Aktualitet

Shqiptarët heqin dorë nga kafja

By vizional

March 12, 2018

Importet e kafesë shënuan ulje për herë të parë gjatë vitit 2017, pas një rritje të qëndrueshme vit pas viti që kur Shqipëria u përfshi në ekonominë e tregut. Produkti aq popullor në tryezat e shqiptarëve, gjithashtu është lënda e parë për mbi 18 mijë biznese që shërbejnë kafe. Ministria e Financave raportoi zyrtarisht se importet e kafesë ishin 4.6 për qind më të ulta në vitin 2017 se një vit më parë. Vitin e kaluar janë importuar 8485 tonë kafe ose 409 tonë më pak se në vitin 2016. Kjo ishte hera e parë të paktën që nga viti 2007 që importet e produktit vijnë më rënie. Ekspertët e tregut pohojnë se importet po reflektojnë konsumin në rënie të këtij produkti. Kjo po reflektohet edhe në tranzicionin që po kalojnë bar-kafetë, disa prej të cilave në zonat më popullore të Tiranës po zhvendosen ne aktivitet te tjera. Gjithashtu ulja e numrit të konsumatorëve prej emigrimit të lartë ka ndikuar konsumin e kafesë. Disa lokale në zonën ish bllokut në Tiranë kanë pohuar rënie të frekuentimit nga klientët. Teksa importet janë ulur, çmimi më pakicë i kafesë është rritur. Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2017, çmimi i kafesë pësoi një rritje vjetore me 1.2%, niveli më i lartë që nga viti 2013. Ka disa paradokse në biznesin qe kafesë. Shqiperia megjithëse ke numrin më të lartë të bizneseve të bar kafesë në Europë, konsumin e kafesë për frymë e kemi ende të ulët. Nga të dhënat e përpunuara nga Monitor, bazuar në importin e publikuar nga Doganat dhe shifrat e popullsisë së INSTAT, një shqiptar konsumon mesatarisht 3.1 kg kafe në një vit, më e ulëta në rajon. Të parët në rajon për konsumin më të lartë të kafesë janë serbët. Një serb konsumon mesatarisht 5.4 kilogramë kafe për frymë. Të dytët renditën boshnjakët me 4.3 kilogramë për frymë. Ndër vendet me konsumin më të lartë për frymë të kafesë janë Vendet Skandinave. Vendi i parë në botë për konsumin e kafesë është Finlanda me 9.1 kilogramë kafe për frymë në vit. Të dytët me konsum të lartë renditen norvegjezët, të cilët sipas të dhënave, konsumojnë rreth 7.2 kilogramë për person gjatë një viti. Sipas të dhënave më të fundit të Anketës Strukturore të INSTAT-2016, në Shqipëri numri i bar-kafeve e restoranteve arriti në 18,795 (14,200 bare dhe 3,965 bar restorante), me një rritje prej 6.3% në raport me vitin e mëparshëm (janë hapur rreth 1200 bar-kafe të reja në një vit dhe janë mbyllur 96 bar-restorante). Në raport me popullsinë prej 2.87 milionë banorësh, në Shqipëri ka 654 bar-kafe për 100 mijë banorë, sipas përllogaritjeve të “Monitor”, ose 1 bar kafe për 152 banorë. Shqipëria ia kaloi në 2016-n edhe Spanjës, e cila deri tani mbante rekordin në Bashkimin Europian (BE) dhe në botë për numrin e lartë të bar-kafeve për banorë, me 592 bar kafe për 100 mijë banorë, ose një bar-kafe për 169 banorë, sipas një studimi të fundit të BE.