DOSSIER

“Si e pashë Ismail Kadarenë në kafe me agjentin e sigurimit”

By vizional

September 09, 2019

Në romanin “Josifopedia” botuar nga Mapoedition, Rikard Ljajra tregon se si ka qenë në Kafe Flora në kohën kur shkrimtari i madh Ismail Kadare u ul me një spiun. Aktori i cili njihej për pasionin e tij për shkrimin që gjatë kohës së komunizmit, si autor i një sërë skenarësh, do ta kuptonte nga qëndrimi i Kadaresë se kjo kafe ishte e sikletshme për të. Ai përshkruan me detaje një skenë që dhe vetë shkrimtari ia ka treguar Alda Bardhylit.

 

“Pas viteve 70-të pas tensioneve që solli “Dimri i madh”, Kadare u vendos nën përgjim. Skena që më poshtë tregohet nga Ljarja është një skenë që vetë shkrimtari e ka treguar në librin që po përgatis për të. Ka qenë Neshat Tozaj, shkrimtar i cili gjatë kohës së diktaturës ka punuar si ekspert i kriminologjisë pranë Ministrisë së Mbrojtjes,  i cili pasi humb besimin tek shteti dërgohet të punojë në Kinostudio dhe kishte miqësi me Kadarenë . Një ditë ai e telefon Kadarenë dhe i thotë të ketë kujdes pasi është nën përgjim.

 

Të mërkurën i thotë, do të vijë një agjent, ish shoku yt i gjimnazit do të marrë për kafe. Ka mikrofon me vete e do të bëjë biseda delikate me ty. Ki kujdes të mos kuptohesh se e di se ndryshe kjo do të më kushtojë shumë, i thotë Neshati”, thotë Bardhyli. Sipas saj, të mërkurën Kadare është telefonuar nga shoku i gjimnazit dhe kanë lënë të pinë kafe në Kafe Flora.

 

Kadare do ta kalonte sikletin duke bërë biseda të përgjithshme mbi Shqipërinë socialiste e letërsinë. “Ajo çfarë është interesante është fakti që pikërisht ish shoku që u dërgua ta spiunonte kishte bërë raporte pozitive për të. E kishte mbrojtur në mënyrë indirekte kaq bukur, sa nuk mund ta mbronte asnjë avokat i madh”, thotë Bardhyli.

 

Por kjo histori ka dhe anën tjetër, atë që vjen përmes rrëfimit të Rikard Ljarjes, i cili tregon se si kanë qëndruar në “Kafe Flora”, Kadare dhe agjenti i Sigurimit të Shtetit. Më poshtë po botojmë përshkrimin që ai i bën asaj mbasditeje në Shqipërinë komuniste në romanin “Josifopedia” nga Mapoedition.

 

 

 

(Pjesë nga libri “Josifopedia”, Mapoedition)

 

Dera e kafes u hap. Josifi u ngazëllye, nuk e kishte parë kurrë kaq afër. Ishte ai: Ismaili. I përveçmi. Ai hodhi një shikim të shpejtë rreth e rrotull dhe u drejtua nga qoshja në të majtë. Josifi vuri re se takat e këpucëve i kishte të ngrëna anash. A thua të ishte dystaban? E ç’rëndësi ka, është apo s’është dystaban apo se i janë ngrënë kaq shumë takat e këpucëve anash! Ai është Ismaili. Emri i tij ishte bërë i përveçëm si i askujt tjetër.

 

Mbrapa i shkonte një fytyrë e njohur po që Josifit nuk i kujtohej emri, edhe ai si biçim shkrimtari. Ismaili u ul me kurriz nga dritarja e madhe që shihte në Rrugën e Durrësit. Kurse ai tipi u ul përkarshi Ismailit dhe me kurriz nga Josifi. Çuditërisht ishin të dy të kontraktuar. Seç kishin në mes tyre: ajër? Ajër. Po edhe ajri transparent në mes tyre ishte i çuditshëm.

 

Një herë Josifit ajri iu duk si i pabesë, dhe herën tjetër si mburojë, si barrikadë që të mbron. “E pse po arsyetoj në këtë mënyrë”, ‒ mendoi Josifi!? “Në mënyrë surrealiste! Ajri është ajër.” Pas pak në kafe pati një lëvizje. Ai tipi që të zhbironte me sy rrëshqiti si gjarpër me gjithë filxhanin e kafesë në dorë dhe zuri një vend më afër Ismailit dhe atij tjetrit si biçim shkrimtari.

 

A thua të ishte në dijeni ky tipi për këta dy vizitorët. Dielli që po perëndonte ngadalë në Rrugën e Durrësit i krijonte një aureolë gjithë figurës së Ismailit. Sa do të donte t’ia shtrëngonte dorën dhe t’i thoshte … çfarë t’i thoshte … Josifi nuk dinte se çfarë mund t’i thoshte.

 

Dinte një gjë, që kur i lexonte librat e tij, gërmonte në mes të rreshtave të zbulonte të vërtetat, ato të vërteta që mjeshtri nuk mund t’i thoshte me zë të lartë. Dhe nga ato kishte plot. Pastaj i shkoi në mendje: “Çne në këtë kafe Ismaili?”. Shkrimtarët kishin kafen e tyre aty te Lidhja e Shkrimtarëve, apo do të bënin një bisedë më delikate, se aty te kafja e Lidhjes?

 

Seç pëshpëritej në institut: se në Lidhje vazhdojnë diskutimet për letërsinë, që disa shkrimtarë me tendenca borgjeze-revizioniste … se Plenumi …

 

Ah, këta të paaftët, po të zunë në ndonjë qoshe të bëjnë gropën, janë shpifarakë, ambiciozë, dredharakë, hipokritë …

 

Josifi e hodhi edhe një herë shikimin andej ku ishte Ismaili. Ai ishte i tendosur, por e ruante qetësinë. Kurse ai me kurriz, ai i paemri ishte kontraktuar aq shumë sa kurrizi i kishte ngrirë deri te qafa.

 

Se si iu duk Josifit: qafë spiuni. Apo ishte ngrirë se kishte të montuar diçka poshtë rrobave, ca tela, ca … që edhe mund të të regjistronin. Pati ndjesinë se atje diçka po luhej, diçka e errët. Pse i shkoi mendja për keq?! Intuitë? Nuk e kuptoi. Por çdo sekondë që kalonte i shtohej ndjesia se ata të dy, aty përballë njëri-tjetrit …

 

Ismailit ia shihte edhe fytyrën. Mbas syzeve ishin një palë sy të rreptë, të vendosur, që të shponin, që nuk i përballoje dot, që nuk të linin mëdyshje. Zërin nuk ia dëgjonte, po ishte i bindur që ishte një zë që shqiptonte fjalë të sakta që nuk linin asnjë dyshim, që s’binin në asnjë kurth.

 

Ky i paafti nuk e mundte dot Ismailin. Kurse ai i “çmenduri” ishte gjithë sy e veshë. O Zot, çfarë po luhet aty, çfarë po kurdisej!? Ndoshta një tragjedi? Një tragjedi me të gjitha rregullat? Me një akt? Apo do të ishte klasike, me katër akte? Dhe Josifi duhet të ishte dëshmitar okular? “O budalla, ‒ mendoi për veten Josifi, ‒ pse të shkon mendja në të tilla çmendurina?

 

Ata po flasin për letërsinë, ose ndoshta thjesht për seksin… Ismaili është ndihmësi më i madh i Partisë. Poemat për partinë i ka fantastike. Të gjithë i kemi mësuar përmendsh dhe i recitojmë.”

 

Pastaj papritur mendoi: “A janë garanci poemat për Partinë?”. Apo janë një mjet, një dredhi, një marifet për t’i hapur rrugën për ca botime të tjera, për ca botime që s’kanë lidhje me realizmin socialist? Deri sa më shkon mendja mua, pse mos t’u shkojë edhe atyre? Prapë u doli “atyre”. “Ne, dhe Ata”. Prandaj … Për asnjë nuk ka siguri … Në këtë diktaturë të proletariatit nuk ka vlerë ajo shprehja: “Këtij edhe mbreti s’ka çfarë i bën”.

 

Dera e kafe “Florës” filloi të hapet e të mbyllet dhe kafja po mbushej me klientë. Duket ishte ora. Tashti me zërin monoton e të lodhshëm të radios u ngatërrua edhe zukama e zërave të klientëve që sa më shumë që kalonte ora, shtohej.

 

Ismaili dhe ai tjetri u ngritën dhe dolën. Josifi i shoqëroi me sy edhe që mbas xhamit të dritares. Nuk vuri re asgjë të jashtëzakonshme, përveç takave të këpucëve që i ishin ngrenë si tepër anash. “E pse po mendoj mbrapsht?! Pse po bëj gjithë këto hamendje?!” Ndezi edhe një cigare tjetër. E thithi fort dhe ngadalë e nxori tymin nga goja.

 

“Nuk jam mirë, ‒ mendoi, ‒ po shoh gjithkund komplote e intriga.

 

Ç’po më ndodh? Ndoshta e gjithë kjo atmosferë mbledhjesh, e denigrimesh. Arrestime: regjisor, shkrimtar, ministra, poet.

 

Ndoshta. Edhe Ajo më është ngatërruar… nuk e zgjidh dot. Më është ngjitur e rrotulluar si kulpër dhe po me merr frymën, shpirtin. Po do ta heq nga mendja. Nuk do ta takoj më. Betohem.”

 

U ngrit dhe doli me mendimin që nuk do të hynte më në këtë kafe….

 

 

 

Burimi: Konica.al