Ndërtesë e shkatërruar totalisht pas tërmetit 6.4 i shkallës Rihter që ra në 26 nëntor
SHBA-ja ka dërguar prej ditës së djeshme një ekip nga USAID-i, i cili do të ndihmojë në vlerësimin e banesave të dëmtuara nga tërmetet e ditëve të fundit.
Ambasada Amerikane njofton se një skuadër e emergjencave të Departamentit Zjarrfikës dhe Shpëtimit të Los Angeles dhe Fairfax-it është nisur drejt vendit tonë për të përcaktuar se cilat ndërtime të prekura nga tërmeti përbëjnë rrezik shembjeje.
Kujtojmë që kryeministri Rama ka bërë apel për ndihmë nga shtetet e huaja për përballimin e situatës së vështirë pas tërmetit.
Njoftimi i Ambasadës Amerikane:
Si pjesë e mbështetjes së vazhdueshme të qeverisë së Shteteve të Bashkuara në përpjekjet për rimëkëmbjen pas tërmetit, USAID ka nisur dje për në Shqipëri ekipe emergjencash nga Departamenti Zjarrfikës dhe Shpëtues i kontesë Fairfax dhe Departamenti Zjarrfikës i kontesë së Los Angeles. Këta ekspertë do të ndihmojnë në koordinimin e ekipeve ndërkombëtare në vlerësimin e dëmeve, për të përcaktuar nëse ndërtesat dhe infrastruktura kritike në zonat e prekura janë të sigurta.