Aktualitet

Skandal, në Tepelenë të vdekur, fëmijë e të burgosur “firmosin pro” HEC-it

By vizional

November 06, 2019

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së mërkurës një skandal në Tepelenë. Një firmë, e cila duhej të merrte mendimin e banorëve për ndërtimin e një HEC-i ka falsifikuar firmat e tyre. Në listat e firmës kanë emra apo kanë firmosur fëmijë, emigrantë, persona që kanë ndërruar jetë, madje edhe një i burgosur.

Në redaksinë e emisionit Fiks Fare u ankuan dhjetëra banorë të fshatit Hormovë në Tepelenë, të cilët thanë se firma “Hidro Termo”, u ka përdorur emrin dhe listën ia ka dërguar edhe ministrisë së Infrastrukturës. Ata thanë se disa emra në listë janë fiktivë, kanë ikur prej kohësh nga Hormova, por për çudi emrat e tyre janë pikërisht në listën e firmës.

Gazetarët e “Fiks Fare” verifikuan disa nga emrat e pretenduar, ku rezultoi se në një dokument të datës 30 janar 2019, firma që po ndërton HEC-in i ka çuar Bashkisë Tepelenë një listë me emra që kanë qenë pro ndërtimit. Nga verifikimi rezultoi se kanë firmosur të gjithë pjesëtarët e familjes Fatia, madje edhe dy fëmijët e mitur. Ndërkohë, në listë janë edhe pjesëtarët e familjes Rrapi, të cilët janë prej kohësh në Tiranë. Në listë është edhe emri i z.Çelo Çela, firma e të cilit, sipas banorëve është e falsifikuar.

Ndërkohë, edhe emrat e Rudjan Dhromit dhe Qazim Elmazit janë në këtë listë, madje kanë firmosur. Por, sipas banorëve, këta nuk kanë qenë dakort, madje kanë firmosur edhe te peticioni i banorëve që janë kundër këtij HEC-i. Në listë ishte edhe emri i z.Kelian Gjinushit, madhe edhe firma e tij. Keliani tha për gazetarët e Fiks Fare se nuk ka firmosur në këtë listë.

“Më dënoni me burgim të përjetshëm nëse është firma ime kjo në listë” tha ai.

Sipas tij, në listë është edhe emri i nënës së tij, Festimes, por i kanë falsifikuar firmën. Gazetarët verifikuan se edhe firma e z.Igli Miha është false, apo edhe e Kajtaz Rulit. Në listë janë edhe dy të mitur E. Groshi dhe O.Groshi.

Sipas kryeplakut Irfan Çela, në listë janë edhe emrat e dy personave që kanë ndërruar jetë. Përkatësisht e Asllan Gjinushit dhe Xhixho Groshit. Gazetarët e Fiks Fare shkuan në varrezat e fshatit Hormovë dhe konstatuan se këta dy persona kishin ndërruar jetë. Në listë ishte edhe emri i z.Baki Kuça.

Nuk jam dakort për ndërtimin. Nuk e di kush e ka vendosur emrin tim. Unë jam liruar pak ditë më parë. Kam qenë 8 vite në burg, askush nuk më ka pyetur jam pro apo kundër. Nuk e di kush e ka vënë emrin tim. Në listë është emri i bashkëshortes time si dhe i dy fëmijëve të mi, që janë në Greqi dhe Angli” thotë ai, ndërsa thotë se është totalisht kundër.

Banorët e fshatit Hormovë i janë drejtuar me një peticion ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i kërkuar ministres Belinda Balluku anulimin e lejes së dhënë. Në datën 25 tetor, ministria i ka kthyer përgjigje banorëve dhe i informon se ka pasur një letërkëmbim me firmën “Hidro Termo”, ku kjo e fundit i ka dërguar edhe një dokument të datës 17 shtator 2019. Në këtë dokument, ndër të tjera, firma i thotë ministrisë se “jemi konform të gjitha rregullave dhe ligjeve, në firmat që ne kemi është edhe firma e kryetarit të fshatit, ajo e kryetarit të Njësisë Administrative dhe e kryetarit të Bashkisë Tepelenë”.

 

“Fiks Fare” pyeti të tre këta persona. Irfan Çela, kryetar i fshatit Hormovë, tha se nuk ka firmosur. Ndërkohë, Leonidha Shumeli, kreu i Njësisë Administrative Qendër Tepelenë, tha se “nuk ka firmosur askund”. Sipas tij, emrin e tij e ka përdorur firma.

Gazetarët e Fiks Fare pyetën edhe kreun e Bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi. I pyetur nëse ka firmosur apo jo për ndërtimin e HEC-it, ai tha se jo, madje për këtë akuzë do të ndërmarrë edhe veprimet e mëtejshme. Sipas Peçit, janë 17 emra që janë edhe në peticionin e banorëve dhe në listën e firmës. I pyetur se disa thanë se i janë falsifikuar firmat, kryetari tha se “ta verifikojnë institucionet përgjegjëse”. Në fund, ai tha se është me banorët, ndërkohë pohoi se pa konsultimin e firmës me banorët, firma nuk duhet të veprojë