DOSSIER

Si funksionoi sistemi i triskëtimit në Shqipëri në vitet 1946-1957! Tre tregjet, llojet e triskave dhe roli i zyrës së posaçme

By vizional

April 20, 2019

*Nga Kreshnik KUÇAJ

 

Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri nisi një proces i riorganizimit rrënjësor të ekonomisë. Ardhja në pushtet e komunistëve do të shoqërohej nga një proces i shpejtë dhe i fortë shtetëzimesh që gradualisht do ta kalonte çdo veprimtari ekonomike në duart e strukturave shtetërore. Kështu do të ndodhte edhe me tregtinë. Veç tatimit të jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës u ndërmor edhe procesi tjetër; riorganizimi i mënyrës së funksionimit të tregjeve në vend. Çështja e furnizimit të popullsisë me sende të ndryshme të konsumit të gjerë do konsiderohej një problematikë shqetësuese e pushtetit të ri të dalë pas luftës. Në këtë periudhë, u mor vendimi për disiplinimin e shpërndarjes së mallrave ushqimore e joushqimore përmes furnizimit të garantuar të sendeve më të domosdoshme me anë të sistemit të Triskëtimit Shtetëror.

Një praktikë të ngjashme ishte ndjekur edhe më herët në Bashkimin Sovjetik dhe në shumë vende të tjera, ku ushqimet dhe sendet e tjera të konsumit të gjerë do të racionoheshin dhe jepeshin përmes disa kuponëve të veçantë. Kjo çështje është trajtuar me detaje nga studiuesit e njohur të ekonomisë Iljaz Fishta dhe Veniamin Toçi te “Ekonomia e Shqipërisë në vitet e para të ndërtimit socialist”, botim i Akademisë së Shkencave i vitit 1984. Pasi u trajtua problemi në furnizimin e bukës, në gusht të vitit 1946 Këshilli i Ministrave vendosi që për një kohë të shkurtër të vihej në veprim furnizimi me triska për artikujt kryesore ushqimorë: buka, vaji, sheqeri, mielli, makaronat, mishi, sapuni etj.

Ministria e Ekonomisë u ngarkua me detyrën që të bënte përgatitjet e nevojshme organizative e teknike, të përcaktonte sende ushqimore që do të racionoheshin dhe të mbikëqyrte funksionimin e mirë dhe zbatimin e rregullt të sistemit të furnizimit të garantuar me triska

 

Llojet e triskave

 

Me 3 shtator të vitit 1946, Ministria e Ekonomisë nxorri një urdhëresë me penalitete lidhur me pajisjen e punonjësve me triska buke e ushqimi si dhe një rregullore mbi llojet e triskave, mbi kriteret e lëshimit të tyre etj.

 

Në bazë të urdhëresës së Ministrisë së Ekonomisë viheshin në qarkullim disa lloje triskash:

 

-triska ordinere vetjake për bukë

 

-triska ordinere familjare për sendet ushqimore

 

-triska vetjake për bukë e për ushqime për punëtorët që kryenin punë të lehta

 

-triska vetjake për bukë dhe për ushqime për punëtorët që kryenin punë të rënda

 

-triska plotësuese vetjake për sende ushqimore për fëmijët deri 18 muajsh

 

-triska plotësuese vetjake për sende ushqimore për fëmijët nga 1.5-7 vjeç

 

-triska plotësuese vetjake për sende ushqimore për gratë shtatzëna.

 

Triskat nuk mund të tjetërsoheshin në asnjë rast pasi përndryshe kishte penalitete.

 

Zyra e Triskëtimit

 

Me administrimin e triskave merrej një zyrë e posaçme, Zyra e Triskëtimit që vepronte në Komitetin Ekzekutiv të Këshillave Popullore në çdo rreth. Triskat konsideroheshin letra me vlerë dhe Zyrat e Triskëtimit në fund të çdo muaji mbyllnin llogarinë e triskave të shpërndara dhe të ardhurat i derdhnin në Bankën e Shtetit për llogari të Ministrisë së Ekonomisë.

Autorët evidentojnë se “me qëllim që të mënjanohej kalimi dhe përdorimi i triskave nga njëri qark në qarkun tjetër, gjë që do të sillte çregullime në skemën e furnizimin të popullatës, triskat e çdo qarku kishin serinë e tyre të veçantë që i bënte të papërdorshme në qarqet e tjera”.

 

Furnizimi i garantuar me triska për artikujt ushqimorë kryesorë hyri në fuqi në nëntor të vitit 1946.

 

Për të parë herë vendosej një sistem njësor i furnizimit të garantuar me sendet ushqimore më të domosdoshme për njeriun.

 

Sa triska u shpërndanë

 

-me triska buke ordinere (të zakonshme) u pajisën 162 mijë e 236 familje

 

-me triska buke të për punë të lehtë u pajisën 37 mijë e 455 punonjës

 

-me triska buke për punë të rëndë u pajisën 33 mijë e 268 punonjës

 

-me triska ushqimi ordinere u pajisën 1 milion e 12 mijë e 485 vetë

 

-me triska ushqimi për punë të lehtë u pajisën 35 mijë e 160 punonjës

 

-me triska ushqimi për punë të rëndë u pajisën 28 mijë e 986 punonjës,

 

-me triska ushqimi plotësuese u pajisën 3 mijë e 693 gra shtatzëna, 13 mijë e 726 fëmijë të moshës deri në 18 muaj dhe 48 mijë e 711 fëmijë të moshës 1.5 deri në 7 vjeç.

 

 

Triska për veshjet

 

Shitja e artikujve të veshmbathjes në këtë kohë ishte e lire e me çmime të ndryshme. “Kjo gjendje, u vlerësua nga strukturat shtetërore të kohës se sillte çrregullime në furnizimin e punonjësve me artikuj të tillë prandaj nuk mund të vazhdonte. Ministria e Ekonomisë u ngarkua që të studionte çështjen e të paraqiste propozime konkrete për mënyrën e furnizimit të popullit me artikuj të veshmbathjes” evidentojnë Fishta dhe Toçi në studimin e tyre.

 

Në maj të vitit 1947 hyri në fuqi sistemi njësor i triskëtimit edhe për këta artikuj.

 

Triska përmbante një numër të caktuar pikësh të ndara për artikujt kryesore të veshmbathjes pallto, kostum, këmishë, fanellë, çorape, stof, pëlhurë, këpucë. Sasia e pikëve ishte e ndryshme për artikuj të ndryshëm.

 

Në këtë mënyrë sistemi i furnizimit të garantuar me triska përfshiu si artikujt ushqimorë kryesorë, ashtu edhe artikujt kryesorë të veshmbathjes. Kjo lëvizje I dha mundësinë strukturave shtetërore që të disiplinonin shpërndarjen e fondeve por edhe për të zgjeruar më tej ndikimin mbi tregun privat.

 

Sistemi i furnizimit me triska, sipas dy studiuesve të njohur, ishte në parim një masë e domosdoshme për kushtet e atëhershme  por në fillim pati të meta e gabime të cilat vështirësonin furnizimin e punonjësve.

 

Sistemi i tre tregjeve

 

Me triska përveç punëtorëve e nëpunësve dhe familjarëve të tyre, pajiseshin edhe fshatarët. Fshatarët, duke qenë të garantuar nga shteti për furnizimin e artikujve industrialë me çmime të lira, sipas studiuesve “nuk e ndjenin veten të detyruar që të çonin në kooperativat e shitblerjes ato produkte që nuk i nënshtroheshin detyrimit”. E në këtë mënyrë, zhvillohej edhe ai që për politikën e kohës konsiderohej si “tregu i zi” i produkteve bujqësore e industriale.

 

Për këtë qëllim u morën masa që u konkretizuan në sistemin e ri të grumbullimit e të furnizimit, parimet e të cilit u miratuan në vitin 1949.

 

Me hyrjen në fuqi të këtij sistemi në tremujorin e parë të vitit 1949 rregullohej këmbimi i produkteve industriale me produktet bujqësore dhe furnizimi i punonjësve të qytetit me artikujt më të domosdoshëm,

 

Ky sistem mbështetej në organizimin e tri lloj tregjeve paralelisht: në tregun e garantuar shtetëror, në tregun reciprok dhe në tregun e lirë.

 

Tregu i garantuar shtetëror furnizonte në bazë të triskave punëtorët e nëpunësit dhe familjet e tyre si dhe punonjësit e kooperativave të artizanatit. Ky treg i furnzionte punonjësit në mënyrë të garantuar e me çmime të ulëta me bukë,  miell, makarona, sheqer, oriz, sapun, kripë, vaj, kafe, tekstile të pambukta e të leshta, me këpucë etj. Popullata furnizohej me këto produkte nëpërmjet dyqaneve të shtetit dhe kooperativave të konsumit e të shitblerjes.

 

 

 

(Foto mësipër: Tregu i Tiranës, BSB)

 

Tregu reciprok furnizonte fshatarësinë nëpërmjet këmbimit të atyre që konsideroheshin si “teprica” të produkteve bujqësore me mallra industriale, ushqimore e joushqimore të nevojës së përditshme.

 

Fshatarët që dorëzonin teprica në ndërmarrjet e grumbullimit përveç çmimit të shitjes gëzonin të drejtën të tërhiqnin në dyqanet e shtetit ose nga kooperativat e shitblerjes mallra konsumi kundrejt pagesës.

 

Ata pajiseshin me Kuponë Simulacioni të cilat ishin letra me vlerë sepse shërbenin për të blerë mallra në dyqanet e shtetit ose të kooperativave.

 

Për çdo kuintal misër të shitur fshatari kishte të drejtë që të merrte apo blinte 5 metra pëlhurë pambuku dhe 3 rrotulla penj. Për çdo kuintal fasule të cilësisë së parë ose për çdo kuintal oriz fshatari kishte të drejtë të blinte 8 metra pëlhurë pambuku, tri rrotulla penj dhe një shami koke.

 

Tregu i lire, ku çmimet ishin më të larta, furnizonte atë kategori njerëzish që nuk ishin pajisur me triska.

 

Në këtë treg, për nevoja plotësuese që mund të lindnin, furnizoheshin edhe ata që ishin pajisur me triska ose me kupona të tregut reciprok.

 

Pra, ai ishte një treg për të gjithë sipas nevojave dhe leverdisë.

 

Diferenca e çmimeve dhe klasa që pagoi më shtrenjtë

 

Në të tre tregjet vepronin çmime të diferencuara, gjë që lidhej me politikën shtetërore që diferenconte klasat e ndryshme të shoqërisë.

 

Çmimet e tregut të garantuar që furnizonte me anë të triskave ishin shumë të ulëta dhe mbanin parasysh fuqinë blerëse të punëtorëve e të nëpunësve. Çmimet e tregut reciprok ishin edhe ata të ulëta por më të larta se ato të tregut të garantuar.

 

Çmimet në tregun e lirë ishin disa herë më të larta se ato të tregut të garantuar dhe tregut reciprok.

 

Kjo politikë çmimesh lejonte furnizmin e punonjësve të qytetit e fshatit me sendet më të domosdoshme të konsumit, në kushtet kur burimet e shtetit për sende të tilla ishin të kufizuara ndërsa nga ana tjetër vlerësohej për kohën se godiste “konsumin e tepruar”, sidomos atë që emërtohej në atë kohë “konsumi parazitar”. Por organizimi i tregtisë në këtë mënyrë jo vetëm mundësonte mbajtjen nën kontroll të konsumit por gjithashtu kishte edhe qëllime që në fakt garantonin më shumë të ardhura në arkën e shtetit por që njëkohësisht godisnin shtresa të caktuara të shoqërisë, sidomos ata që konsideroheshin si armiq të pushtetit apo kulakë. Këta të fundit nuk kishin të drejtën e pajisjes me triska, çka i detyronte ata që t’i blinin produktet shumë më shtrenjtë se pjesa tjetër e popullatës.

 

 

 

(Fotoja mësipër: Ofner Károly / Fortepan)

 

Ky fakt pranohej zyrtarisht edhe nga autoritetet dhe ishte një synim i shpallur qartë dhe publikisht.

 

Në këtë periudhë nuk mungojnë as kundërshtitë ndaj sistemit të ri të furnizimit. Me argumentin se po përpiqeshin të spekulonin me triskat e tregut të garantuar dhe me kuponët e tregut reciprok apo me mallrat që bliheshin me to, organet shtetërore kanë realizuar një seri seri goditjesh ndaj atyre që tentonin të falsifikonin triskat apo që mundoheshin të gjenin shtigje për sigurimin e mallrave por që në fakt cilësoheshin si “dëmtues të pronës” e ndëshkoheshin.

 

Sipas studiuesve, kur u vendos sistemi i furnizimit me tri tregje, ishte menduar si sistem i përkohshëm dhe do të përdorej deri kur të forcohej e shtohej prodhimi i të mirave materiale e të sendeve të konsumit të gjerë nga industria, bujqësia dhe nga degët e tjera të ekonomisë socialiste. E sipas tyre, kjo u arritt në vitet 1956-1957.

 

Megjithatë, duhet pranuar fakti se racionimi i mallrave dhe mbajtja e konsumit në nivele minimale ishte një politikë që në një mënyrë apo tjetër, vijoi përgjatë gjithë kohës së aplikimit të ekonomisë së centralizuar në Shqipëri.