Shtëpi dhe punë e re për pjesëtarët e familjes Luri në Tiranë,...

Shtëpi dhe punë e re për pjesëtarët e familjes Luri në Tiranë, Veliaj dhe Rama japin lajmin e mirë

369
0

 

Familja e Dallëndyshe Lurit, e cila u godit nga tërmeti i 26 nëntorit e humbi strehën, sot, njësoj si mijëra familje të tjera të prekura është sistemuar në një shtëpi me qira.

Deri në ndërtimin e shtëpisë së re apo meremetimin e shtëpisë së dëmtuar, familja e Dallëndyshes dhe të gjitha familjet që kanë humbur shtëpinë në qytetet e prekura, përfitojnë nga Bashkia e Tiranës bonusin e qirasë.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se do të bëhet një vlerësim i thelluar i të gjitha godinave dhe i pallateve të cilat janë dëmtuar nga tërmeti. “Duhet një studim i thelluar inxhinierik. Duhet marrë opinioni i ekspertëve që duhet të shemben apo mund të meremetohen. Vlerësimi paraprak është bërë, janë të gjitha në listë të inventarizuara. Tani do bëhet vlerësimi final, se çfarë do bëhet më këtë pallat. Pra të jemi në rregull jo vetëm nga pikëpamja ligjore, por edhe nga ajo teknike”, tha Rama.

Kreu i Bashkisë u shpreh se falë bonusit të qirasë, familjet e prekura nga tërmeti nuk kanë ndryshuar as ekosistemin ku jetojnë. “E mira e kësaj gjëje është se të gjithë vazhdojnë jetën normalisht. Gruaja shkon në punë, djali në kopësht. Ekosistemi i jetës normale nuk ka lëvizur. Edhe ne kjo gjë na jep një komoditet, që mos i bëjmë me ngut këto ndërtesat e reja. Dhe kemi gjithë kohën e nevojshme për t’i thënë inxhinierëve kryeni këto testet e betonit, të hekurit, që pastaj të marrim një vendim dhe mos t’i bëjmë gjërat me ngut”, deklaroi Veliaj.

Ndërkaq, një lajm i mirë është edhe për djalin e  shtëpisë, i cili është i papunë. Kryebashkiaku Veliaj siguroi punësimin e  tij në flotën e re prej 300 taksish elektrike që do të qarkullojë në kryeqytet. “Sapo kemi marrë një aplikim në Tiranë për 300 taksi elektrike, ata janë duke propozuar 300 shoferë për taksi elektrike. Pas vendimit që morët ju në fund të vitit që e bëtë  taksën zero për mjetet elektrike që janë me zero ndotje është shtuar shumë interesi edhe për autobusë, edhe për taksi”, tha Veliaj. Në këtë mënyrë, familja Luli ka jo vetëm një strehë të ngrohtë  gjer në sistemimin e tyre përfundimtar në një banesë të re, por edhe të ardhura shtesë.