Si shpëtuan të miturat nga 48-vjeçari/ Ja me çfarë i gënjeu dhe...

Si shpëtuan të miturat nga 48-vjeçari/ Ja me çfarë i gënjeu dhe i futi në shtëpi, 5-vjeçarja qau dhe …

578
0

Gjykata e Beratit ka zhvilluar dje seancën gjyqësore ndaj pedofilit 48- vjeçar, Sokol Kapinova. Ky i fundit është arrestuar katër ditë më parë nga Policia nën akuzën se ngacmoi seksualisht një vajzë 5- vjeçare. Prokuroria e Beratit, e përfaqësuar nga prokurori Tasim Puci, ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg”, masë që është pranuar dhe vendosur nga gjyqtari Kostika Çobanaqi, që e ka vlerësuar “të ligjshëm” arrestimin e tij. Edhe pse mediat nuk u lejuan në sallë gjatë dhënies së masës së sigurisë, për shkak të ruajtjes së anonimatit të vajzës 5- vjeçare, mësohet se Kapinova nuk ka shprehur asnjë pendesë për veprimin e kryer me të miturën, ndërkohë që asnjë avokat nuk ka pranuar ta mbrojë dhe atij i është zgjedhur nga Gjykata e Beratit një avokat kryesisht.

NGJARJA

Ngjarja e rëndë ndodhi 3 ditë më parë në lagjen “Barrikadë” të qytetit të Beratit. E mitura u ngacmua seksualisht nga fqinji i saj 48-vjeçar, Sokol Kapinova, që rezulton të jetë i njohur nga banorët e lagjes si përdorues i rregullt i alkoolit. Edhe pse Policia e Beratit nuk dha asnjë informacion në lidhje me dinamikën e kësaj ngjarjeje të rëndë, mësohet se 48- vjeçari e ka gënjyer vajzën 5-vjeçe së bashku me motrën e saj 7-vjeçe me ëmbëlsira dhe kumbulla, duke i futur të dyja brenda në banesën e tij. Më pas, ai ka futur në njërën nga dhomat 5-vjeçaren dhe e ka ngacmuar atë seksualisht.

Por kur e mitura ka filluar të qajë ai i ka lënë të dalin jashtë, pa menduar se motrat do t’u tregonin prindërve atë çfarë kishte ndodhur në banesën e tij. Nga vizita mjekësore që është kryer nga mjekët specialistë rezultoi se 5-vjeçarja kishte shenja të ngacmimit seksual.

48-vjeçari Sokol Kapinova rrinte shpesh dhe luante me fëmijët e lagjes në sheshpushimet përpara pallateve, por deri tani askush nga banorët e lagjes “Barrikadë” nuk ishte ankuar për sjelljet e tij ndaj fëmijëve. Ai jetonte i vetëm dhe banorët e lagjes e njohin si një person të alkoolizuar.

 

ABUZIMI

Sipas burimeve, mësohet se kanë qenë prindërit e të miturës ata që i janë drejtuar Policisë, duke bërë edhe denoncimin ndaj fqinjit të tyre. Mësohet se vajza e mitur në gjendje të rënduar psikologjike u ka treguar gjithçka prindërve se çfarë kishte ndodhur në banesën e Sokol Kapinovës.

Menjëherë ata janë paraqitur në komisariat, ku në praninë e një psikologie vajza e vogël ka treguar me detaje çdo veprim të 48-vjeçarit.

Ajo është trajtuar nga psikologë për disa ditë me radhë. Ndërkohë, kujtojmë që ky nuk është rasti i vetëm në vendin tonë, kur abuzohet seksualisht me vajza të mitura. Rasti më i afërt është përdhunimi i një 15-vjeçare nga roja i shkollës ku ajo studionte në Babrru.

Rasti në fjalë shkaktoi shumë reagime në vendin tonë, ndërsa abuzuesi i së miturës është shtetasi Abaz Dogu. Ky i fundit është mbyllur në qeli nga Gjykata e Tiranës, ndërsa rrezikon të marrë dënimin maksimal nga drejtësia shqiptare.

 

PANORAMA