DOSSIER

Si u vendos busti i Skënderbeut në qytetin e Dibrës së Madhe në prill të vitit 1942

By vizional

January 18, 2021

 (Vepra e Odise Paskalit  në vitin 1942  në tre  qytete të  Shqipërisë  Lindore, në Dibër, Kërçovë  dhe Strugë) 

Nga Sakip  Cami & Engjëll Buxhaku

Më datën 25 shkurt të vitit 1942, njoftohet publikisht në shtypin e ditës së asaj kohe, se në Dibër të Madhe, në vendin e kuvendeve dhe të betejave, falë iniciativës qytetare, po punohet për ngritjen e bustit të Skënderbeut.

Njoftohet se ky bust do të vendoset në sheshin e qytetit. Po ky njoftim bën me dije se inaugurimi tij do të bëhet më 12 prill, ditën që forcat e regjimit pushtues italian e quajnë ditën e çlirimit të Dibrës, sepse më 12 prill të viti 1941, forcat italiane hynë në qytetin e Dibrës së Madhe dhe përzunë administratën jugosllave, të instaluar në atë qytet, që në vitin 1913, kur vendimi arbitrar i Konferencës së Ambasadorëve në Londër e ndau Dibrën në dy pjesë.

Në atë kohë vepronte dekreti    mbretëror i Viktor Emanuelit  për bashkimin e trojeve shqiptare dhe në Tiranë në qeveri vepronte dhe ministria e Tokave të lirueme. Më 11 prill 1942, u zhvillua ceremoni publike e përurimit të bustit të Skënderbeut në sheshin e qytetit të Dibrës së Madhe ku fjalën e rastit e mbajti kryetari i Bashkisë së qytetit të Dibrës së Madhe, Shemsi Hatibi. Gjithashtu, përshëndeti edhe Jup Kazazi, ministër në qeverinë shqiptare të kohës.

Në ceremoni kishin ardhur edhe plot autoritete të tjera, si Ramadan Pustina, Etem Dibra, Adem Borova, Ismail Dibra, Zyhdi Turkeshi, Abdurrajman Ymeri, Shefqet Ushtelenza, Lutfi Spahiu (Federal i Prishtinës), Rexhep Luga (drejtor i Postës), Ecjup Cani (Sekretar i Bashkisë) etj.

Për të pranishmit mbërritën dhe shumë telegrame urimi nga personalitete dibrane të Tiranës, si Fuad Dibra, Jashar Erebara etj. dhe nga ish prefekti i parë i Dibrës së Madhe, Qazim Mulleti, tashmë i larguar me të njëjtën detyrë në Tiranë.

 

Në këtë periudhë u vendosën edhe dy buste të tjera, vepra të Odise Paskalit dhe përkatësisht në qytetin e Strugës dhe të Kërçovës.

 

Studiuesi dhe historian Fatos Daci e ka nxjerrë  të plotë nga arkivat fjalën e kryetarit të Qytetit të Dibrës Shemsi Hatibi, pjesë nga e cila po citojmë:

“Shkëlqesa, zotërinj të nderuar dhe ju, populli i Dibrës së çlirueme!

Formon një kënaqësi të veçantë për mua rasti, që kam të flas sot para zotërisë suej në këtë ditë të madhe dhe të shenjtë për popullin dibran dhe, njëkohësisht për mbarë popullin shqiptar. Si sot, një vit më parë, këtu në Dibrën e Madhe e në mbarë Kosovën sundonte armiku dhe mbante nën thundrën e vet, nga traktatet e pa drejta të Versailles gjithë këtë popull shqiptar e kreshnik. Qanin këta përndamas për nanën e tyne. Shqipninë e quante Shqipnija për ta, por zemra e anmikut as prekesh fare dhe robnija sa vinte e po bahej ma e randë. Kështu, me lot e vaj u kaluan plot 29 vjet, që të mos përmendim zgjedhën tjetër, edhe ma të zezë e shekullore, t’osmanllinjve aziatikë, që ra mbi tokën tonë të shenjtë, qysh pas vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut.

Drejtësia vonon, por s’harron. Zoti kish dashtë me e dënue me vdekje të përhershme Shqipërinë? A thue u harrue për fare historia e jonë e zjarrtë, që ka lanë gjurma të pashtershme heroizmi e lavdie? A thue, këta male e kodra, që kanë qenë kala ta pathyeshme për çdo armik, do të pranonin të rrinin gjithë jetën me qafë të vjerrë?Jo, një mijë herë jo! Shqiptarët e këtyre anëve nuk e kishin harruar Atdhenë e Lirinë, por pritej rasti i mirë, që ta flaknin zgjedhën e të bashkoheshin me Nanën e tyre, Shqipninë.

Fotoja e çastit të përurimit të bustit të hëroit tonë kombëtar në  Dibër , 1942

 

Çdo popull duhet të ketë të drejtat e tij. Çdo shtet duhet të ketë hapësirën e vet jetike. Çdo komb duhet të ketë në gji të vet tërë bijtë e vet. Dhe shpata u rrok, lufta krisi dhe ideali i tyre nisi të bëhet realitet i gjallë.

Pas kësaj parathënie pak të gjatë, por të nevojshme, për të çmuar si duhet rëndësinë e ditës, po kthehemi mbi vendimin kuptimplotë të popullit dibran, që ka marrë për të përjetësue këtë ditë të madhe të tij. Shkëlqesa, Siç e shihni, ndodhemi përpara përmendores së fatosit tonë kombëtar, Skënderbeut. Populli dibran ta dashur ta lidhë ditën e çlirimit të vet me këtë Hero, që përfaqëson për mbarë popullin shqiptar simbolin e lirisë, të trimërisë, të heroizmit e të luftës së pandame për ta ruajtur lirinë dhe të paprekur nderin e besën e kombit. Nuk ka provë më të madhe se këto në botë, që të dëshmojë se sa shtrenjtë e çmon shqiptari lirinë dhe se sa naltë i ngre, i nderon heronjtë e tij kombëtarë. Me Skënderin në gojë ra Dibra, kur në Lezhë, Skënderbeu u rrëmbye prej mortjes së zezë. Me Skënderin në gojë, sot e ringjallur, Dibra po feston ditën e çlirimit, pa bërë asnjë efekt shekujt e gjatë, që kanë kalue prej asaj kohe të lavdishme. E s’mund të ngjante ndryshe, se Skënderi në këto kodra e male të Dibrës ka korrur fitoret e tij ma të mëdha, ka lanë gjurmët ma të paharrueshme të heroizmit shqiptar. Një kuptim tjetër edhe ma të veçantë ka ngritja e kësaj përmendoreje në këtë vend. Po vihet Skënder-beu po mbi atë monument gurësh, që armiku ka dashtë të përjetësoi skllavërinë e Dibrës nën thundrën e vet. Ka provë ma të gjallë, që të dëshmojë se qysh shenjat e pa drejta shqelmohen e zhduken. Mbi atë monument gurësh, që për ne ishte gjer dje shenjë skllavërie kombëtare, bust i Skënderbeut. Ky do të jetë simboli i ynë i përjetshëm: na dhe bijtë tanë, të primun nga kujtimi i gjallë i Skënderbeut, kudo e kurdo, që të na thërras Atdheu do të vrapojmë më një dëshirë e një qëllim. ….

 

Në këtë rast e uroj dhe i parashtroi përgëzimet e mia e të popullit dibran skulptorit Odhise Paskali për veprën e përsosur të artit.”

Busti i Skënderbut u vendos në vend të mbretit serb Karagjerorgjoviç. Ky bust ua vriste sytë sllavokomunistëve, sa me pamjen serioze të Fatosit Kombëtar, aq edhe me simbolikën e të kaluarës që nuk shembëllente me të tanishmën shkruan Prof.Dr. Mentor Disha. Dhe në vjeshtë të vitit 1953, një të shtunë me shi e borë, qytetarëve të Dibrës iu përdhos dinjiteti kombëtar, ishte rrafshuar për tokë obelisku e rrethojat, ndërsa busti ishte fshehur diku nëpër zyrat e servilëve dhe të puthadorëve. Ata menduan gabimisht se me  këtë  akt vandal do ta shlyejnë kujtesën historike apo vetëdijen kombëtare, e cila jetoi dhe mbijetoi në kushtet më të egra që egzistonin.

 

 

Fotoja e kryetarit të Këshillit të Qytetit të Dibrës së Madhe, Shemsi Hatibi, 1942

 

 

Fotoja e anëtarëve të Këshillit komunal të qytetit të Dibrës

Pas 50 vjetësh, në Dibër, më 2 mars 2003, u rivendos shtatorja e Heroit tonë  Kombëtar  Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Për vendosjen e saj ndihmuan qytetarët dibranë, e sidomos mërgata dibrane në Amerikë. Shtatorja, punim i skulptorëve Muharrem Turkeshi dhe Agim Sela, u vendos në mes të qytetit, afër pllakës falenderuese të kosovarëve për mikpritjen dibrane më 1999.

Akti i zbulimit kulmoi me entuziazmin e qytetarëve pasi doli para syve tyre po ai Skënderbe, me shtatin e tij në stilin barok, në këmbë, me pamjen e njeriut që shpreh fuqinë dhe mençurinë për misionin e lartë kombëtar, që duket sikur don sërish të rivendos mbretërinë e nëpërkëmbur e të përdhosur nga padrejtësitë historike.

Dita e inaugurimit u shndërrua në një festë mbarëkombëtare; kishte aty mysafirë nga të gjitha qytetet e Maqedonisë, nga Kosova e Shqipëria.

Të gjithë ia uronin festën njëri tjetrit, kudo shihshe gëzim e buzëqeshje, kujtdo i shëndritshin sytë, kudo përqafim. Atë ditë të bukur me diell të këndshëm nuk kishte mbetur  kush nëpër shtëpia, të gjithë kishin ardhur për të dëgjuar fjalimet dhe për të shijuar programin festiv me Kastriot Tushën, Ilir Shaqirin e tj, me vallet dibrane, tetovare e labe.

Me këtë rast u organizua edhe një konferencë shkencore me temën ‘Skënderbeu dhe Dibra’. Temat e tyre interesante i lexuan studiuesit e njohur, si Kasem Biçoku, Moikom Zeqo, Jahja Drançolli, Mahmud Hysa, Mois Murra etj.

 

 

Busti i Skënderbeut ngrihet madhështor  në Tiranë Prishtinë, Shkup, Krujë, Dibër të Madhe, Peshkopi, Kukës, Mat, etj. Ai  është ngritur edhe në 12 qytete e kryeqytete të botës kudo ku ka shqiptarë.  Skënderbeu i bashkon shqiptarët edhe sot pas 553 vjetësh si dikur në Beslidhjen e Lezhës.

Fotoja e bustit të Skënderbeut , rivendosur në vitin 2003

Busti i Skenderbeut te kalaja e Kërçovës