalë nga liceu, studioja violinë dhe piano sekondare. Po të ma thuash sot e kam tmerr sepse e studioja me disipline nga mamaja. Ishte një grua që donte patjetër suksesin maksimal. Nuk bëja asgjë që bënin gocat e atëhershme. S’kisha lidhje. Isha me fat që kisha një baba që ishte ndryshe nga tipiku tradicional dhe ngjizi tek unë lirinë individuale. Në shkollë shkoja me Vespa dhe njerëzit çuditeshin. Gjithshtu në shkollë më shoqëronte një qen stani. Duken si gjëra të vogla, por në atë kohë edhe një palë xhinse bënin ndryshimin.”