Lajme

Shqipëria zbret sot në fushë kundër Anglisë për ndeshjen e jetës, i gjithë ekipi ynë nuk kushton sa lojtari më i mirë i tyre

By vizional

November 12, 2021

Kombëtarja shqiptare e futbollit do luajë sot takimin historik ndaj Anglisë. Në Wembley kuqezinjtë kërkojnë që të marrin maksimumin edhe pse e dinë se është tepër e vështirë, kjo për fakt se përballë kanë kombëtaren që pozicionohet në vendin e tretë renditjen botërore. Plot 63 vende i distancojnë me njëra-tjetrën, por shpesh fusha ka treguar se të tilla diferenca nuk janë efektive. Vlera e kombëtares së drejtuar nga Southgejt në treg sipas Transfermarkt është 1.21 miliardë euro, ku natyrisht më i kushtueshmi është Harri Kejn që vlen më shumë se i gjithë grupi i kombëtares sonë, me 120 milionë euro vlerë në treg. Kuqezinjtë tanë kanë një vlerë tregu prej 75 milionë euro.

Më i vlefshmi nën urdhrat e trajnerit Reja është mbrojtësi i Romës, Marash Kumbulla që gjithsesi kartoni i tij ka zbritur në 22 milionë euro pas paraqitjeve aspak të mira në kryeqytetin italian. Distanca të frikshme kur mendon cilësitë e dy kombëtareve, megjithatë jo çdo herë vlera në treg është ajo që triumfon dhe arrin të marrë tre pikët. Shpresojmë që edhe këtë herë të jetë ky rasti, pasi një fitore e djemve tanë do ngjallte sërish shpresat për një kualifikim në Botërorin e Katarit që mbahet vitin e ardhshëm.