Shqipëria, e ardhmja në BE- po kur?

Shqipëria, e ardhmja në BE- po kur?

603
0

Nga Eglantina Alliaj

 

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen në takimin në Bruksel më 2 mars 2021 me Kryeministrit Edi Rama  tha se e ardhmja e Shqipërisë është në BE. Pyetja nuk është kur?

“Shqipëria mund të mbështetet tek BE për të krijuar mundësinë e rindërtimit pas tërmetit dhe për të trajtuar pandeminë. Shpresoj ta vizitoj Shqipërinë së shpejti”. Sipas saj pozicioni i Bashkimit Europian është i qartë, Shqipëria e ka të ardhmen në BE. Sipas kryeministrit Rama, është radha e vendeve të BE të japin një vendim për çeljen e negociatave.

“Procesi i integrimit ka dy faktorë, Shqipërinë dhe BE. Bashkimi Evropian është një bashkësi shtetet që janë faktorë të rëndësishëm për këtë proces. Duke u nisur nga vendimi i marrë nga Këshilli Evropian, çelja e negociatave është realizuar. Por hapja e negociatave formalisht është aprovimi i të gjitha shteteve. Këtu jemi në një fazë ku e kemi parë faktikisht që dinamikat e brendshme të BE dhe hallet e brendshme të një vendi, zgjedhjet e një vendi ndikojnë. Unë e kam thënë që pa u bërë zgjedhjet në Holandë, do të dëgjojmë shumë, por konferenca nuk do të ndodhi. Ka ndikuar dhe shumë pandemia, ka futur një axhendë në mes. Ne i kemi bërë detyrat tona. Pra është shumë e qartë. Nuk është një proces që ecën teknikisht, nuk varet vetëm nga ne, por nga shumë komponentë të tjerë”, tha kryeministri.

Ndryshe nga kryeministri Edi Rama, i cili shprehet entuziast për të gjitha arritjet e deritanishme për anëtarsimin e Shqipërisë në BE, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përmes një Instastory ka renditur sipas tij dështimin e radhës të kryeministrit Edi Rama. Në vijim të reagimeve të tij kryedemokrati Basha shkruan se Rama premtoi çeljen e negociatave me BE-në, por sipas tij ai vetëm ka shtuar kushtet. Ndër të tjera lideri i opozitës shkruan se në 8 vite kushtet për Shqipërinë nga 3 shkuan në 15-të. Në një nga prononcimet e kryedemokratit Basha thuhet se; “61 ditë deri më 25 prill, 100 dështimet e Edi Ramës në 8 vite. Rama premtoi çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian. A e ka mbajtur këtë premtim? Përgjigja: Jo! Në 8 vite shtoi kushtet për Shqipërinë nga 3 në 15-të”

 

Negociatat

Në morinë e lajmeve të përditshme, ku dita-ditës rëndohet bilanci i të prekurve me koronavirus, Shqipëria mbush 1-vit që ka marrë një lajm të mirë, të shumëpritur për vite me radhë. Bashkimi Europian ne marsin e kaluar vendosi çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Hapja e negociatave për anëtarsimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, pa dyshim është ngjarje me historike.

Hapja e negociatave është një shpresë e madhe për shqiptarët se, më në fund Shqipërisë i`u çel drejta jeshile për të ecur përpara drejtë anëtarësimit për në shoqërinë e hapur europiane.

“Shumë i kënaqur që vendet anëtare të BE-së arritën sot një marrëveshje politike për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Unë i uroj me gjithë zemër të dy vendet. Ky është një mesazh se Ballkani Perëndimor: E ardhmja juaj është në BE”, shkruan komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Nënkryetari i grupit parlamentar të CDU / CSU, Johann David Ëadephul e ka cilësuar dritën jeshile të dhënë nga BE për hapjen e negociatave s një shenjë inkurajimi dhe shprese për njerëzit, ndërsa shtoi së zbatimi i kushteve të vendosura do të shihet me vëmendje të madhe dhe të rreptë në zbatimin e tyre.

“Vendimi i sotëm nga Ministrat Evropianë të Bashkimit Evropian konfirmon perspektivën e BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kjo është një shenjë inkurajimi dhe shprese për njerëzit, veçanërisht në periudhat e vështira të krizës Corona, të cilat po prekin të dy vendet në një masë të konsiderueshme. Fakti që vendet anëtare tani kanë parashtruar 15 parakushte tregon se ata presin që Komisioni i BE të monitorojë përparimin në mënyrë të konsiderueshme në mënyrë më të rreptë dhe të kujdesshme. Kjo duhet të vlejë për përmbushjen e 15 parakushteve, si dhe për të gjithë procesin e bisedimeve. Ne jemi të bindur që Komisioni i ri i BE nën Presidentin Ursula von der Leyen do ta marrë parasysh këtë. Grupi parlamentar CSU / CSU, së bashku me partnerët e tij evropianë, do të jenë bindës se 15 parakushtet duhet të përmbushen plotësisht para se të fillojnë negociatat e pranimit”, shkruan Ëadephul.

 

HISTORIKU

 

Marrëdhëniet e vendit tonë me Bashkimin Evropian, bazuar në objektivin kombëtar të integrimit në BE, janë strategjike dhe prioritare të politikës sonë të jashtme. Interesi parësor i Shqipërisë në raport me BE-në është anëtarësimi në BE në të ardhmen.

 

1991 Shqipëria vendosi marrëdhëniet diplomatike me Komunitetin Evropian;

2000 Shqipëria u njoh zyrtarisht nga Bashkimi Evropian si një vend kandidat potencial;

2003 Samiti i Selanikut i krerëve të vendeve të BE-së, miratoi procesin e Stabilizim-Asociimit, duke konfirmuar kështu perspektivën e anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë. Në po të njëjtin vit nisën negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit (MSA) BE-Shqipëri;

Më 12 qershor 2006 u përmbyll procesi i negociatave rreth Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Shqipërinë, e cila u nënshkrua në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme (GAC), në Luksemburg;

 

Më 1 prill 2009 MSA-ja hyri në fuqi. Në po të njëjtin muaj, Shqipëria aplikoi zyrtarisht për t’u anëtarësuar në BE;Në nëntor 2009, bazuar në pyetësorin që Komisioni Evropian i dorëzoi Shqipërisë në lidhje me përgatitjen e vendit për anëtarësim, filluan dhe negociatat për marrjen e statusit të vendit kandidat;

 

Më 27 qershor 2014 Shqipëria mori statusin e vendit kandidat.

 

Këshilli i BE-së më 2014 përcaktoi pesë përparësi kryesore (administrata publike, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, të drejtat themelore) që Shqipëria duhej të përmbushte përpara fillimit të negociatave të anëtarësimit;

 

Më 9 nëntor 2016, bazuar në arritjet në këto përparësi kyçe, Komisioni i propozoi për herë të parë Këshillit fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, në varësi të një progresi konkret në zbatimin e reformës në drejtësi, në veçati të “vettingut” të gjyqtarëve dhe prokurorëve;

 

Më 17 prill 2018, në Paketën e tij vjetore të Zgjerimit, Komisioni Evropian rekomandoi që Këshilli të vendosë që negociatat e anëtarësimit të hapen me Shqipërinë nën dritën e përparimit të shënuar, ruajtjes dhe thellimit të reformave nga Shqipëria.;

Më 26 qershor 2018, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së pranoi t’i përgjigjet pozitivisht progresit të bërë nga Shqipëria dhe të përcaktojë rrugën drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit në

Më 29 maj 2019 Komisioni Evropian prezantoi Paketën vjetore të Zgjerimit, duke rekomanduar sërish hapjen e menjëhershme të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë;

 

Më 18 qershor 2018 Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme riafirmoi konkluzionet e tij të 26 qershorit 2018, njohu rekomandimin pozitiv të Komisionit për hapjen e negociatave dhe vendosi të marrë një vendim të qartë dhe substancial për këtë jo më vonë se në tetor 2019;

 

Më 18 tetor 2019 Këshilli Evropian mori në shqyrtim hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Këshilli vendosi t’i rikthehej kësaj çështjeje përpara majit 2020.

 

Më 25 mars 2020, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së vendosi të hapë negociatat e anëtarësimit me Republikën e Shqipërisë, duke marrë parasysh progresin e arritur në reformat dhe përmbushjen e kushteve të përcaktuara në unanimitet nga Keshilli i qershorit 2018.

 

Më 26 mars 2020, Këshilli Evropian miratoi vendimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

 

Regjimi pa viza

 

Më 9 nëntor 2006 Komisioni Evropian vendosi të fillojë negociatat për lehtësimin e vizave me Shqipërinë.

 

Marrëveshja për lehtësimin e vizave u nënshkrua nga palët në 13 Prill 2007, në Zagreb. Ajo hapi rrugën që të arrihej heqja e plotë e vizave dhe lëvizja e lirë për qytetarët shqiptarë drejt vendeve të BE-së.

 

Pas hyrjes së marrëveshjes në fuqi, më 1 Janar 2008, më 7 Mars 2008, në Tiranë, filluan negociatat midis Komisionit Evropian dhe Qeverisë shqiptare për të arritur konsensusin për liberalizimin e vizave midis palëve.Në përfundim të bisedimeve, në maj 2010, Komisioni propozoi t’ju mundësohej shtetasve të Shqipërisë udhëtimi drejt vendeve të Shengenit pa pasur nevojë për vizë afatshkurtër.

 

Më 8 nëntor 2010, Këshilli miratoi propozimin e Komisionit dhe regjimi pa viza hyri në fuqi më 15 dhjetor 2010. Komisioni Evropian është i autorizuar dhe i detyruar të vlerësojë çdo vit zbatimin e marrëveshjes. Në raportin e tij të fundit në dhjetor 2018, Komisioni Evropian deklaroi se Shqipëria i ka përmbushur detyrimet, duke propozuar ruajtjen e këtij regjimi me Shqipërinë.

 

A i ka plotësuar Shqiperia Kushtet e BE?

 

Shqipëria do duhet të përmbush, si fillim 15 (para)kushte, me qëllim avancimin e hapjes së kapitujve për t’u anëtarësuar në BE. Nga një verifikim i hollesishem rezulton se 9 prej këtyre kushteve nuk janë përmbushur, ndërsa pjesa tjetër has në problematika të shumta në zbatueshmëri. Shqipërisë iu çelën negociatat për anëtarësim më 24 mars 2020. Gjatë takimit virtual të Ministrave për Evropën, u dakordësua që ky proces për Shqipërinë të kushtezohej me shtimin e kushteve për plotësim me korrektesi, duke e çuar në 15 numrin e tyre.

 

15 kushte e BE-së për anëtarësimin e Shqipërisë:

 

  1. Miratimi i reformës zgjedhore;

 

  1. Funksionimi i Gjykates Kushtetuese;

 

  1. Funksionimi i Gjykatës së Lartë;

 

  1. Finalizimi i ngritjes se strukturave kundër krimit të organizuar dhe anti-korrupsionit/Funksionimi i SPAK;

 

  1. Forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në bashkëpunim me vendet anëtare dhe nëpërmjet Plan Veprimit për adresimin e krimit financiar;

 

  1. Ulje e numrit të azilkërkuesve;

 

  1. Rishikimi i Ligjit të Medias në linjë me rekomandimet e Komisionit të Venecies;

 

  1. Vazhdimi i Reformës në Drejtësi;

 

  1. Track Records-Iniciimi dhe përfundimi i proceseve gjyqësore të shkallës së parë të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve;

 

  1. Progres në reformën e administratës publike;

 

  1. Zbatimi i reformës zgjedhore;

 

  1. Vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale 2019;

 

  1. Miratimi i Akteve nënligjore të Ligjit për Pakicat Kombëtare;

 

  1. Miratimi i Ligjit (të amenduar) të Censit;

 

  1. Avancimi i procesit të regjistrimit të pronave.

 

Reforma Zgjedhore u dakordësua mes palëve politike në mbledhjen e Këshillit Politik më 5 qershor te vitit 2020. Pas një sërë afatesh të shtyra dhe ndërhyrjes së vazhdueshme të ndërkombëtarëve, katër anëtarët e Këshillit Politik, arritën në një marrëveshje.

Gjykata Kushtetuese ende nuk ka arritur të konsituohet plotësisht me anëtarë. Fakt është që Kushtetuesja është funksionale, por jo e plotë.

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion, që do të hetojë zyrtarët, prokurët dhe gjyqtarët e korruptuar u ngrit më 19 dhjetor 2019. Prokuroria e Posaçme u ngrit me një numër minimal nën nivelin kushtetues prej 8 prokurorësh, të cilët ia dolën të kalojnë me sukses të dyja shkallët e vetingut. Prokurorët janë Elida Kaçkini, Enkeleda Millonai, Edvin Kondili, Behar Dibra, Arben Kraja, Klodian Braho, Ened Nakuçi dhe Altin Dumani. Deri në këto momente, SPAK, duket se nuk ka prodhur ndryshim thelbësor në sistemin e drejtësisë. (kusht i plotësuar)

Ngritja e SPAK duket se gjithsesi nuk ka arritur të japë ende rezultate të prekshme që mund të përkthehen si përmbushje e kushtit të 7-të të Gjermanisë. Rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapja dhe ndjekja penale e personave kyç të krimit mbetet ende një sfidë, ndërsa paralelisht qeveria ka urdhëruar ngritjen e një tjetër strukture për këtë qëllim, OFL-së. (kusht i plotësuar, por në disa raste joefektiv)

Kërkesat e për azil të shtetasve shqiptarë në vendet e BE-së vijojnë të mbeten në shifra të larta. Sipas raportit të Agjencisë Evropiane për Azilin (EASO) Shqipëria vazhdoi të ishte mes dhjetë vendeve me numrin më të madh të azilkërkuesve në Evropë gjatë vitit 2019. Shqipëria u redit pas Irakut, Pakistanit, Turqisë, Iranit dhe Nigerisë për nga numri i kërkesave për azil. (kusht ende i paplotësuar)

 

Rishikimi i ligjit të kosnideruar “Anti-shpifje”, është një tjetër kërkesë e BE-së, e cila për momentin “ka ngrirë”. Komisioni i Venecias, më 5 qershor i kërkoi Qeverisë së Shqipërisë të rishikojë paketën “Anti-Shpifje”. Në opinionin e saj Venecia vlerësoi se paketa “Anti-Shpifje” nuk është gati për t’u adoptuar dhe karakterizohet nga vakuum ligjor. Qeveria duket ka hequr dorë nga miratimi i këtij ligji shumë të diskutuar.

Reforma në Drejtësi: Deri tani 90 gjykatës dhe prokurorë kanë dalë jashtë sistemit të drejtësisë nga vettingu. Në sitën e vettingut janë ende për të kaluar rreth 700 gjyqtarë dhe prokurorë.

 

Lidhur me prioritetin Track Records-Iniciimi dhe përfundimi i proceseve gjyqësore të shkallës së parë të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve, Shqipëria ka miratuar një ligj për sinjalizimin e korrupsionit dhe mbrojtjen e sinjalizuesve. (kusht i plotësuar, por joefektiv)

 

Për sa i përket reformës në administratën publike, konstatohet dixhitalizim i pjesshëm i shërbimeve apo shtim i portaleve për ofrimin e shërbimeve “online”. Edhe Ligji për Statusin e Nëpunësit Civil i vitit 2011 duket se nuk ka sjellë rezultatet e pritshme në këtë kuadër. (kusht pjesërisht i plotësuar, por joefektiv)

 

Edhe kushti për dhënien e vendimit nga Kushtetuesja për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit 2019 nuk është përmbushur, në mungesë të një Gjykate Kushtetuese funksionale. (kusht ende i paplotësuar)

 

Miratimi i Akteve nënligjore të Ligjit për Pakicat Kombëtare vijon të jetë i paplotë. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2019, thekson problematikat lidhur me zbatimin e të drejtave të minoriteteve. (kusht i plotësuar por, që has në problematika në zbatueshmëri)

 

Në tetor 2017 qeveria miratoi një ligj të ri për pakicat, por Kuvendi nuk miratoi ligjin dhe rregullat zbatuese. Qeveria përkufizoi grekët, maqedonasit, arumunët (vllehët), romët, egjiptianoballkanikët, malazezët, boshnjakët, serbët dhe bullgarët si pakica kombëtare. Pakica etnike greke u ankua për mungesën e vullnetit të qeverisë për të njohur komunitete etnike greke jashtë“zonave minoritare” të kohës së komunizmit, thuhet në raportin e DASh të vitit 2019

 

Miratimi i Ligjit (të amenduar) të Censusit vijon të jetë në diskutim, pasi në projekt duhet të përfshihen edhe pakicat kombëtare. Miratimi pritet të kryhet nga INSTAT brenda këtij viti. (kusht ende i paplotësuar)

 

Më 8 qershor, drejtori i ALUIZN-it, Artan Lame njoftoi nisjen e procesit të regjistrimit të pronave në jug të vendit.Lame deklaroi se ky proces do të trajtojë 16 mijë e 500 pasuri private, shtëpitë e vjetra tradicionale, objekte në proces legalizimi dhe ato të privatizuara. Procesi ende është në zanafillë dhe për momentin nuk ka ende të dhëna mbi ecurinë. (kusht ende i paplotësuar).

Shqipëria deri më tani ka plotësuar 4 kushtet e para që kushtëzonin “uljen” në tavolinën ndërqeveritare me BE-në” çka, pas vendimit politik për hapjen do të shënonte edhe hapjen “teknike” të bisedimeve!

Fqinjët

 

Anëtarësimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht Sllovenisë dhe Kroacisë në Bashkimin Europian është shembulli se anëtarësimi është në Union është i  mundur.

Pas Sllovenisë e cila u anëtarësua në BE në vitin 2004 dhe Kroacia në vitin 2013, Mali i Zi dhe Serbia të cilat vazhdojnë negociatat e anëtarësimit së bashku me Turqinë, janë dy shtete më të afërta të rajonit për anëtarësim. Ndërsa Malin e Zi dhe Serbinë e ndjekin Shqipëria dhe Maqedonia  e Veritu të cilët kanë marrë statusin “shtet kandidat”, por ende nuk kanë nisur negociatat e anëtarësimit. Bosnjë Hercegovina nga shtetet e rajonit është në përgatitje që të aplikojë për anëtarësim më 15 shkurt, ndërsa Kosova e cila në vitin 2015 ka nënshkruar MSA-në është shteti “më i largët” për anëtarësim.

 

– Sllovenia dhe Kroacia –

 

Sllovenia e cila doli “me dëme më të vogla” nga procesi i ndarjes së Jugosllavisë, është shteti i parë i rajonit i cili u bë anëtare e BE-së në 2004, vit kur Unioni u zgjerua me 10 shtete.

 

Pas Sllovenisë, shteti i dytë i rajoni i cili u bë anëtar i BE-së ishte Kroacia. Kroacia e cila në vitin 2003 aplikoi për anëtarësim dhe e mori statusin “shtet kandidat” në vitin 2004, duke i përfunduar negociatat e anëtarësimit të cilat i filloi së bashku me Turqinë në vitin 2005, u bë shteti i 28-të anëtar i BE-së më 1 korrik 2013.

 

– Mali i Zi dhe Serbia –

 

Edhe pse pas anëtarësimit të Kroacisë ishte pretenduar se një kohë të gjatë BE-ja nuk do të zgjerohet, në një zhvillim të mundshëm është e dukshme se Mali i Zi është shteti i parë anëtarësimi i të cilit do të pranohet. Mali i Zi në vitin 2008 aplikoi për anëtarësim në BE dhe në vitin 2010 e mori statusin “shtet kandidat”. Në vitin 2012 i filloi negociatat e anëtarësimit, deri më tani ka hapur 22 kapituj, ndërsa ka mbyllur 2 kapituj nga gjithsej 35.

Mali i Zi i cili krahas kapitujve të hapur në procesin e anëtarësimit të BE-së me ftesën të cilën e mori për anëtarësim në NATO në muajin dhjetor të vitit të kaluar, është shteti më i shpejtë në procesin e integrimit Euro-Atlantik të rajonit. Mali i Zi gjithashtu ka një avantazh të rëndësishëm në rrugën e anëtarësimit në një zgjerim të mundshëm, ku krahas vendeve të tjera të rajonit i zgjidhi më shpejt problemet etnike.

 

Një shtet tjetër nga rajoni përveç Malit të Zi, e cila i vazhdon negociatat e anëtarësimit është Serbia. Serbia e cila në vitin 2009 aplikoi për anëtarësim në BE, në vitin 2012 mori statusin “shtet kandidat”. Rolin kyç në marrjen e statusit shtet kandidat të Serbisë e luajtën negociatat Beograd-Prishtinë të ndërmjetësuar nga ana e BE-së. Serbia e cila negociatat e anëtarësimit i filloi zyrtarisht në vitin 2014, dy kapitujt e parë në negociata i hapi në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Çështja e cila më së shumti do ta kufizojë Serbinë pritet që të jetë Kosova, ndërsa është e paqartë nëse Serbia do ta pranojë Kosovën, të cilën ende e sheh si pjesë e saj, në rast se i imponohet si kusht për anëtarësim në BE.

 

– Shqipëria dhe Maqedonia  e Veriut

 

Dy shtete nga rajoni të cilat kanë marrë statusin “shtet kandidat” por ende nuk kanë filluar negociatat e anëtarësimit janë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Shqipëria e cila aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2009, mori statusin “shtet kandidat” në vitin 2014. Zhvillimi më i rëndësishëm për marrjen e statusit shtet kandidat të Shqipërisë ishte se zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në vitin 2013 ishin karakterizuara si “të suksesshme” nga ana e komunitetit ndërkombëtar. Edhe pse ka marrë statusin “vend kandidat” Shqipëria e cila ende nuk ka hapur kapitull në negociatat e anëtarësimit, vazhdon të zbatojë paketën e reformës me disa pika të parashikuar në MSA.”Shtet kandidat” tjetër, Maqedonia e Veriut aplikimin për anëtarësim e bëri në vitin 2004. Maqedonia e cila në vitin 2005 e mori statusin “shtet kandidat” dhe në vitin 2009 Parlamenti Europian dha rekomandim se “mund të fillohet me negociata”, prej 7 vjetësh nuk mund të hapë asnjë kapitull për shkak të krizës politike në vend dhe për shkak të “problemit me emrin” që pati me Greqinë, problem që e ka zgjidhur.

 

Hapja teknike e negociatave që nuk u realizua dot gjatë Presidencës gjermane, pritet të ndodhë gjatë vitit 2021. Ky moment është vetëm hapi i parë në rrugën e gjatë të “negociimit” të 35 kapitujve, rrugë që për më optimistët si kryenegociatori i Shqipërisë Zef Mazi mund të bëhet deri në 2027-2028 dhe për më pesimistët mund të marrë më shumë se një dekadë.

Shperndaje