Shtatoret e Skënderbeut dhe Jasharit, plas debati: Të turpshme, deformim historie

Shtatoret e Skënderbeut dhe Jasharit, plas debati: Të turpshme, deformim historie

281
0

Gjergj Kastriot Skënderbeu, Heroi ynë Kombëtar, dhe Adem Jashari, luftëtari legjendar i Luftës Çlirimtare të Kosovës, kanë mbërritur në qytetin e Lidhjes. Ka qëlluar që ditëlindja e Adem Jasharit të jetë pikërisht këtë ditë, ndaj edhe simbolika e kësaj dite bëhej edhe më e fortë. Skulptura e Skënderbeut u vendos në qendër të qytetit, në rrugën “Hasan Prishtina”, ndërsa Jashari në një qendër tregtare.

 

Vendosja e dy punëve në bronz u shoqërua me ceremoni modeste, për shkak të pandemisë Covid-19, por gjithsesi nuk kanë munguar autoritete të qeverisjes qendrore e lokale.

 

“Skënderbeu dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit bashkohen në kryeqytetin historik të Kosovës së Adem Jasharit. Sot na bashkohen datat, figurat historike dhe qëllimet e tyre, që u bllokuan dhe copëtuan nga konferencat ndërkombëtare, por vullneti dhe përpjekja e popullit s’u shua kurrë. Duke e ndjekur Skënderbeun, vëllezërit Frashëri, Ymer Prizrenin, Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën në këtë datë të shënuar, u bë edhe paraqitja e parë publike e UÇK-së. Falë sakrificës së të cilës ne jemi këtu të lirë, por ende kemi shumë punë për të bërë para nesh”, u shpreh kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka. “Prizreni është qytet historik i shqiptarëve, andaj edhe Skënderbeu duhet të jetë aty ku është historia, pra në Prizren… Shtatorja e Skënderbeut, përveç rrugëtimit të saj nga puna e skulptorit Sinan Alija e deri në vendosjen këtu, ka pasur edhe sfidat e veta në aspektin tekniko-administrativ, për të cilat ne si drejtori kemi punuar pa ndërprerë dhe me shumë vullnet dhe përkushtim për ta sjellë në Prizren”, u shpreh ai.

 

Haskuka tha se shembujt historikë duhet të shërbejnë për të kaluar sfidat që ka vendi përpara.

 

KRITIKAT

 

Do të duhej të kishte qenë një festë vendosja e dy shtatoreve në Prizren, por në të vërtetë ato kanë ngjallur mjaft reagime jo vetëm në Kosovë, por në mbarë shqiptarinë. Duket se skulpturat jo vetëm që nuk janë pëlqyer, por janë konsideruar edhe si fyerje e tallje me dy figurat e mëdha të kombit. Skulptura e Skënderbeut, rraskapitur luftërash, është realizuar nga skulptori Sinan Aliaj, ndërsa ajo e Adem Jasharit, që herë të ngjan si një babëlok me dylbi në qafë e herë si REAGIMET DEBATI PER SHTATORET Marksi, nuk bëhet me dije se nga kush është realizuar, përveç faktit që është financuar nga një familje nga Prizreni. Reagimet në Kosovë kanë qenë të ashpra, jo vetëm nga qytetarë, por edhe politikanë.

 

“Marrëzitë tona kolektive në reprezentimin e historisë sonë përmes artit publik dhe jo vetëm. Ne po i fyejmë në emër të nderimit. Sa e turpshme dhe e dhimbshme për të gjithë ne. Kjo gjë duhet të ndalojë, si për ata që në emër të artit kanë shëmtuar e degraduar hapësirat tona publike e si për porositësit që në emër të lavdisë mbyllin sytë para këtyre lloj ‘veprave’ që na fyejnë të gjithë pa dallim e më së shumti këto personalitete. Lavdi marrëzisë”, ka shkruar Eliza Hoxha e PDK-së.

 

Ashpër ka reaguar edhe Blerta Deliu e PDK-së. “Shtatoret nuk janë ‘flyer-a’ elektorale për një përdorim. Ato monumentojnë një ngjarje apo epokë historike. Me të njëjtin seriozitet të trajtimit të historisë duhet gdhendur edhe figurat që identifikojnë periudhat e caktuara historike. Shpërfytyrimi i këtyre figurave, në esencë, deformon dhe vetë historinë. Sa i respektojmë, e tregojmë në mënyrën se si i kujtojmë!”, ka shkruar Deliu.

 

Po ashtu, ka reaguar edhe koordinatori për Siguri Kibernetike, Zafir Berisha, e po ashtu edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Madje, Ahmeti ka paralajmëruar se nëse shtatorja e legjendës së futbollit Fadil Vokrri është e njëjta me maketin e prezantuar, atëherë nuk do të lejohet vendosja e saj. “Sot jam edhe më i bindur. Në qoftë se shtatorja e Fadil Vokrrit është e njëjta me maketën e prezantuar më herët, ku lidhje me Fadilin s’ka, nuk do ta lejojmë vendosjen. Shtatorja e Bill Clinton tashmë është landmark, me bo fotografi për të qeshur. Ndoshta duhet me e lënë këtë punën e shtatoreve. Na ka mbet ajo e komandantit Adem Jashari, për të cilën jemi dakorduar me familjen Jashari që në Prishtinë duhet të jetë ndryshe. Ndoshta me të fillon etapë e re e shtatoreve, me porosi e jo me karikatura. Urime dita e flamurit!”, ka shkruar Ahmeti në “Facebook”.