Sekretari i FSHF, Ilir Shulku shpreson që futbolli në vendin tonë të mund të rifillojë më datë 31 të muajit maj. Shulku thekson se nëse fillohet aktiviteti brenda kësaj date, atëherë nuk do të kishte shumë ngjeshje të kalendarit. Ndër të tjera në një prononcim për “Dribbling” në Fax News, Shulku shprehet se e mira do ishte të kishte testime para rifillimit, ndërsa në dispozicion të klubeve pritet të jetë një dyjavësh për të rimarrë formën sportive.
“Shpresojmë të gjithë që të fillojmë në 31 maj, ashtu siç ka premtuar qeveria. Nëse ndodh kështu, është një datë shumë e mirë, pasi nuk cënohet aspak kalendari dhe nuk do të kemi ngjeshje të ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë. Në këtë mënyrë do të përfundojmë në fillim të gushtit. Po komunikojmë vazhdimisht me klubet dhe do të caktojmë një afat për të rinisur përgatitjet e plota. Mendoj se dy javë përgatitje janë mëse të mjaftueshme për skuadrat që të marrin veten”.
Testimi anti-koronavirus për skuadrat? “Nuk kemi komunikuar ende me Ministrinë e Shëndetësisë, por do të diskutojmë më tej. E mira do të ishte që të gjithë të kryenin teste. Nëse do të ketë rënie të numrit të të infektuarëve, mendoj se Ministria e Shëndetësisë do ta lejojë rifillimin e grumbullimeve të skuadrave”, tha Shulku.