Shtyhet sërish seanca gjyqësore për Saimir Tahirin

Shtyhet sërish seanca gjyqësore për Saimir Tahirin

380
0

Është shtyrë sërish seanca gjyqësore për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Gjykata për Krimet e Rënda ka vendosur që seanca e radhës të zhvillohet më 17 korrik, për shkak se duhet të saktësohet prokurora për Gjergj Kohilën, ish-shefi i sektorit të luftës kundër krimit të organizuar në drejtorinë e Qarkut Vlorë, i cili ndodhet në arrati. Tahiri u paraqit që në orën 09:00 në Gjykatën e Krimeve të Rënda së bashku me avokatin e tij Maks Haxhia.

“Keq me vjen qe u shty prapë dhe unë do vazhdoj te kërkoj qe te zhvillohet sa me shpejte. Shqipëria po ecën para dhe gjyqi im ka ngecur” tha Tahiri në dalje të gjykatës.

 

Në seancën e fundit në 19 qershor ish-ministri tha se është i lodhur nga zvarritja e këtij procesi dhe ka kërkuar gjykim të shkurtuar.

 

Tahiri akuzohet për “korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “grup të strukturuar kriminal” në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.